Zogjtë e qyqes

Shkruarr nga Xhevdet Fetahaj - Jeffy
Ditët, si ditët ikin e vijnë duke formuar javë e javët muaj, e këta muajt e fundit të ashtuquajturin ngërç politik.
Duke shqyrtuar e analizuar me vëmendje Fluturimin mbi folenë e qyqes, për pak minuta u ndala tek analiza pediatrike e prejardhjes së fjalës ngërç, por më doli kapuç me maje, ngase ky ngërçi kishte kuptimin për ta ndihmuar një foshnjë që ta kryente nevojën e madhe fiziologjike. Pastaj kishte të atillë ngërçesh që kishin të bëjnë me notin etj.
Foshnjat tona të politikës, po ti ndihmosh në tejkalimin e ngërçit, gjithmonë duke iu referuar analizës pediatrike, ka rrezik se do ta bëjnë (...) dhe pastaj të gjithë do ta kuptojnë nga aroma e fëlliqtë, që do ta lënë pas!
Meqë po më dhimbset Kosova, sepse e kërcënon Dimri i vetmisë së madhe, jam i mendimit që ajo mos të mbetet Qyqe në rremë, sepse edhe pse Ushtoi mali se polli një mi, sërish toka e tharë e vendit tonë ka nevojë për borë, pas këtij shiu e vërshimeve me ujëra turbullta nga mbeturinat.
Bije borë fjolla, fjolla, kaq mirë niste njëherë e një kohë një vjershë që na mësonte se duhej të kapeshim bashkë dorë për dore, sepse na priste shkolla.
Shkolla na priste për të marrë edukate e dije, ndërsa sfidë gjithmonë mbeste rruga e ngrirë plotë akull. Të vegjël e të pafajshëm, kapur dorë për dore, ne ia dilnim të shkonim në shkollë, bile me hundë të skuqur si spec, me plotë krenari para mësueses e recitonim vjershën, që për mesazh të fundit kishte se bëmë çfarë bëmë, verë apo dimër, ne ia dilnim që të shkonim në shkollë.
Në tokën e pazotë tek çapitesha për të shkuar te Lumi i vdekur hasa në Gjeneralin e ushtrisë së vdekur. Toka e pazotë, lumi i vdekur, ushtria e vdekur e gjeneral i thënçin gjeneral, u bën Të mjerët në Kafshatën që se kapërdinë o vëlla e të zë mjerimi, bile-bile që Do tiu mbetet në fyt e do ti zë trishtimi.
Deshta, shumë kam dashtë-dëshirue që ta kem Nji grusht të fortë, ti bie mu në zemër malit që sbëzanë vetëm e vetëm që kërriçet mos të iluzionohen se kur do të rriten nuk do të përballen me të vërtetën e madhe Prit gomar sa të mbijë barë. Po ja që as Rënia, Nata e njëmijë e një netëve, apo Idioti nuk e zbehin konstatimin se përpos që Njeriu për njeriun ujk është, Njeriu është një fazan i madh.
Perënditë kanë etje do të ishte më e mirëseardhur të thuash për këta tanët që të strukur në Folenë e nepërkave na lanë varur në pritje të Kesh dhe të mos kesh shtet.
Po tu flasësh e ti kritikosh ata deklarojnë se janë vet Muzeu i pafajësisë, sepse për ta politika është Dashuria e parë dhe slogan kanë Çdo gjë që kam e mbaj me vete.
Në këtë Udhëtimin e mbyllur që janë nisur, loja Macja dhe miu do tju kushtojë shumë e më shumë qytetarëve, sepse Kolonelit ska kush... nuk duam të shndërrohet në Shtëpinë e heshtjes e kurrsesi vendi ynë të kthehet në Shkretëtirë e aq më pak këtu të lulëzojë Perëndia e mizave.
Lumturia është jetë, të cilën duam ta jetojmë Zoti President, sepse as ata e as unë nuk jam I huaji, pos një zë më shumë, i cili insiston që ky Qiell i lënë përgjysmë mos të jetë Shosha e kërcënuar nga Perëndia dorace.
Lë të jetë ajo Mbrëmje e bekuar haberi se edhe ne do të jetojmë e do ta kemi shtetin tonë e mos të rrimë Duke pritur Godonë për ditë të mira.
Buka e viteve të hershme mos të shndërrohet në Një kënaqësi e vetmuar, për disa, sepse Kujtim kurvash të trishta lirshëm mund të shndërrohet në Kallëzimi i një anijehumburi apo edhe më keq në Verbëri.
