AKP mbledhe edhe 4.4 milion euro
Prishtinë, 20 korrik - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 8, përmes metodës së Likuidimit shpalli fituesit e përkohshëm për Asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave dhe investitorëve të pranishëm, si dhe është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë edhe për të gjithë qytetarët e interesuar që skanë qenë të pranishëm në sallë.
Gjithsej janë pranuar 42 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 4.436, 994 uro.
Zyrtari i lartë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Arlind Limani, njoftoi se deri më tani përmes procesit të shitjes së aseteve me metodën e likuidimit janë përfunduar 183 shitje të aseteve.
Limani tha se në Fondet e Mirëbesimit janë grumbulluar gjithsej 556 Milionë Euro, 522 mln. Euro nga privatizimi, kurse nga shitja e aseteve janë mbledhur mbi 34 mln. Euro.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve privatë -blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ushtron funksionet dhe përgjegjësitë që ka në mënyrë plotësisht të pavarur dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.