AVUK lehtëson procedurat e importit të mishit
Prishtinë, 18 Janar - Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) ka ndërmarrë një varg hapash për të përmbushur kërkesat e Shoqatës së Prodhuesve dhe të Përpunuesve të Mishit duke lehtësuar procedurat për leje të importit.
Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishit e ka vlerësuar iniciativën e AUVK-ut pas një takimi që është zhvilluar ndërmjet udhëheqësve te Agjencisë dhe përfaqësuesve te Shoqatës së Prodhuesve dhe të Përpunuesve të Mishit.
Drejtori i AUVK-së, Valdet Gjinovci tha se lejet e importit do të merren brenda ditës, hap i cili do tua lehtësojë veprimtarinë bizneseve, duke eliminuar procedurat burokratike.
Ky është një hap konkret që e kemi bërë si Agjenci në mënyrë që bizneset ta kenë sa ma të lehtë zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Por edhe një gjë duhet të kemi parasysh, se asnjëherë nuk do të kemi mëshirë ndaj atyre që shkelin rregullat dhe nuk repsktojnë ligjet, ka deklaruar Gjinovci.
Ata që shkelin ligjin dhe nuk respektojnë rregullat do te ndëshkohen. Ne jemi për zhvillimin e bizneseve, por në mënyrë ligjore, tha Gjinovci.
Gjonivci gjithashtu ka njoftuar se lejet e importit do të jepen për afate deri në gjashtë muaj varësisht nga cili vend vjen produkti.
Gjithashtu, pritet që në bashkëpunim me Doganat e Kosovës, të krijohen edhe lehtësi për qarkullimin e këtyre mallrave. Do të angazhohemi që deri në fund të këtij viti të krijojmë lehtësime për qarkullimin e mallrave në vendet më të njohura për prodhimin e mishit. E kjo do të bëhet sidomos në vendet që e kanë njohur Kosovën.
Sipas tij, një kërkesë tjetër e drejtuesve të kësaj shoqate ka qenë forcimi i kontrolleve në industrinë e mishit, për të eliminuar informalitetin dhe veprimet e tjera joligjore të disa tregtarëve.
Gjinovci ka theksuar se vitin e kaluar janë bërë 223 inspektime të depove të mishit, ndërsa janë asgjësuar 260 tonë mish.
Një fakt që na gëzon është rritja e bashkëpunimit me tregtarët dhe përpunuesit e mishit, të cilët gjithnjë e më shumë po bashkëpunojnë dhe po kërkojnë që të bëhen inspektime dhe në depot e tyre, tha Gjinovci.
Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve dhe të Përpunuesve të Mishit Burim Piraj, është shprehur i kënaqur me plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e AUVK-së.
Ai ka thënë në këtë konferencë, se importuesit dhe prodhuesit e mishit e mirëpresin angazhimin e zyrtarëve përgjegjës për kontrollimin e cilësisë së produkteve të mishit. Nëse ka asgjësim të mishit, kjo garanton cilësinë e produkteve që shiten këtu, tha Piraj.
Ndërsa, drejtori i AUVK-së, Valdet Gjinovci, ka deklaruar se aktualisht nuk ka rrezik që në Kosovë të arrijë mish i infektuar me dioksinë nga Gjermania, për shkak se malli që do të mund të vijë nga ai lokacion duhet të ketë një letër garanci të cilësisë.