Ujku i Stepës mund ta shtojë aq shumë urinë politike saqë as Certifikata e identitetit njerëzor nuk ta përhumb mjedisin mbytës Stuhi në gang e që mund të mbyllet fatkeqësisht nën autoritetin Endacaku pa fije Turpi.
Shtrofullat me pretendime politike janë shndërruar në Vilet e zemërimit, sepse diku paska lindur Fëmija i pestë nga Dashuria në kohërat e kolerës, që, sipas pretenduesve duhej të lindte, në mos brenda, aty afër te Kështjella e bardhë.
Ky ngërçi sa Njëqind vjet vetmi, tashmë veçse është bërë Vajza e prapë, sepse hileja është më madhe, ngase si tellall thërret më sa zë ka Unë jam e kuqja, duke harruar se Muri është pengesë që Vera para errësirës të mos jetë Këlthitja dhe mllefi për mua I huaji në tokën time.
Stambolli, kujtime dhe qyteti duhet të merret shembull se Jeta e re, dihet si Dita e mirë që shihet në sabah, prandaj të nisemi për Udhëtim në Malin e Shenjtë, e atje Lë të ulërijmë për atë që jemi duke pritur e kurrsesi mos të ngelim Bretkosa uji e toke në pritje kapitullimin tonë Kronikë e një vdekje të paralajmëruar.
Neve, ato që janë bërë më dije në Shënime për Hiroshimën, na duhen për të mësuar se Për dashurinë dhe demonë të tjerë, duhet luftuar duke ndarë të mirën nga e keqja dhe po ashtu duke ndarë të keqen e madhe nga e mira e vogël.
Shtëpia e gjelbër kurrë nuk duhet të bëhet Romani i një të pafati, sepse Njerëz e minj janë E paemërtueshmja që kërcënohet haptas nga Pavijoni i kancerozëve, të cilët jomëshirshëm mund dhe ka rrezik ta sëmurin shoqërinë.
Tash më shumë se kurrë Rrugët e lirisë, Mosha e arsyes, duhet ta marrim sebep për atë që kemi kaluar dhe njëkohësisht të nisemi në rrugëtimin e premtuar atyre që nuk janë më me ne.
Ta tejkalojmë këtë Kohë të pakohë në mënyrë që nesër mos të pimë kafe në Kafenenë e vjetër, duke kujtuar momentet kur rrinim në Kafenenë e rinisë së humbur pa bërë asgjë e duke lejuar që Miu të na kalonte mbi mustaqe.
Kjo është Jeta ime, jeta jonë, e ju, nëse kjo është Koha për të ikur drejt një Lumi të madh me dy zemra, ikni që mos të na vijë Murgu i zi & Njeriu në këllëf.
Procesi nuk duhet të ndalojë e assesi të mos jetë Trashëgimi, për këta muaj me Tregime të misterit.
Ka ardhur koha që Lufta dhe paqja të ndahen ashtu, siç ndahen Shapi dhe sheqeri, sepse më nuk duam që Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve të jetë pjesë e jetës sonë.
Duam që Vuajtjet e djaloshit Verter të mos jenë inspirim për Ditarin e një njeriu të tepërt e as që Kosova jonë të jetë Shtëpia misterioze.
Nuk duam që për Kosovën tonë të ketë Tregime nga njëri xhep e as Tregime nga xhepi tjetër e aq më pak tregimin kryesor ta bartim te pasardhësit të frikësuar nga Gruaja me flatra.
Ta qartësojmë njëherë e përgjithmonë se E kuqja dhe e zeza dallojnë si nata me ditën, e ju Si ta doni rrëfejeni dëshirën tuaj Triologjia e dëshirave.
Kryevepra e panjohur tani mund të jetësohet. Edhe pse të yshtur nga Djajtë nuk mund të ecët Mbi ujë, prandaj Etër e bij duhet të largohen njëherë e përgjithmonë nga Damka e turpit që mos ta presin frikën nga Nata e dymbëdhjetë.
Ka ardhur koha që Vepra e plotë të mos mbetet vetëm tek Iluzionet e humbura, por të bëhet realitet me të cilin do të jetojmë e prosperojmë të gjithë së bashku. Zogjtë e qyqes nuk mund ta luftojnë e as insistojnë ta vrasin zogun përqeshës me klithmën Të vrasësh zogun përqeshës, sepse ata janë zogj qyqeje, ndërsa zogu përqeshës është i lirë të frutojë kah të dojë, bile edhe nëpër hava.
E... ditët si ditët ikin e vijnë duke formuar javë e javët muaj, e këta muaj formojnë vite e vitet...?
Nuk dua të mendoj aq larg, edhe pse e sotmja, e nesërmja nuk pritet të na sjellin të mirat e pritura.