Bahtiri kërkon ndërprerjen e blerjes së pronave shqiptare nga Serbia
Mitrovicë, 17 shtator - I shqetësuar nga shpeshtimi i rasteve të blerjes së pronave të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës, nga ana e shtetit të Serbisë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kërkon nga institucionet më të larta të vendit që të ndërmarrin masa të menjëhershme që të ndërpritet ky trend.
Serbia nuk po ndalet së pastruari etnikisht lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, tani jo me largim të dhunshëm të shqiptarëve nga atje, por duke ndarë mjete të mëdha për blerjen e pronave të tyre, duke krijuar fonde të posaçme për këtë. Kjo tendencë e shtetit të Serbisë duhet të ndërpritet menjëherë.\"
\"Duke qenë se institucionet lokale nuk mund ta bëjnë këtë, kërkoj nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të nivelit qendror, që të angazhohen seriozisht për të ndërpre këtë tendencë të shtetit të Serbisë, thotë kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri thotë se nëse këto veprime qëllimkëqija të shtetit të Serbisë nuk mund të ndërpriten ndryshe, atëherë do të duhej që edhe Qeveria e Kosovës të siguroj një fond të posaçëm, në mënyrë që të blihen këto prona (shtëpi) dhe në to të vendosen ato familje shqiptare që nga ekstremistët serbë me dhunë janë dëbuar gjatë dhe pas lufte nga lagjet veriore, numri i të cilave vërtetë është i madh, pasi që jetojnë në kushte të vështira në pjesën jugore të qytetit dhe gjetiu nëpër Kosovë.