Afaristë nga Kosova marrin pjesë në panairin e Zagrebit
Zagreb, 24 shtator - Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK), të prirë nga këshilltari i ministrit të MTI-së, Zylbehar Hasallari, e të shoqëruar edhe nga përfaqësues të biznesit të Kosovës po marrin pjesë në panairin International Zagreb Autumn Fair 2010.
Në panair, përfaqësuesit e MTI-së dhe APIK-ut po promovojnë para kompanive kroate dhe kompanive tjera pjesëmarrëse klimën e favorshme për investime që ekziston në Kosovë, duke prezantuar procedurat e lehta për regjistrimin e bizneseve, taksave të ulëta, qasjes së lehtë për depërtim në tregun evropian, si dhe harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me vendet e BE-së.
Ndërkaq, kompanitë kosovare janë duke vënë kontakte me kompanitë kroate dhe kompanitë tjera, me qëllim të arritjes së bashkëpunimit të ndërsjellë.
Si resurs me rëndësi të veçantë dhe atraktiv për të investuar në Kosovë është spikatur mosha mesatare më e re e popullatës së Kosovës në rajon e më gjerë. Njëkohësisht kompanive pjesëmarrëse në këtë panair u është prezantuar Kosova si fushë atraktive për investime sidomos në sektorin e energjisë, minierave dhe mineraleve, ITC-së, bujqësisë, etj,,.
Në panair po marrin pjesë kompani nga 30 shtete si: Austria, Kina, Indonezia, Egjipti ,Italia, Japonia, Kanadaja, Sllovenia, Turqia, Britania e Madhe, Zvicra etj., të cilat prezantojnë sektorin e energjetikës, teknologjisë, multimedia, shërbimeve të përgjithshme, si dhe është duke u prezantuar edhe projekti Mystic, ku paraqiten potencialet e ekonomisë së Kroacisë.
Panairi ka filluar me 22 shtator dhe do të jetë i hapur deri me 26 shtator 2010.