27 Dhjetor 2024

AKP-ja e regjistron “Grandin” si biznes të vetin

Prishtinë, 12 korrik - Agjencia Kosovare e Privatizimit zyrtarisht i ka rikthyer në pronësi asetet e hotelit “Grand”.

Pas vendimit të Bordit të Drejtorëve për tërheqje të aksioneve si pasojë e mosplotësimit të kushteve të kontratës nga ana e blerësit të “Grandit”, AKP-ja ka ndjekur procedurat ligjore për kthimin e aksioneve.

“Vendimi për kthimin e aksioneve tashmë është jetësuar. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si institucion i vetëm përgjegjës për regjistrimin e bizneseve në Kosovë, ia ka lëshuar AKP-së certifikatën e regjistrimit të biznesit dhe aksionet e hotelit ‘Grand’ tani janë të regjistruara në emër të AKP-së”, ka thënë të mërkurën Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë së Privatizimit.

Ndryshimi i emrit të pronarit në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit më datë 29 qershor, është shoqëruar edhe me aktivitetet e këtij hoteli. Sipas të dhënave nga faqja elektronike e ARBK-së, përveç aktiviteteve kryesore hoteliere, kompania e re “Grand Hotel” bën edhe dhënien me qira të pasurisë së patundshme, ndërtimin e lartë dhe të ulët, tregtinë e automjeteve motorike, si dhe dhënien me qira të automobilave.

Sipas Kaloshit, pas marrjes së certifikatës së biznesit prej Agjencisë së Regjistrimit të Biznesit, AKP-ja i ka dërguar njoftim me shkrim ish-blerësit të hotelit “Grand”, nga i cili është kërkuar që brenda 15 ditësh të bëjë lirimin e objektit.

“Përderisa nuk kemi ndonjë urdhër apo vendim nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, që nënkupton ndalesë për privatizim, AKP-ja ka obligim ligjor që të vazhdojë procesin e kthimit të objektit nën menaxhim të AKP-së dhe procesin në vazhdim, dhe këtë do ta bëjë në afatin optimal”, ka theksuar Kaloshi.

Sipas tij, AKP-ja u ka bërë thirrje blerësve të ndërmarrjeve shoqërore që janë privatizuar me kushte të caktuara t’i respektojnë kontratat e nënshkruara me vullnetin e tyre.

“Në përputhje me Ligjin, AKP-ja do të ndërmarrë masa ndaj tyre dhe nuk do të lejojë të manipulohet procesi, të dëmtohen ndërmarrjet dhe ekonomia e vendit”, ka vlerësuar Kaloshi.

Por, ish-blerësi i hotelit “Grand”, Zelqif Berisha, ka thënë se është kërkuar nga Agjencia e Privatizimit që të presë në zbatimin e këtij vendimi deri në publikimin e qëndrimit të gjykatës për procesin e rikthimit të aksioneve të këtij hoteli.

“Kemi bërë ankesë. Kemi kërkuar një masë të përkohshme në mënyrë që mos ta lirojmë objektin derisa të përfundojë çështja e gjyqit. Nuk e di pse po frikohet AKP-ja, ‘Grandi’ nuk ka nga të ikë”, i ka thënë gazetës Berisha.

Ai ka thënë se ky është edhe qëndrimi i punëtorëve dhe sindikalistëve të këtij hoteli. Ndërrimi i pronësisë së “Grandit”, sipas Berishës, është bërë në mënyrë të paligjshme.

”AKP-ja e ka ndërruar vetëm certifikatën. Këtu është bërë shkelje dhe do të kërkojmë interpretim nga Agjencia Antikorrupsion. Certifikata ndryshohet ose me marrëveshje, ose me vendim të Gjykatës. ‘Grandi’ me tapi nuk i takon AKP-së”, ka thënë Berisha.

Ai ka vlerësuar se AKP-ja nuk e ka të drejtën e largimit të dhunshëm të stafit me ndihmën e Policisë. Sipas tij, ky institucion ka të drejtë vetëm të bëjë kërkesë për tërheqje, por jo edhe ta ekzekutojë tërheqjen.

“Kemi kërkuar të bëjmë një marrëveshje, që derisa të merret vendimi i gjykatës të mos bëhen ndërhyrje. Ai që i ka bërë shkeljet është shteti. Kemi kërkuar prej Dhomës së Posaçme vlerësim të shkallës së dytë, meqë shkallën e parë e kemi refuzuar. Aty i kemi kryer rreth 22 milionë euro investime përfshirë edhe blerjen”, ka thënë Berisha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)