AKP shet 11 ndërmarrje për 9 milion euro
Prishtinë, 13 prill - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të Valës së 49 të Privatizimit, shpalli fituesit e përkohshëm për Ndërmarrjet e reja, të tenderuara përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt.
Gjithsej nga 11 Ndërmarrje të Reja sa ishin në dispozicion për shitje, janë pranuar 38 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 9.558,841 euro.
Dorëzimi i ofertave nga ana e ofertuesve, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve është bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të medieve dhe investitorëve të pranishëm.
Drejtori menaxhues i AKP-së, z. Shkelzen Lluka, njoftoi se deri më tani janë privatizuar 636 ndërmarrje të reja, me të hyra totale prej 517 milionë uro, ndërsa nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore përmes metodës së likuidimit janë grumbulluar rreth 33 milionë euro.
Lluka tha gjithashtu se Agjencia është e fokusuar në përshpejtimin e procesit të likuidimit të ndërmarrjeve, me çka do të përfitoj edhe ekonomia e Kosovës. Sipas tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit tani është duke punuar që të përfundoj të gjitha shitjet, në pritje të vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.
Drejtori menaxhues, Shkelzen Lluka tha se Agjencia po punon me përkushtim të plotë në përmbushjen e qëllimeve në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Lluka drejtori menaxhues falënderoi investitorët që me injektimin e kapitalit privat, në mënyrë të vazhdueshme po japin kontribut konkret në zhvillim të vendit përmes privatizimit, si dhe forcimin e sektorit privat në Kosovë, që aktualisht është forca shtytëse e zhvillimit të ekonomisë kosovare.
Gjithashtu, Lluka falënderoi edhe mediat, që në mënyrë të palodhshme e përcjellni gjithë punën e Agjencisë së Privatizimit dhe po mundësojnë transmetimin e transparencës tek opinioni.