23 Dhjetor 2024

Amerikanët përballen me çmime të larta

Washington, 10 mars - Trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në muajt e fundit kanë ngritur çmimin e naftës në tregun botëror në mbi 100 dollarë për fuçi, duke shkaktuar një shtrenjtim të karburanteve në Shtetet e Bashkuara që po ndikon në shpenzimet për transport të familjeve dhe bizneseve.

Tani, njerëzit po përballen me çmimet si pjesë të përditshmërisë së tyre.

Benzina është shtrenjtuar javët e fundit, ndërkohë që ngritja e shpejtë e çmimeve të naftës së papërpunuar ndikon edhe në konsumin e zakonshëm.

Shumica e njerëzve nuk janë të kënaqur.

“Unë jam studente dhe më duhet të ngas makinën për 45 minuta për në universitet. Është e tmerrshme.”

Shumë njerëz po përpiqen të përshtaten me kushtet, duke përdorur makinat më rrallë ose duke përdorur makina që harxhojnë më pak karburant në qoftë se kanë mundësi.

“Unë punoj goxha larg nga shtëpia, kështu që do të më duhet të ngas makinën jetër. Ne kemi një makinë të vogël, një Ford Fusion, që harxhon më pak benzinë.”

Shumica e ngasësve amerikanë po reagojnë me qetësi ndaj shtrenjtimit të karburanteve, pjesërisht për shkak se çmimet nuk kanë arritur ende aq lart sa ishin më 2008, kur nafta kushtonte më shumë se 147 dollarë për fuçi.

Madje edhe një ngritje e madhe e çmimeve mund të mos ketë shumë ndikim në konsumin e karburanteve në Amerikë, thotë Mahmud El-Gamal, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Rajs”.

“Do të duhet që çmimet të jenë të larta për një kohë që njerëzit të ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe që qytetet të strukturohen sipas mënyrës së re të jetesës.”

Problemi është se shumica e qyteteve në Shtetet e Bashkuara, si Hjustoni, shtrihen mbi një fushë të gjerë dhe njerëzit udhëtojnë për punë ose në shkollë nga lagje të largëta.

“Ne po shohim disa prirje urbanizimi, ku nën-urbanizimi që kemi vërejtur gjatë disa dekadave të fundit po ndryshon, por gjërat po lëvizin tejet ngadalë.”

Shkaku i menjëhershëm i shtrenjtimit të naftës janë trazirat në Libi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme që prodhojnë naftë.

Zoti El-Gamal thotë se trazirat, kudo, ndikojnë në çmimin e naftës në mbarë botën.

“Shtetet e Bashkuara në të vërtetë nuk importojnë aq shumë naftë nga Lindja e Mesme; pjesën më të madhe të naftës e marrim nga Kanadaja. Megjithatë, në tregun botëror, furnizimi i përgjithshëm dhe kërkesa e përgjithshme do të përcaktojnë çmimet.”

Çfarë shqetëson zotin El-Gamal nuk janë aq shumë trazirat në Libi, por grindjet në Bahrein, i cili ndodhet pranë rrugëve detare të Gjirit Persik të pasur me naftë.

“Ndërprerja e transportimit të naftës nga Gjiri Persik mund të jetë katastrofike; atëherë do të flitet për 300 dollarë për fuçi, jo më për 120.”

Edhe pse shtetet si Teksasi ende prodhojnë naftë, prodhimi vendas është shumë i ulët për kërkesat e tregut dhe Shtetet e Bashkuara importojnë dy të tretat e naftës që përdorin.

Kjo do të thotë çmime në pompa benzine këtu pasqyrojnë gjëra të tilla si dobësinë e dollarit, i cili përdoret si valutë për çmimet ndërkombëtare të naftës, dhe kërkesën në rritje për naftë në Kinë dhe Indi. Por trazirat në Lindjen e Mesme kanë ndikim më dramatik, madje edhe aludimi më i vogël për ndëprerje të furnizimit nga rajoni i pasur me naftë mund të bëjë që karburantet në SHBA të shtrenjtohen menjëherë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)