28 Dhjetor 2024

Zona historike e Prishtinës dhe konferenca e investitorëve

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli

Prishtina pas vitit 1999 ka përjetuar transformime të mëdha ekonomike, sociale dhe kulturore ashtu si e tërë Kosova,  për fat të keq tonin këto ndryshime nuk i ka përcjell zhvillimi urban i Kryeqytetit,  i cili u zhvillua në formën ma të keqe të mundshme.

Ekonomia e tregut,  prona private dhe procesi i decentralizimit hapësinor ishin sfidat ma të mëdha në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik,  ku tërësish kemi dështuar në Prishtinë dhe në vendbanimet tjera në Kosovë.

Punimi dhe miratimi i disa dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe urban në Komunën e Prishtinës në vitin 2013, ka qenë jo serioz dhe ka pasur efekte negative te faktori ndërkombëtar e posaçërisht te investitorët potencial vendor dhe të diasporës.

Është punuar në mënyrë stihike për të plotësuar vetëm kërkesat e një grupi të caktuar të njerëzve, pa pjesëmarrjen në vendimmarrje të atyre për të cilët punohen këto dokumente. Trajtimi i hapësirës  urbane në Komunën  e Prishtinës në vitet e fundit ka qenë skandaloze, pasi në emër të “forcës” kanë vepruar shumë “patriot”.

Ideja për të organizuar një konferencë të investitorëve nga Komuna,  duke u bazuar në partneritetin publiko privat (PPV), duhet përshëndetur dhe përkrahur.

Duhet ditur se askush nuk do të investoi për të korrigjuar gabimet e qëllimshme hapësinore dhe urbane të jona, pa ndryshuar qasja ndaj tyre,  e ndërlidhur me kushtëzime të ndryshme korruptive të pa pranueshme në ekonomin e tregut, të cilën me plot gojë e proklamojmë e deri me tani kemi vepruar në të kundërtën.


Kur në korrik të vitit 2010,  në diskutimin publik për profilin urban të “Planit rregullues të lagjes Vellusha”, u kërkuar nga përgjegjësit komunal të urbanistikës,  që të bëhet zgjerimi i detyrës projektuese apo të përpilohet një plan rregullues i veçantë për “Zonën Historike të Prishtinës”, të gjithë profesionistët prezent në atë takim u pajtuan se një kërkesë e tillë do të realizohet.

Asgjë konkrete nuk u ndërmarr, vitet po kalojnë,  si jemi duke vepruar,  edhe në të ardhmen Prishtina nuk do të ketë të definuar së paku me projekt urbanistik, zonën historike (down town) nga ku u zhvillua si qytet,  ashtu si e kanë kryeqytetet tjera në botë.

Jam në dijeni me shkatërrimet e mëdha të kësaj zonë në vitet e pos luftës së dytë botërore,  ku komunistët nën moton “të shkatërrojmë të vjetrën të ndërtojmë të renë” me rrënime të shumta dëmtuan në mas të madhe qytetin e vjetër,  në të njëjtën kohë dëmtuan identitetin urban shumë të rëndësishëm, i cili ma së miri dokumentohet me trashëgimin e të kaluarës. Për këtë “rasti Prishtina” mësohet në shkollat e arkitekturës si shembull i keq i urbanizimit gjegjësisht i rregullimit të qytetit.

Askush nuk na ka ndaluar që të precizojmë, definojmë kufit e kësaj zone, të përpilojmë projektin e hollësishëm urban, të kemi kriteret për trajtimin e të gjitha objekteve të kompleksit dhe të parashikojmë metodat e intervenimeve arkitektonike dhe urbanistike,  që konsistojnë në metodat e renovimit, restaurimit,  regjenerimit, apo të rindërtimit të objekteve dhe të asaj tërësie urbane të definuar paraprakisht. Ne kemi lejuar atë  çka ka ndodhur në këto vite ku janë rrënuar,  djegur, zhdukur në mes tjerëve edhe objekte që ishin nën mbrojtje të shtetit.

Qeverisja aktuale munde të ”arsyetohet” me konfuzionin e ligjit në fuqi të Planifikimit Hapësinor i cili fal mos azhuritetit dhe mos kryerjes së obligimeve ligjore në Ministri (MMPH),  në një far mënyre pengon përpilimin e projektit të tërësishëm të zonës historike. Ajo nuk mundet me qenë arsyetim që në mënyrë parciale, sipas interesit momental të aprovohen zgjidhje të tilla si është rasti me projektin “Çarshia e vjetër”,  që ishte pjesë konferencës së investitorëve.

