Autostrada Durrës-Kukës, shtohet fluksi i turistëve, rritet tregtia
Tiranë, 15 korrik - Vënia në funksion e autostradës Durrës-Kukës, specifikisht e tunelit të Kalimashit ka shumëfishuar jo vetëm lëvizjen e turistëve, por edhe të mallrave, kryesisht të eksportit nga Shqipëria.
Në 10-ditëshin e parë të korrikut është shënuar edhe shifra më e lartë në fluksin e mjeteve dhe njerëzve në hyrje në Doganën e Morinit.
Sipas regjistrave në sportele rezulton se hyjnë në Shqipëri mesatarisht nga 8000 deri në 9500 mjete në ditë, ndërsa në fundjavë numri i mjeteve që hyjnë në Shqipëri shkon nga 10000, deri 11500, si dhe 35 deri 40 mijë persona.
Agjencitë e udhëtimit në Kosovë tregojnë se mesatarisht 2/3 e kosovarëve udhëtojnë për pushime në detin e Shqipërisë, ku më shumë se gjysma e tyre bëjnë pushime dyjavore, ndërsa pjesa tjetër vetëm në fundjavë, duke e përsëritur gjatë gjithë verës.
Fitimi i shqiptarëve edhe nga kjo lëvizje nuk është i vogël, pasi sipas një llogaritjeje, çdo pushues kosovar lë në Shqipëri minimumi 10 euro në ditë, ku në total i bie rreth gjysmë milioni euro.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2010 është rritur edhe volumi i eksporteve dhe gjithashtu të ardhurat doganore, përkatësisht nga 250 mijë të parashikuara, në 2.5 milionë euro.
Në hyrje të Doganës së Morinit në mëngjes herët ndodheshin rreth 20 maune të ngarkuara me mallra nga më të ndryshmet, të cilat nuk prisnin ndonjë radhë, pasi për këtë ishin marrë masa shtesë, por thjesht plotësimin e procedurave doganore.
Me modernizimin e infrastrukturës së kontrollit, si dhe të shërbimeve të tjera në Doganën e Morinit, shoferëve nuk u bie të presin shumë. Një kamionist nga Lushnja, i cili transportonte perime drejt Prishtinës, në lidhje me pritjen në radhë tha se nuk ishte një problem.
Unë sapo mbërrita nga Lushnja dhe ndoshta me del koha për një kafe, se këtu nuk ka vonesa, tha ai, duke shtuar se ishte nisur në orën 04:00 të mëngjesit, ndërsa në 07:30 ka mbërritur në Morin.
E bëj gati çdo ditë këtë rrugë, sepse me tunelin është shkurtuar distanca dhe rruga është e mirë. Nuk e imagjinonim se mund të vinte puna kështu. Janë futur shumë njerëz në punë në sektorin e bujqësisë, tha shoferi nga Lushnja, duke nënvizuar faktin se as që kishte tentuar më parë të kalonte nga Qafa e Malit në rrugën e vjetër.
Drejtori i doganës, Ali Tota, tregon se eksportet në vitin 2010, për 6-mujorin e parë, ashtu si dhe në vitin që shkoi, janë dhjetëfishuar në raport me vitet e tjera.
Në ditët më të mira para se të hapej tuneli i Kalimashit kryheshin mesatarisht 10 transite (kamionë me mallra që zhdoganohen) në ditë, ndërsa pas hapjes së tunelit kryhen rreth 90 transite në ditë, tha Tota.
Për 6-mujorin e parë të vitit 2010 kjo doganë ka derdhur në arkën e shtetit 2.5 milionë euro, që i takojnë kryesisht periudhës pas hapjes së tunelit, kundrejt një shume tepër modeste që realizohej më parë. Vetëm për qershorin ishin arkëtuar nga eksportet mbi 450 milionë lekë, kur në qershorin e 2006-s ishin arkëtuar vetëm 30 milionë.
Në tërësinë e mallrave që eksportohen në Kosovë dhe në vende të tjera, vendin më me peshë duket se e zënë produktet bujqësore me rreth 20 kamionë në ditë.
Shoferët tregojnë se prodhimet e stinës së Shqipërisë janë shumë të kërkuara në tregun e Kosovës dhe më gjerë. Më pas vjen eksporti i hekurit dhe çimentos, ku porositësi më i madh është Bechtel, që po ndërton autostradën nga Morini drejt Prishtinës.
Një vend të rëndësishëm në eksportet drejt Kosovës zënë karburantet, industria ushqimore etj., ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga mallra që vijnë nga Italia dhe vende të tjera përtej detit.
Drejtuesi i një kamioni që transportonte kontejnerë të porositur në Kinë dhe Itali, tha se më herët kalonin nga Greqia dhe Maqedonia për të mbërritur në destinacion. Autobusët me pasagjerë tregojnë vetëm numrin e personave në sportelin e doganës dhe një grup specialistësh bën një kontroll të shpejtë të bagazheve dhe çdo gjë kryhet mjaft shpejt.
Një efektiv i policisë kufitare tha se po të kryhej kontrolli për çdo person, qoftë edhe thjesht të dokumentacionit, do të duheshin shumë energji dhe kohë. Imagjino sikur të kontrollonim 60 apo 70 autobusë çdo ditë me rreth 4 mijë pasagjerë, tha ai, duke shtuar se nga ana tjetër ekspertët me mjete të specializuara kryenin kontrolle për mallra të ndaluara, si drogë apo armatim.
Përveç autobusëve të Kosovës, në Morin hyjnë edhe autobusë nga Maqedonia, ku pushuesit shfrytëzojnë rrugën më të shkurtër drejt detit të Shqipërisë.