08 Janar 2025

Zot shpëtoje vendin tonë

Shkruar nga Gani Qarri

Siç është tanimë e njohur për publikun e gjerë, dialogu me Serbinë në Bruksel edhe pse i ndërmjetësuar nga BE, ai tash e tri vite me radhë, me vet pëlqimin e palës kosovare zhvillohet, pothuajse tërësisht vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe përzierjen në rregullimin e brendshëm të saj.

Helmut Schmidt,(1918-2015) kancelari që sapo ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare, thuhet se shquhej jo vetëm për politikë, por edhe për publicistikë e filozofi.

Megjithëse ai sa i takon çështjes së Kosovës, për të cilën SHBA dhe NATO, në mars të vitit 1999, intervenuan me forcat e tyre ajrore,  do të deklaronte, se kinse; “Të udhëhequr nga SHBA, kanë thyer të drejtat ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara,” në kohën kur ai ishte kancelar, Gjermania përjetoi zhvillim të hovshëm si në ekonomi ashtu edhe në të gjitha fushat tjera.

Por me gjithë aftësitë e mëdha drejtuese dhe sukseset e pamohuara në qeverisje, atëbotë, mediat siç e thotë edhe vet, me vetëdije, mbulonin dobësitë e tij dhe zmadhonin të arriturat në përmasa të pabesuara.

Ndaj, personalisht i pa-pajtuar asnjëherë me veprimet e tilla jo realiste, në një lexim të kohëve të fundit, të cilin e ofruan të filmuar televizionet gjermane, ish kancelari për sjelljet e  pahijshme të medias, thotë:   

\"Dobësitë mi mbuluat në mënyrë shumë të rafinuar, kurse lavdinë ma zmadhuat në mënyrë tejet të tepruar \"

Po në gjendjen çfare e kanë sjellë sot, qeveritarët tanë Kosovën, është e pamundur, që njeriu të mos pyes se çka mund të thonë politikanët e tillë nesër, në shërbim të të cilëve ,janë vënë shumica e mediave të shkruara dhe audio-vizive, kur kihet parasysh mjerimi udhëheqës dhe korrupsioni e kriminalizimi i politikës që ka goditë kaq pamëshirshëm mbi popullin dhe vendin tonë.

Mbi Kosovën e mjerë, me politikanët më të shantazhuar në Ballkan dhe Evropën gjithandej.

Emra të lakuar sa e sa herë nëpër mediat e huaja me kushedi sa dosje në sirtar,të cilët ndoshta përditë kërcënohen me shpalosjen e tyre, ndaj dhe pranojnë e nënshkruajnë çdo gjë që u vihet përpara, mbi tavolinën e “bisedimeve”, për shpëtimin e prapanicës së vet.

Nga gjendja që po kalon vendi dhe faktet e cekura e të pacekura në tërësi, krijohet bindja se përveç parave të majme dhe kërcënimeve të mundshme, nuk ka asnjë arsye të shëndoshë, që edhe më tej, mediat e shitura e të manipuluara si dhe ato të mirë-paguara , të bëjnë ende kaq shumë punë të “palodhshme” për t`ua mbuluar atyre tradhtitë e dyshuara, dështimet e gjithanshme dhe dobësitë e panumërta, në mënyrë aq të rafinuar si dhe fryjnë lavdinë artificiale në mënyrë kaq të ekzagjeruar, e të shkojnë deri aty, sa që ti shpallin ata edhe “heronj” e burra “të pazëvendësueshëm të kombit”!?

Derisa në kohën e tragjedisë që kishte pllakosur popullin dhe vendin tonë, SHBA dhe NATO, të vetëdijshëm për pengesat që do të nxirrnin Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, anashkaluan edhe OKB, për të intervenuar e ardhë në ndihmë popullit shqiptar dhe shpëtimit të tij, në Kosovën e pushtuar nga barbaritë serbe, heronjtë e vetëshpallur të “fitores në pjatë”, sot shesin kaq lirë dhe pa asnjë dhembje njerëzore as kombëtare tokat e Kosovës dhe krijojnë gangrena e organizma të paqena kanceroze me fuqi vendimmarrëse, kushtetuese dhe ligjore, brenda trupit të tkurrur të shtetit tonë, edhe ashtu të zvogëluar deri në minimum.

Paramendojeni vetëm krijesën fantazmë të njohur si “zajednica” serbe, e cila po u aprovua në Kuvend, sapo të marrë edhe bekimin ligjor, ajo pa vonesë dhe me siguri të 100%, menjëherë do të shndërrohet në gangrenë antishqiptare, do të stërkeqet shpejt dhe kthehet rrufeshëm në rrezik të përhershëm shtetëror për Kosovën si “kalë troje” i Serbisë brenda territorit tonë kombëtar e shtetëror.

