AKP shet 28 asete të ndërmarrjeve shoqërore
Prishtinë, 16 qershor - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit 2 përmes këtij procesi ka shitur 28 asete të ndërmarrjeve shoqërore.
Përmes kësaj metode të likuidimit AKP-ja për herë të dytë ka nxjerrë në shitje këto asete të ndërmarrjeve. Drejtor i Departamentit për likuidim në AKP Muharrem Arifi, ka thënë se deri më tash janë privatizuar gjithsejtë 584 ndërmarrje, ku nga shitja e këtyre ndërmarrjeve janë akumuluar mbi 460 milion euro.
Me lejoni të ju njoftoj se deri më datë 31 maj 2010 janë privatizuar 584 ndërmarrje të reja prej të cilave 560 janë privatizuar përmes metodës së spin- off të rregullt, ndërsa 24 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së spin- off special. Nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve shoqërore duke përfshirë shitjet me spin-off dhe me likuidim në fondin e privatizimit janë akumuluar mbi 467 milionë euro, ka theksuar Arifi.
Ai ka shtuar se nga fondi i privatizimit punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore u janë shpërndarë mbi 26.7 milionë euro.
Gjatë likuidimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore ka pas oferta të majme. Një ndër to është shitur toka bujqësore në Vrellë të Lipjanit për 766.555 euro. Ndërsa toka bujqësore në Suhadoll të Lipjanit është shitur për 430 mijë euro.
Shitorja Gërmia në Prishtinë me sipërfaqe prej 281 metra katror është shitur për 283 mijë euro, kurse fabrika e letrës toka Lipjan është shitur për 63 mijë, banesa tre shitore në Ortakoll është shitur për 51 mijë euro.