Në princip nuk duhet kundërshtuar këtë qasje pozitive të partneritetit publiko privat por Prishtina ende po tenton ti zgjidhë problemet urbane në mënyrë parcial, ashtu  si është punua  deri me tani.

Vetëm zgjidhja urbanistike e tërë “Zonës Historike” të Prishtinës do të na ofronte një zgjidhje të qëndrueshme,  nga do të shkëputeshin fragmente si projekti “Çarshia e vjetër”,  që është propozuar për këtë konferencë e kështu  me radhë. Kështu kërkohet edhe me dokumentet hapësinore të nivelit qendror për të gjitha komunat e Kosovës.

Kjo formë e punës e bazuar vetëm në zgjidhjen e kërkesave të momentit pengon, nuk ka bazë në dokumentet hapësinore dhe urbane të hulumtuara, analizuara dhe studiuara, së fundit të miratuara nga Kuvendi Komunal i  Prishtinës, si organi ma i lartë i qeverisjes.

Është tragjikomike se si deri me tani janë caktuar lokacione për shumë lloje të objekteve si janë ambasadat, objektet shëndetësore, hoteliere, sportive sakrale (fetare) e tjera duke mos u bazua në ato dokumente urbane.

Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se atyre dokumenteve askush nuk iu ka referuar pasi kanë qenë të mangëta, jo profesionale, të pa zbatueshme pasi nuk kanë qenë REALISTE me situatën konkrete në terren. Kanë shërbye vetëm si dekor në sirtarët e Komunës edhe se për ato ” letra ” janë shpenzuar mjete të mëdha materiale dhe kohë të cilën ne as që e çmojmë.

Zgjidhjet parciale të tërësive urbane kurrë nuk janë treguar të suksesshme nga aspekti urbanistik në formësimin dhe funksionalitetin e një vendbanimi (qyteti) e posaçërisht të kryeqytetit të një shteti si është rasti me Prishtinën,  e cila nga aspekti urbanistik është trajtuar si është ma së keqi, e pa imagjinueshme për një shoqëri të civilizuar.

Për atë sot  po e paguajmë tagrin e veprimeve tona korruptive,  pa menduar në pasojat në shumë raste të pa riparueshme, posaçërisht në vitet  shekullit të ri XXI.

Aktivizimi i partneritetit publiko privat (PPP) është imperativ i kohës në ekonomin e tregut, bashkëpunimi në mes sektorit shtetëror dhe ati privat duhet të sjellë rezultate pozitive për tërë shoqërinë ndërsjellash.

Në Komunën e Prishtinës edhe përpara ka pasur tentime të tilla të cilat në të shumtën e rasteve kanë dështuar si rezultat i shumë faktorëve abuzive si ishte korrupsioni endemik. Kryesore kanë munguar para përgatitjet organizative dhe teknike, dokumentacioni i mangët teknik dhe faktorët tjerë relevant për këto raste,  ka munguar serioziteti dhe profesionalizmi për të realizuar projektet.

Konferenca e investitorëve që u mbajt tregoi një interesim të dukshëm të atyre që veprojnë në Kosove dhe diasporë. Kjo është inkurajuese për iniciatorët që e organizuan ketë ndodhi në Prishtinë, që edhe ne të ardhmen të prezantojnë projekte tjera të cilët i plotësojnë kriteret , në një konkurrence të madhe në rajonin e Ballkanit.

Çdo investim korrekt është e mirëseardhur,  duhet pasur dituri dhe kujdes nga ana e jonë për realizimin e tyre, e mos të lejojmë keqpërdorimet ashtu si ka ngjarë me shumicën e projekteve në vitet e pas luftës.

Në dallim nga e kaluara e afërt në Kosovë ku raportet e partneritetit publiko private kishin degraduar në ekstrem, duhet tërësisht qasje tjetër e bazuar në sinqeritet profesional në interes të ndërsjellë, pa premisa korruptive. Uroj që ma në fund të filloi një bashkëpunim profesional dhe realist në mes të pushtetit komunal dhe sektorit privat në Prishtinë dhe të shërbej si shembull pozitiv edhe për komunat tjera në Kosovë.      
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)