Agjencia e Metrologjisë e Kosovës pranohet si anëtare në Organizatën Evropiane
Prishtinë, 13 maj - Agjencia e Metrologjisë e Kosovës nga sot u bë anëtare e asociuar në Organizatën Evropiane Bashkëpunimi Evropian për Metrologji Ligjore (WELMEC). Për këtë anëtarësim u vendos në takimin e 32-të të Komitetit të WELMEC-ut të mbajtur në Helsinki të Finlandës.
WELMEC është organizatë e Metrologjisë e cila ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve për avancimin e metrologjisë ligjore. Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm për Agjencinë e Metrologjisë që funksionon në kuadër të MTI-së dhe do të ndihmoj atë në zhvillimin e mëtejmë të metrologjisë në Kosovë. Anëtarësimi në këtë organizatë është paraparë edhe me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim. Kosova është anëtarja e 38-të e kësaj organizate.
Nga ky anëtarësim, Agjencia e Metrologjisë e Kosovës do të ketë përfitime, ku do të mund të mësojë nga praktikat e mira nga analizat e rasteve të ndryshme që performohen në grupet punuese të organizatës; të zhvillojë më tej profilin e Metrologjisë Ligjore; të marrë mbështetje në zbatimin e Rregullores 764/2008/EC për njohje reciproke; të marrë mbështetje për harmonizimin e aktiviteteve të metrologjisë ligjore me praktikat e vendeve tjera; të përmirësojë shkëmbimin e të dhënave me shtetet tjera, p.sh. përmbushja e obligimeve të kërkuara nga dy direktiva relevante të BE-së, e para për Instrumente Matëse (MID) dhe e dyta për instrumentet matëse jo-automatike (NAWI); të marrë mbështetje në zbatimin e Direktivës 2006/123/EC për shërbimet në tregun e brendshëm, si dhe të sigurojë mbështetje në përgatitjen për anëtarësim të plotë në EURAMET dhe WELMEC.
Anëtare në organizatën WELMEC janë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet anëtare të EFTA-s, ndërsa të gjitha vendet e rajonit të cilat kanë nënshkruar MSA-në janë anëtare të asociuara.