AKP privatizon 10 ndermarrje për 6 milion euro
Nga 16 ndërmarrje të reja me spin-off të rregullt qe kanë qenë në tender vetëm për 10 ka pas oferta, ndërsa për 6 ndërmarrje nuk ka pas asnjë ofertë dhe për këtë tash vendos Bordi i AKP-së. Vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 6,333,425 euro.
Në mesin e ndërmarrjeve që nuk ka pas asnjë ofertë ka qenë edhe Llamkosi nga Vushtrria, i cili pas dështimit të privatizimit të parë ka dalë prapë në tenderim.
Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri, ka thënë se deri më tash janë privatizuar 576 ndërmarrje dhe nga ky privatizim në konton e AKP-së janë derdhur mbi 464 milionë euro.
Deri më 30 prill të këtij viti janë privatizuar 576 ndërmarrje të reja prej të cilave 552 janë privatizuar me metodën e spin-off të rregullt, ndërsa 24 prej tyre përmes metodës së spin-off special. Privatizimi i këtyre ndërmarrjeve shoqërore së bashku me shitjet dhe mënyrën e likuidimit në konton e mirëbesimit janë akumuluar mbi 464 milionë euro. Dëshiroj të ju njoftoj se nga ky fond i privatizimit punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore iu janë shpërndarë mbi 26 milionë euro, ka theksuar Tahiri.
Çmimin më të lartë gjatë këtij raundi të privatizimit e ka arritur ndërmarrja e re Morava e Binçës-Gurthyesi nga Gjilani, e cila është shitur për 2.345.678 euro, ndërsa ndërmarrja e re Pasuria Bujqësore- toka Rahovicë është shitur për 222.500 euro.
Ndërmarrja e re Rilindja Libraria Istog është shitur për 51.150 euro, ndërsa ndërmarrja e re Shitorja Mulliri Ferizaj është shitur për 22.220 euro, Mulliri-shitoret Fushë Kosovës është shitur për 36.001 euro.
Ndërmarrja ndërtesa administrative Ekonomia Pyjore është shitur për 355.555 euro, ndërsa ndërmarrja e re punëtoria Ilira është shitur për 223.223 euro, kurse ndërmarrja e re Shtëpia e Mallrave Agimi është shitur për 2.111.999 euro. Të gjitha këto ndërmarrje janë nga regjioni i Pejës.
Në regjionin e Prizrenit janë privatizuar ndërmarrja e re Koretniku-hotel Sharri Sharr për 465.100 euro dhe ndërmarrja e re Liria -Depoja e Tekstilit është shitur për 499.999 euro.
Për 6 ndërmarrje nuk ka pas asnjë ofertë dhe për këtë çështje do të vendosë Bordi i AKP-së. Ndërmarrjet që nuk kanë pas asnjë ofertë janë ndërmarrja e re Llamkos, Çyçavica Shitorja Metrazha, Universal Qendra Tregtare dhe Universal Depoja, të gjitha këto në regjionin e Mitrovicës. Po ashtu për ndërmarrjen Fryti nga regjioni i Prishtinës dhe për ndërmarrjen e re Strezovci dhe Oborri nga regjioni i Gjilanit nuk ka pas asnjë ofertë.
Agjencia Kosovare e Privatizimit tani është duke punuar që të përfundoj të gjitha shitjet, në pritje të vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.
Agjencia, deri më 30 Prill të këtij viti ka privatizuar 576 ndërmarrje të reja, prej të cilave 552 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt, ndërsa 24 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special. Nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve shoqërore në Fondin e Privatizimit janë akumuluar mbi 460 milionë euro.