AKP lansoi sot projektet individuale të privatizimit
Prishtinë, 19 prill - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) lansoi sot projektet individuale të privatizimit të ndërmarrjeve të reja atraktive: Fabrika e Baterive Trepça dhe Hotel Onix Banja e Pejës.
Në një konferencë me media të organizuar me këtë rast nga AKP, në praninë e përfaqësuesve të ministrive të Qeverisë së Kosovës dhe të përfaqësuesve të Odave Ekonomike që operojnë në Kosovë, drejtuesit e AKP-së thanë se tenderët për këto dy ndërmarrje publikohen në nivel ndërkombëtar dhe ndaras nga valët e privatizimit, kanë data individuale të publikimit, ekipe individuale për menaxhimin e projektit dhe kushte të veçanta të parakualifikimit.
Zëvendës drejtoresha menaxhuese e AKP-së, znj. Mrika Tahiri tha se në vazhdën e përpjekjeve për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj AKP ka dal më këtë strategji të re, duke shfrytëzuar Menaxhim Alternativ të Tenderit për një numër të ndërmarrjeve të përzgjedhura ku përfshihen edhe këto dyja FBI dhe Hotel Onix Banja e Pejës, duke u bazuar në potencialin dhe nevojën e tyre për një bashkëveprim më të fokusuar me investitorin.
Znj. Tahiri tha se metoda e shitjes do të jetë metoda e spin ofit të rregullt, pas procedurave të tenderit të hapur dhe konkurrues.
Për këto Ndër. të Reja do të ketë edhe afat më të gjatë për hulumtim paraprak, pasi që reagimet e pranuara nga përpjekjet paraprake të privatizimit të disa Ndërmarrje Shoqërore të mëdha theksonin nevojën për periudhë më të gjatë për një gjë të tillë, do të ketë kohë të mjaftueshme për aprovime interne të investitorit dhe sigurimin e mjeteve, theksoi zëvendës drejtoresha menaxhuese e AKP-së.
Një komponent tjetër, sipas znj.Mirka Tahiri, janë Pyetjet dhe Përgjigjet dhe Vizita në vend, që është e njohur si konferenca e investitorëve, që iu siguron të gjithë investitorëve mundësi të barabarta për të marr informata për ndërmarrjet. Ajo tha se i tërë cikli nga data e publikimit deri tek dorëzimi i ofertave parashihet të jetë 90 ditë, duke iu dhënë kohë më të gjatë investitorëve për hulumtime paraprake.
Ndërsa drejtori menaxhues i AKP-së, Shkëlzen Lluka, tha gjatë konferencës se tenderët janë të hapur dhe transparent, ndërsa është tregu ai që e përcaktoj vlerën e këtyre ndërmarrjeve.
Lluka tha më pas se blerës të këtyre ndërmarrjeve do të shpallen vetëm ata investitorë që plotësojnë kushtet specifike të parakualifikimit, e që për Banjën e Pejës kërkohet qarkullim deri 3 milionë euro për 3 vitet e fundit dhe gjithashtu kërkohet ekspertizë të stafit menaxheria së paku 10 vite në këtë fushë.
Ndërsa për Fabrikën e Baterive Industriale kusht është të ketë së paku 5 vite në prodhimtari industriale dhe staf profesional së paku 10 vite përvojë në këtë fushë. Gjithashtu, përveç plotësimit të këtyre kushteve, blerësi i shpallur duhet të ketë edhe ofertën më të mirë konkurruese, ndërsa vazhdimi i të njëjtës veprimtari në ndërmarrjen e privatizuar do të jetë kush për investitorin e ri për periudhë kohore së paku 3 vite.
Agjencia do të bashkëpunoj me Agjencinë për Promovimin e Investimeve dhe me Odat Ekonomike që veprojnë në Kosovë, në përpjekje që të informohen dhe tërhiqen sa më shumë investitorë të jashtëm me investime të kapitalit të tyre në Kosovë, theksoi drejtori menaxhues, z.Lluka, për të shtuar se tenderët pritet të shpallen prej ditës së nesërme (datë 21 prill 2012) edhe në media me renome në mbarë botën, siç është revista The Economist.
Drejtuesit e AKP-së thanë se e tërë pakoja tenderuese, dhe dokumentarët, që është pjesë e pakos së marketingut janë bazuar në historiatin e këtyre dy ndërmarrjeve, në aktivitetet e tyre të tanishme dhe në potencialin, bazuar në hulumtimet e asistencës teknike që AKP ka nga Komisioni Evropian.
AKP shpreson në partneritetin e Odave dhe Institucioneve shtetërore, në mënyrë që të arrihen investitorë strategjik që do të zhvillojnë këto ndërmarrje, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Agjencia do të bashkëpunoj me Agjencinë për Promovimin e Investimeve dhe me Odat Ekonomike që veprojnë në Kosovë, në mënyrë që të informohen dhe tërhiqen sa më shumë investitorë të jashtëm me investime të kapitalit të tyre në Kosovë.
Ndërmarrjet e reja: Fabrika e Baterive Trepça dhe Hotel Onix Banja e Pejës, kanë asete atraktive me infrastrukturë tejet të përshtatshme dhe ndodhen në lokacione pothuajse ideale. Fabrika e Baterive ka potencial të konsiderueshëm për rritje në tregun e baterive industriale (trakciale dhe stacionare) dhe nën-prodhimet e tyre.
Ndërsa Hotel Onix Banja e Pejës tashmë ofron kombinim të mjekimit natyral me fizioterapi, hidroterapi, elektroterapi, pako mjekësore dhe masazh, e cila shfrytëzon ujin e ngrohtë nga burimi unik termal që besohet të ketë fuqi shëruese dhe nuk ka konkurrencë në Kosovë.
Gjatë kësaj konference, AKP lansoi edhe dy dokumentarë të shkurtër mbi historinë dhe potencialin e këtyre dy ndërmarrjeve, të cilat do të transmetohen gjatë periudhës së ardhshme për investitorët e mundshëm.