29 Dhjetor 2024

Bajrami informon investitorët turq për Ligjin për Investime Strategjike

Prishtinë, 18 tetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë - Turqi që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Pjesëmarrës në këtë forum janë Ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë, Nihat Zeybecki; udhëheqësit e Këshillit Ekonomik për Bashkëpunim (DEIK), Omer Cihad Vardan dhe Burhan Muharren Geylan; Ayhan Albeyoglu, President i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, etj. Po ashtu, pjesëmarrës në këtë forum janë edhe zv. Ministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj dhe Ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami tha se Republika e Kosovës është e interesuar t’i forcojë marrëdhëniet ekonomike me Republikën e Turqisë, dhe forumet sikur ky janë një mundësi e mirë që bizneset tona t’i forcojnë bashkëpunimet në sektorë të ndryshëm të industrisë.

Bajrami shtoi se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijojë një mjedis të përshtatshëm për investime në Kosove.”

Ajo tha se Kosova ka krijuar një stabilitet politik dhe ekonomik dhe ligje të cilat jo vetëm që krijojnë lehtësira për investime, por krijojnë një ambient të përshtatshëm për të bërë biznes. 

“Duke qenë vend me 70% të popullsisë nën moshën 35 vjeçare, Kosova ofron fuqi punëtore të arsimuar dhe konkurruese me vendet e rajonit” tha ministrja.

Ajo u tha të pranishmëve se Kosova është pjesë e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA), si dhe e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e cila i ofron Kosovës qasje të lirë në tregun Evropian. Bajrami shtoi se Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e disa institucioneve tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. 

Ministrja nënvizoi se Kosova është vend optimal për shumë kompani nga Turqia dhe vende të tjera që të investojnë në aktivitet prodhues në vendin tonë dhe se këto prodhime t’i plasojnë në tregjet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash më qëllim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, fuqizimin e sektorit privat dhe të sigurojë një rritje ekonomike stabile,” tha ajo, dhe vazhdoi se këto reforma janë reflektuar pozitivisht në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”.

Megjithëse, Kosova ka një regjim të taksave mjaft konkurrues, vitin e kaluar qeveria i ka rishikuar politikat fiskale dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i mbështetur bizneset veçanërisht ato prodhuese, nënvizoi Bajrami, e cila potencoi se këto ndryshime kanë ndikuar në lehtësimin e barrës tatimore për pajisje të prodhimit dhe lëndë të parë që nuk prodhohet në vendin tonë.

Ministrja Bajrami shpjegoi para afaristëve pjesëmarrës mundësitë që ofron Kosova për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Ajo përmendi angazhimet e qeverisë së Kosovës në përmirësimin e legjislacionit, infrastrukturës, rritjen e efikasitetit të administratës shtetërore për bizneset, etj.

Znj. Bajrami u tregoi investitorëve nga Turqia edhe për Ligjin për Investime Strategjike, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke thënë se ky ligj pritet të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

“Përparësi kryesore e këtij ligji është largimi i disa proceseve administrative, shkurtimi i kohës për pajisje me leje dhe licenca, dhe kohës për marrjen e pronës për realizimin e investimit” potencoi ajo.

Në përmbyllje, ministrja Bajrami theksoi se pavarësisht nga sfidat e kaluara, Kosova ka shënuar rritje pozitive ekonomike në vitet e fundit; është integruar në tregjet rajonale dhe botërore; ka përmirësuar strukturën ligjore; ka bërë përmirësime të mëdha në infrastrukturë; ka krijuar institucione demokratike dhe është transformuar në një ekonomi të tregut të lirë.
 
Ministrja Bajrami i ftoi kompanitë nga Turqia të investojnë në Kosovë dhe të bashkohen me kompanitë e tjera turke që kanë filluar aktivitetin e tyre në Kosovë në shumë sektorë të rëndësishme si në: energji, ndërtim, banka, shëndetësi, etj. 

Në këtë forum të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Këshilli Ekonomik për Bashkëpunim (DEIK) dhe Oda Tregtare Kosovare-Turke po marrin pjesë 68 kompani turke dhe 6 kompani kosovare.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)