Ballkani Perëndimor formon tregun e përbashkët ekonomik
Trieste, 13 korrik - Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord të mërkurën për formimin e një tregu të përbashkët rajonal gjatë Samitit të Triestes.
Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh i kënaqur me rezultatet në përfundim të tij.
\"Një samit inkurajues për ecurinë europiane të rajonit dhe po ashtu për Shqipërinë, që këtë herë është e para në listën e projekteve të fituara për financim,\" tha Rama.
Sipas qeverisë shqiptare, vendi ynë ka përfituar 30% të fondeve të vëna në dispozicion për 4 projekte.
Kryeministri italian Gentiloni theksoi se këto nisma do të përmirësojnë marrëdhënien e Ballkanit me Bashkimin Europian.
\"Nuk e di nëse Samit i Triestes do të mbahet mend në historinë e rajonit, si Samiti që nisi këtë perspektivë të jashtëzakonshme, por sigurisht kjo perspektivë, ky plan veprimesh që i jep jetë një zone ekonomike, që bën bashkë tarifa, shkëmbime tregtare në një zonë prej 20 milionë banorësh është një perspektivë e jashtëzakonshme,\" theksoi Gentiloni.
Marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Europian, pritet të jetë një zgjatim i asaj ekzistuese, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe një gur themeli për anëtarësimin në bllok të gjatëve vendeve.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shpresojnë të anëtarësohen në të njëjtën ditë në Bashkimin Europian. Disa nga këto vende u shprehen skeptike ndaj planit, pasi dyshojnë se ai mund të shtyjë integrimin e tyre në Bashkimin Europian apo ta zëvendësojë komplet këtë proces.