Këtë e di mirë edhe zonja Ulrike Lunaqek e cila jo vetëm se u pajtua plotësisht me vendimin për pezullim të përkohshëm por edhe shtoi tërësisht e bindur se nëse vendos Gjykata Kushtetuese, atëherë duhet të ndryshohen pjesët e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën, pikërisht ato vazhdon ti mbrojë dhe mbështes me këmbëngulje qeveria!?.

Madje z.Lunaqek shkoi edhe më larg kur deklaroi se edhe për atë personalisht, mbete problematike, sidomos pjesa e marrëveshjes në të cilën thuhet se vetëm serbët mund të emërohen në pozita të caktuara udhëheqëse, gjë që edhe me ligjet e BE-së, nuk guxon të ndodhë në një vend \"multi\" etnik, siç vazhdon të cilësohet Kosova.

Por kështu dhe kaq qartë ende nuk janë shprehur edhe qeveritarët e shantazhuar të Kosovës, ata, deklarojnë se duan gjithsesi ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë!

Kujtojeni vetëm faktin e përsëritur, të cilin e kemi mësuar disa herë nga përvoja e hidhur e historisë së luftërave të mëhershme ballkanike, se si Serbia edhe kishat e manastiret ortodokse në Kosovë i shndërroi në baza agjenturore dhe zyra strategjike ushtarake, për pushtimin e tokave tona.

Ndaj, çfarë poligoni ushtarak dhe shtrirje agjenturore do të rrjetëzoj ajo në Veriun e vendit, sapo të aprovohet në Kuvend “zajednica” dhe i gjithë veriu i vendit mbetet nën sundimin alien të saj.

Por përkundër të gjitha dështimeve të shumanshme, korrupsionit, mosfunksionimit të gjyqësorit, kapjes së sistemit të drejtësisë, skandalet në arsim e universitete, nepotizmit në administratë e diplomaci, emigrimit masiv dhe varfërisë së pafund e deri te shitja mijëra hektarëshe e tokave tona në emër të demarkacionit me shtetet fqinje dhe federalizmin e brendshëm me republika serpska si “zajednica”, dhe krijesa kurrë të paqena as në kohën e krajlave dhe komunizmit jugosllav, që nën udhëheqjen e Qeverisë Thaçi, i erdhën si “dhuratë” Kosovës, as pas dështimit në UNESCO dhe pezullimit të \"zajednicës\" nga Gjykata Kushtetuese, asnjë nga këto fakte të turpshme nuk u kthyen në shembuj vetëdijesimi për ta që më në fund, si pushtetar të dështuar, të japin dorëheqje, por në arrogancë të paturp,për vazhdimin e qeverisjes makabre, kundër së cilës ka filluar të shprehet hapur edhe diplomacia perëndimore, ngase edhe 15 vite pas çlirimit, nuk po e lënë këtë vend të shohë dritë dhe kthehet normalitetit.

Pra, derisa edhe njohësit vendor të zhvillimeve politike por edhe ata evropian e ndërkombëtar si z.Lunaqek, me të drejtë vlerësojnë se sjellja e Serbisë është jashtë çdo logjike të përmbajtjes së marrëveshjeve të Brukselit, vetëm politikanët e shitur e të shantazhuar shqiptar, ende nuk duan të kuptojnë asgjë, madje as tradhëtit e mundshme që ata me apo pa vetëdije i shkaktuan këtij vendi dhe dështimet e një pas njëshme, me të cilat e sollën Kosovën në këtë gjendje.

Madje, për çudi, njerëz të tillë, nga të cilët po i zihet fryma Kosovës, kanë fytyrë dhe guxim që edhe më tej të deklarojnë me këmbëngulje se pa marrë parasysh pasojat që i kanë shkaktuar vendit, përfshi demarkacionet e dyshimta me vendet fqinje dhe pjelljen e republikës serbe si “zajednica” brenda territorit tonë, me çdo çmim, do ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë.

Edhe po të mos kishte ndodhur fare, falja apo ndoshta edhe shitja e dhjetëra mijëra hektarëve tokë FYROM-it,si dhe Malit të Zi, ata të paktën në këto momente dështimi dhe turpërimi para vendorëve dhe ndërkombëtarëve, vet duhet t`ia vejnë gishtin kokës dhe të mendojnë seriozisht se për çfarë arsye,në të vërtetë i duhet medoemos Serbisë e ashtuquajtura “zajednic” në Kosovë, kur dihet se serbët edhe ashtu kanë aq shumë të drejta të pakufizuara, sa jo vetëm pakicat tjera por edhe vet populli shumicë shqiptar në vendin tonë nuk i ka.

