Avonet kërkon nga Dogana të zbatojë vendimin për mbështetjen e prodhimeve vendore
Prishtinë, 9 maj - Rrjeti i OJQ-ve Avonet, shpreh shqetësimin e thellë që Dogana e Kosovës nuk po e zbaton vendimin e ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ka marrë masa mbrojtëse për qumështin duke u bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1 të nenit 2 të Ligjit nr. 041/L-047.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, ka vënë si prioritet që ti mbështes prodhimet vendore, por sipas Avonet nga ana tjetër Dogana e Kosovës nuk është duke e zbatuar këtë vendim, gjë e cila është në kundërshtim të zbatimeve dhe vendimeve që merren nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Avonet konsideron se Dogana e Kosovës duhet të respektojë vendimet dhe po ashtu të zbatojë të gjitha vendimet që janë në harmoni ligjore dhe që janë të bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës.
Moszbatimi i vendimeve sipas Avonet krijon dyshime që në këtë institucion, pra në Doganën e Kosovës, ka grupe të interesit të cilat pengojnë mbështetjen e prodhimeve vendore.
"Dogana e Kosovës dhe zyrtarët e këtij institucionit duhet të marrin shumë më seriozisht qasjen e tyre dhe të respektojë e zbatojë çdo vendim që nxjerrin institucionet e Republikës së Kosovës."
"Dogana e Kosovës, duhet të distancohet nga ndikimet politike dhe presioneve që ushtrojnë grupe të ndryshme të interesit e që janë veprime kriminale dhe kundërligjore", thekson Avonet.
Andaj Avonet, kërkon nga Dogana e Kosovës që të zbatojë vendimin e MTI-së, që ka për synim mbështetjen e prodhimeve vendore.