APIK promovon Kosovën në SHBA

Prishtinë, 20 shtator - Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Ambasadën e Kosovës në Washington, si dhe Ministrinë e Diasporës, nga sot e deri më 27 shtator kanë organizuar mision tregtar të bizneseve kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Delegacionit, i cili udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, i janë bashkëngjitur mbi 50 biznese nga Kosova me qëllim të promovimit të produkteve vendore, krijimit të partneriteteve të mundshme biznesore, si dhe promovimit të investimeve të suksesshme që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Kosovë.
Në kuadër të këtij misioni, ku po marrin pjesë edhe zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Diasporës, Agjencia për Promovimin e Investimeve dhe Oda Amerikane, do të ketë takime B2B (biznesmen me biznesmen) në Washington dhe New York. Me datën 24 shtator do të organizohet Konferenca për promovimin të bashkëpunimit dhe investimeve në Washington.
Gjatë qëndrimit të tyre atje, nën udhëheqjen e zëvendëskryeministres Kusari Lila, delegacioni do të vizitojë disa kompani amerikane.
Duke qenë se Kosova gëzon të drejtën e preferencave tregtare me SHBA (GSP), e cila nënkupton eksport të produkteve kosovare pa taksë doganore, promovimi i produkteve kosovare për eksport është tejet i rëndësishëm.
Aktualisht kompanitë si: Stone Castle, Ftutex, AskFood, e disa kompani tjera kosovare, janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi të eksportit me tarifë doganore zero. Këto janë vetëm disa fakte që tregojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë një potencial të mirë të bashkëpunimit me bizneset kosovare.
Ndryshe nga eksportet, në Kosovë gjatë vitit 2011 kemi pasur 14.3 milionë euro investime të huaja direkte nga SHBA-të, ndërsa në kuartalin e parë të këtij viti investimet e huaja shënuan vlerën 2.4 milionë euro.