Anulohet marrëveshja për fiksimin e çmimeve të naftës
Prishtinë, 6 gusht - Komisioni kosovar i konkurrencës, që nga viti i kaluar, në bazë të inspektimeve dhe monitorimit të çmimit të derivateve të naftës në rajonin e Gjilanit ka vërejtur se ekziston një praktikë e bashkërenduar për mbajtjen e çmimeve të njëjta te numri më i madh i kompanive që shesin naftë dhe derivate të naftës.
Kjo dukuri, sipas Ligjit për Konkurrencën, nr. 2004/36, konsiderohet si ndarje e tregut dhe fiksim i çmimeve.
Komisioni, mu për këtë qëllim, sot ka mbajtur një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e naftëtarëve të këtij rajoni.
Në këtë takim morën pjesë 25 operatorë ekonomikë që shesin derivate nafte me pakicë dhe, pas diskutimit dhe sqarimeve të dhëna nga të dyja palët, u arrit pëlqimi që të anulohet marrëveshja, vendimi apo praktika e bashkërenduar për fiksimin e çmimeve të derivateve të naftës.
Nga kjo seancë, po ashtu doli zotimi se tani e tutje këto ndërmarrje do të veprojnë lirshëm në treg, pa imponim të caktimit të çmimit dhe se do tu përmbahen rregullave dhe ligjit në fuqi.
Së këndejmi doli edhe kërkesa e naftëtarëve të shitjes me pakicë që të inspektohen shitësit me shumicë të derivateve të naftës, me pandehmën se të njëjtit po e dëmtojnë konkurrencën dhe tregun në rajonin e Gjilanit.