ATK mbyll lojëra të fatit në Kamenicë, Gjilani dhe Prizren
Prishtinë, 22 tetor - Administrata Tatimore e Kosovës, - Drejtorati i Lojërave të Fatit, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Inspektoriatin e Tregut, si dhe me asistim të Policisë së Kosovës, gjatë të Premtes se kaluar, dhe ditës së Martë datë kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit (LF) në Komunën e Kamenicës, Gjilanit dhe Prizrenit.
Një aksion i tillë është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi ne mes ATK-së, MTI-së dhe PK-së, me të vetmin qëllim zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.
Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 5 (pesë) subjekteve të LF-së në Komunën e Kamenicës, e 4 (katër) subjekteve të LF-së në Komunën e Gjilanit dhe e 11 (njëmbëdhjetë) subjekteve të LF-së, në Komunën e Prizrenit.
Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, Inspektoriatit të Tregut dhe PK-së, janë planifikuar të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike.
Gjithashtu, ATK-ja, ka për synim që të ngritë shkallën e bashkëpunimit me shumë institucione të tjera që merren me zbatim të ligjit, në mënyrë që sa më shumë të ndikojë në uljen e ekonomisë informale.