Për çka tjetër do ti nevojitej Serbisë, kjo krijesë e paqenë asnjëherë në veriun e vendit tonë, ku serbët do ta kenë të vetëm pushtetin absolut, përpos shndërrimit të kësaj pjese të atdheut të tkurrur të shqiptarëve, në një bazë të madhe agjenturore e ushtarake serbe brenda territorit të Kosovës, për ripushtimin e tërë vendit tonë edhe ashtu të vogël, në një të ardhme të mundshme.

Ndaj pas dështimit për pranim në UNESCO, përveç pezullimit të përkohshëm të “zajednicës”, Kosova përveçse ka nevojë që ti ndalojë menjëherë bisedimet, ajo duhet edhe ti rishikojë urgjentisht të gjitha marrëveshjet e deritanishme me Serbinë, të cilat jo vetëm se në masën më të madhe nuk ishin fare bilaterale, por pothuajse tërësisht,ato u zhvilluan për çështjet e brendshme të Kosovës.

Sjelljet arrogante të udhëheqësve më të lart serb, janë në kundërshtim të plotë edhe me parimet e integrimeve evropiane. Ata jo vetëm pengojnë integrimin e Kosovës, kudo që munden dhe arrijnë, por vazhdimisht edhe dirigjojnë se për çfarë duhet të bisedohet.

Madje, duke shfrytëzuar paditurinë dhe shantazhin e udhëheqësve të frikësuar kosovar, udhëheqësit serb nuk lejojnë pothuajse asnjëherë, futjen në agjendë të çështjeve bilaterale që do ti shërbenin edhe popullit të Kosovës dhe njohjes reciproke me Serbinë.

Për aq më keq, përpos humbjes së shumë territoreve, nuk ka asnjë shembull tjetër në rajon e më gjerë, si vendi ynë, të ketë edhe “zajednica” apo asociacione njëetnike, brenda vetes si shtet “multietnik”, siç vazhdon të cilësohet (padrejtësisht) Kosova.

Madje Serbia, Mali Zi as FYROM, nuk u kanë dhënë kurrfarë autonomie as asociacioni, pakicave shumë më të mëdha, në shtetet e veta, si bullgarët, turqit apo grekët sado qoftë numri i tyre, përfshi edhe shqiptarët si populli numër dy në FYROM, pas “popullit shtetformues” sllavomaqedon.

P.sh. në Serbi, përveç shqiptarëve, puna e të cilëve, kudo ende vazhdon të mbetet tabu dhe trajtohet si “sui generis” as myslimanët e Sanxhakut, kroatët, hungarezët, rumunët, romët e shumtë apo edhe bullgarët në trevat kufitare me Bullgarinë etj., nuk kanë kurrfarë asociacioni, në formë as përmbajtje me “zajednicën” serbe në Kosovë.

E duke pasur parasysh orekset e sëmura okupuese serbe, agresioni i Serbisë mbi vendin tonë, nuk mund të përjashtohen fare as në të ardhmen, kështu që pikërisht në zonën veriore të sunduar nga “zajebnica” e saj, ajo me siguri për fillim, parasheh krijimin e heshtur të agjenturave policore e më vonë edhe përgatitjen e hapur të terrenit për vendosjen e furishme të bastioneve ushtarake, por jo shndërrimin e saj, assesi në “fushë pajtimi” ndërmjet të dy popujve apo zhvillimin e atraksioneve ndërshtetërore sportive, aty.

Për fat të keq edhe Tom Yozdgerd, drejtor i departamentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, në emisionin “Ora e Bugajskit”, transmetuar nga RTK, tha se kur flitet për Serbinë, duhet të kihet parasysh, kisha, “historia” etj,mirë or i uruar, po ç`histori na paskan melezët sllavo maqedonë, të cilët nuk u japin jo vetëm asociacion por as të drejtat minimale,kombëtare e njerëzore, popullit autokton shqiptar atje, apo edhe pakicave bullgare, rome, turke e greke, kur dihet se FYROM, u krijua nga Tito,pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka kurrfarë historie të njohur, përveç asaj që vjedhë nga popujt fqinj.

Ndaj, është vërtetë e pakuptueshme se, për çfarë  arsye vetëm Kosova, përkundër humbjes së aq shumë territoreve që nga Nishi e Toplica dhe Sanxhaku deri dje shqiptar, sot edhe brenda kufijve të tkurrur të këtij pak territori të vizatuar pa dashjen tonë, u dashka patjetër të krijoj edhe një “zajednicë” serbe për bllokimin total të funksionimit normal edhe të këtij grim shteti të rrudhur përdhunshëm nga të gjitha anët.

