Afaristët nga Franca të interesuar për të zgjeruar aktivitetet në Kosovë
Prishtinë, 29 mars - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim afaristin nga Franca, Pascal de Pingon, përfaqësues i kompanisë Accor Hotels dhe Roger Forneris, Drejtor i Projekteve në Aeroportin e Lyonit, të cilët ishin të shoqëruar nga Kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Fadil Hoxha.
Temë takimi ishte mundësia e investimeve në Kosovë, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
Ministrja Bajrami i informoi afaristët rreth reformave që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe krijimit të lehtësirave për investime.
Ministrja Bajrami, po ashtu, informoi afaristët edhe për mundësitë që ofron Ligji për Investime Strategjike në krijimin e investimeve të reja në Republikën e Kosovës.
Në anën tjetër, afaristët nga Franca falënderuan ministren Bajrami për pritjen dhe u shprehën se Kosova ofron mundësi shumë të mira për investime dhe se ata janë të interesuar për të zgjeruar aktivitetet e tyre në Republikën e Kosovës.