Austria do ta ndihmoj Kosovën për të luftuar ekonominë joformale
Prishtinë, 30 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e takoi ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, ku përveç njoftimit me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, u diskutua edhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve, në fusha të ndryshme.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë bisedës me ambasadorin Brieger, e ka vlerësuar lartë rolin e Austrisë në përkrahje të Kosovës dhe gatishmërisë së vazhdueshme për avancimin e proceseve ekonomike dhe në kultivimin e raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve.
Poashtu, ministrja Bajrami e informoi ambasadorin Brieger me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, siç janë: mbështetja dhe zhvillimi i sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së të bërit biznes; avancimin e politikave tregtare; përmirësimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe inkurajimi i investitorëve të huaj veçanërisht të investitorëve austriak për të investuar në Kosovë.
Ambasadori austriak, Johann Brieger, shprehu gatishmërinë e tij dhe të shtetit të tij për të ndihmuar në perpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të luftuar ekonominë joformale dhe korrupsionin, që do të krijojnë parakushte për tërheqjen e investimeve të jashtme, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me interes të dyanshëm.