Dihet nga të gjithë,vendorë e ndërkombëtar, se “Zajdnica” serbe me një porosi nga Serbia, mund të stërkeqet aq shpejtë dhe sa qelë e mbyllë sytë, të kthehet në fantazmë të papenguar të interesave serbo-ruse, brenda vendit tonë, në Kosovën e vrarë pas shpine nga “heronjtë” e “luftës dhe të paqes” së dyshimtë.

Madje, analisti serb Dushan Janjiq, menjëherë pas vendimit të UNESCO-s, i bindur se autoritetet e Kosovës tani kanë hapësirë edhe më të kufizuar për refuzimin e pretendimeve serbe, deklaron se Serbia duhet ta shfrytëzojë këtë rast dhe në emër të “trashëgimisë kulturore e fetare”, të hap edhe dy tema të reja, mbi pozicionin e Asociacionit të Komunave serbe dhe atë të kishës ortodokse në Kosovë.

Është fakt se për të gjitha fatkeqësitë që kanë goditë atdheun tonë të vogël, e me siguri edhe për dështimin e fundit, fajet u takojnë përfaqësuesve të padenjë të vet Kosovës, nga të cilët u pështirosën aq shumë edhe shtetet demokratike si Japonia,Koreja Jugore dhe Polonia, sa që megjithëse na kanë njohur para shumë vitesh si shtet, të mos votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Por megjithatë, pas pengesave të pashembullta dhe skajshmërishtë agresive të Serbisë, e cila përkundër obligimit për mos pengimin e Kosovës në integrimet ndërkombëtare, vazhdimisht vijon të shkelë me të dy këmbët jo vetëm mbi marrëveshjet e Brukselit, por edhe mbi politikën e BE-së,për fqinjësi të mirë, duhet ndërprerë  bisedimet e mëtejme të pakuptimta.

Kosova jo vetëm se duhet pezulluar menjëherë bisedimet por edhe të rishqyrtoj seriozisht të gjitha marrëveshjet me një vlerësim detal ligjor e kushtetues, si dhe të mos i rifilloj ato pa ndryshimin e sjelljeve të politikanëve serb dhe paqësimin e plotë të qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Përndryshe, nën këto kushte, është i pamundur zhvillimi normal i bisedimeve të mëtejme, derisa vet Marrëveshja e Brukselit e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 19 prill të vitit 2013, në pikën 14 të saj , thotë: “Palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra tjetrën për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare”, por Serbia bënë të kundërtën.

Siç dëshmoi edhe rasti i fundit, ajo vazhdimisht vijon ta pengojë me arrogancë dhe bllokoj kudo që arrin, anëtarësimin e Kosovës, në cilën do organizatë dhe instancë ndërkombëtare.

Madje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të Asociacionit të Komunave Serbe, drejtori i zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, përmes një paraqitjeje në Radio Televizionin e Serbisë, shkon aq larg me arrogancën e vet, sa që përpiqet jo vetëm ta urdhërojë “Prishtinën” që ta zbatojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, sikur kjo të ishte “bahqe e babës” së tij, por edhe kërcënon Kosovën, se si përndryshe, Serbia nuk do të heshtë dhe qëndrojë duarkryq!?

Për aq më keq, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, deklaron se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas tij qenka edhe kërcënim për stabilitetin rajonal.

Por, pasi që Diplomacia e Kosovës është e mbushur me nepotizëm dhe militantë politik, Serbisë as pas këtyre zhvillimeve dhe kërcënimeve skandaloze, nuk ka kush ti përgjigjet me kohë dhe si duhet.

Qeveria e mbi 100 mijë qytetarëve të ikur, brenda një viti, në vend të reagimit ndaj kërcënimeve më të reja serioze të përfaqësuesve të shtetit serb, përmes zëdhënësit të “prontove” deklaron se si në PDK nuk e njohin dorëzimin, madje le të kërkojë kush të dojë, se përkundër të gjitha dështimeve, zëvendëskryeministri e Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi as zëdhënësi i tij Petrit Selimi nuk do të japin dorëheqjen.

Ndaj ,në vend të përfundimit, nuk mund të mos pyes njeriu me trishtim, se; athua deri kurë do të durojë ky popull i ynë fatkeq, deri kur do të toleroj fshehjen e tradhtive të mëdha dhe mbulimin e dështimeve të pa fund të kësaj kaste të kriminalizuar politikanësh. Edhe sa kohë, do të duartrokas shpikjen dhe thurjen e lavdive të pa qena për heronjtë e rrejshëm, pa largimin e të cilëve nga udhëheqja vendore, populli dhe shteti i Kosovës, kurrë nuk do të lirohet nga krimi i organizuar, korrupsioni, varfëria e izolimi as përjetojë ligj e rregull të brendshëm si dhe përparim e aprovim të merituar ndërkombëtar. Zot shpëtoje këtë vend dhe popull nga udhëheqës të tillë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)