28 Dhjetor 2024

Zgjidhje nuk mund të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme

Shkruar nga Florian Dushi

Republika e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ka organizuar dy palë zgjedhje të përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (2010-2014). Për shkak të rrethanave politike, në të dyja rastet zgjedhjet ishin të jashtëzakonshme.

Siç dihet, sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet e jashtëzakonshme organizohen për tridhjetë deri në dyzet e pesë ditë, që është një periudhë kohore tejet e shkurtër, por si e tillë e paraparë vetëm për situata të jashtëzakonshme.

Kështu, zgjedhjet në vitin 2010 janë organizuar për tridhjetë e tetë ditë, ndërsa në vitin 2014 vetëm për tridhjetë e një ditë.

Cilësia dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve, deri diku me të drejtë, është kontestuar vazhdimisht nga shumica e subjekteve politike. Ishin kontestuar sepse ishin konstatuar një numër i madh i shkeljeve gjatë zhvillimit të tyre në terren, si nga subjektet politike, ashtu edhe nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë, sidomos në zgjedhjet e vitit 2010. Si rrjedhojë, në vazhdimësi ishte kontestuar edhe legjitimiteti politik i Qeverisë së Republikës së Kosovës çfarë kishte shkaktuar tensione të vazhdueshme politike në vend.

Për këtë arsye, me kërkesë të opozitës së asaj kohe, sidomos me insistimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjektet politike që e përbënin koalicionin qeverisës kishin pranuar që të fillohet me reformën zgjedhore, reformë e cila nuk ishte realizuar asnjëherë, për shumë arsye, ndër më kryesoret ishte shkuarja e serishme në zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin 2014.

Ideja për zgjedhje te reja, përsëri të jashtëzakonshme, pa u plotësuar asnjë nga kushtet kushtetuese dhe ligjore, dhe më e rëndësishmja, pa një reformë të mirëfilltë zgjedhore, nuk është dhe nuk mund të jetë asnjëherë zgjidhje për krizën e improvizuar politike, përkundrazi, është rrezik për një krizë tjetër politike, akoma më të thellë.

Prandaj, është mirë për qytetarët dhe vendin në radhë të parë, por edhe për të gjitha subjektet politike, që përfundimisht të heqin dorë nga kërkesat e tyre të pa arsyeshme për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të insistojnë në reformën zgjedhore që të filloi sa më parë dhe ajo të jetë sa më përmbajtësore, me qëllim që në zgjedhjet e vitit 2018 të shkohet me legjislacion dhe sistem të reformuar zgjedhor, kjo pastaj do të siguronte cilësi më të madhe dhe rezultat më të saktë të zgjedhjeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)