AKP mbledh afër 10 milion euro nga shitja e NSH-ve
Prishtinë, 16 nëntor - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të valës 53 të privatizimit dhe shitjeve nr. 10 përmes metodës së Likuidimit shpalli fituesit e përkohshëm për Asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për Valen 53 të privatizimit gjithsej janë pranuar 85 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 6.723, 887 euro.
Për shitjen përmes Likuidimit 10 gjithsej janë pranuar 58 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 3.049, 117 euro.
Zëvendës drejtoresha menaxhuese e AKP-së, znj. Mrika Tahiri, e cila e bëri hapjen zyrtare të ceremonive të hapjes së ofertave për Valën 53 të privatizimit dhe për shitjet e aseteve përmes likuidimit nr.10, tha se mbajtja e këtyre dy valëve të shitjeve në një ditë është tregues se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe i aseteve të tyre po vazhdon suksesshëm përpara, duke i falënderuar investitorët që me pjesëmarrjen e tyre në procesin e privatizimit po e ndihmojnë ekonominë e Kosovës.
Tahiri njoftoi se Vala 53 e privatizimit dhe shitjet e aseteve përmes likuidimit nr.10 janë shitjet e fundit të AKP-së për këtë vit, duke përmendur më pas se gjatë vitit 2011 Agjencia ka zhvilluar 6 Valë të privatizimit dhe 5 shitje përmes likuidimit.
Në total, deri më tani janë shpallur 53 valë të privatizimit, janë privatizuar 306 Ndërmarrje Shoqërore dhe janë krijuar 676 Ndërmarrje të Reja.\"
Ndërkaq përmes shitjeve me likuidimi deri më tani janë privatizuar 232 asete. Nga privatizimi janë grumbulluar 550 milionë euro. Ndërsa nga shitja e aseteve 45 milionë euro. Gjithsej në Fondet e Mirëbesimit janë mbledhur 595 milionë euro, tha zëvendës drejtoresha menaxhuese e AKP-së.
Ndërkaq përfitimet e punëtorëve nga pjesa e 20 % që u takojnë atyre, znj. Tahiri tha se kanë arritur shumën rreth 48.5 milionë euro.