AL-Petrol-i dënon punëtorët e vet
Prishtinë, 3 maj - Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë (SPEVZ) ka bërë me dije se kompania AL-Petrol i dënon punëtorët e vet kur gjobitët për moslëshim të kuponit fiskal, edhe pse, sipas Nenit 119, pika e 8 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, secili person është i obliguar ti paguajë tatimet dhe kontributet e tjera të parapara me ligj.
Ai ka treguar se kompania AL-Petrol i dënon punëtorët edhe atëherë kur ata janë në gjumë. Barrën e pagesës së dënimit prej mbi një mijë eurosh nga Inspektorati i Punës, për moslëshim të kuponit fiskal, e kanë bartur punëtorët. Rasti ka ndodhur në Podujevë. Kompania ishte gjobitur, ndërkaq gjobën të ndarë në rata e kishin paguar për tre muaj më radhë tetë punëtorët e kompanisë, e jo pronari, është shprehur Azemi. Ai ka bërë me dije se këtë rast ia kishte përcjellë Nenad Rashiqit, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. I kam thënë se punëtorët e sektorit privat po dënohen edhe atëherë kur ata flenë e lëre më kur janë në proces të punës, ka deklaruar ai.
Azemi ka theksuar se i kujtohet kur rastin e pati lajmëruar në sindikatë një punëtor, por nuk kishte lënë asnjë dokument nga frika se do ta largonin nga puna siç kishin bërë me kolegun e tij. Punëtori ka ardhur te ne por, fatkeqësisht, ska guxuar ta lë një dokument, sepse veçse ishte larguar një koleg i tij nga puna. Unë i di personat që janë dënuar me emër dhe mbiemër. Tek Al-Petroli kemi ende vërejtje sepse një pjesë e madhe e punëtorëve punojnë pa kontrata pune. Ne kemi shkuar dhe kemi kërkuar tu bëhen kontratat e punës, por ka qenë e njëjta situatë, ka thënë kryetari i SPEVZ-it, Jusuf Azemi.