AKB organizon Ditët e biznesit kosovar në Mal të Zi
Prishtinë, 25 qershor - Aleanca Kosovare e Biznesit organizon Ditët e biznesit kosovar në Mal të Zi prej 27 deri më 29 të këtij muaji.Ky aktivitet synon të promovojë prodhimet vendore në Mal të zi dhe mbështetet nga Agjencia për promovimin e investimeve dhe komuna e Ulqinit.
Rreth 20 kompani vendore do të prezantojnë prodhimet e tyre për tri ditë me radhë në komunën e Ulqinit. Përmes këtij aktiviteti promovues, AKB-ja synon të rrisë konsumimin e produkteve kosovare në atë shtet, duke shfrytëzuar edhe praninë e turistëve.
Kreu i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për media tha se synojnë të krijojnë edhe partneritet me afaristët e Malit të zi me qëllim të rritjes së eksporteve kosovare në atë vend:
AKB-ja ka synim ta promovojë Kosovën si brendi më i ri në botë dhe potencialet e saj ekonomike për eksport por që janë të pashfrytëzuara. Kosova ka eksport rreth 3 milionë, dhe import rreth 13 milionë nga Mali i zi, dhe qëllimi i këtij projekti është të rriten shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, tha Shahini.
Kryeshefi i agjencisë për promovimin e investimeve, Mustafë Hasani, tha se MTI-ja është fokusuar veçanërisht në promovimin e investimeve dhe të eksporteve.
Qëllimi i ditëve të biznesit kosovar në Mal të zi është për promovimin e produkteve vendore, për mundësinë e rritjes së partneriteteve të reja, hulumtimin e tregut dhe gjetja e mundësive që bizneset tona të plasojnë produktet e tyre në këtë shtet, tha Hasani.
Zyrtarët e AKB-së theksuan se tashmë janë eliminuar të gjitha barrierat jotarifore që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Njëkohësisht prodhuesit vendorë shpesh e përdorin atë si vend transit, për të eksportuar prodhimet e tyre në shtetet tjera, si një Bosnjë Hercegovinë, e cila vazhdon të bllokojë prodhimet nga Kosova.