AKP shet edhe 15 ndërmarrje për 6.4 milion euro
Prishtinë, 3 nëntor - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të Valës së 46 të Privatizimit, shpalli fituesit e përkohshëm për Ndërmarrjet e reja, të tenderuara përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt. Gjithsej 15 Ndërmarrje të Reja ishin në dispozicion për shitje.
Dorëzimi i ofertave nga ana e ofertuesve, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve është bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të medieve dhe investitorëve të pranishëm.
Gjithsej janë pranuar 62 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 6.437,109 euro.
Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, znj. Mrika Tahiri njoftoi se deri më tani janë privatizuar 613 ndërmarrje të reja, prej të cilave 588 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt, ndërsa 25 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special.
Nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore deri më tani janë grumbulluar 472 milionë uro, ndërkaq nga procesi i likuidimit me shitje të aseteve të ndërmarrjeve janë grumbulluar rreth 30 milionë uro, theksoi Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, znj. Tahiri.
Agjencia Kosovare e Privatizimit tani është duke punuar që të përfundoj të gjitha shitjet, në pritje të vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.
Përsa i përket shpërndarjes së 20 %, Znj. Tahiri tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, bazuar në strategjinë për përshpejtimin e ndarjes së 20%, të miratuar më parë nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKP-së.
Deri më tani nga fondi i privatizimit, punëtorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore iu janë shpërndarë rreth 30 milionë 4uro, theksoi ajo.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve në investitorë privatë, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ushtron funksionet dhe përgjegjësitë që ka në mënyrë plotësisht të pavarur dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e Kosovës.