Zgjidhja te zgjedhjet

Lulëzim Etemaj
Pavarësisht deklarimit në bllok nga ana e bllokut, se është kundër zgjedhjeve të reja, deklarata e fundit e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi, se LDK-ja nuk duhet ta bëjë Ramush Haradinajn kryeministër, por këtë pozitë duhet ta marrë Isa Mustafa, duhet kuptuar përtej shprehjes së mendimit të lirë dhe demokracisë së brendshme të proklamuar nga zyrtarë të LDK-së.
Ajo, para së gjithash, shënon nismën për rikthim të komunikimit dhe riparim të raporteve të LDK-së me elektoratin e saj, të cilat s\'ka dilemë se kanë pësuar çarje pas heqjes dorë nga ana e Isa Mustafës prej postit të kryeministrit nëpërmjet marrëveshjes së lidhur me AAK-në dhe Nismën.
Se kjo nismë nuk është individuale, nuk flet vetëm deklarimi i mëtejmë i Gashit se për këtë ide e ka përkrahjen e anëtarësisë së LDK-së. Pas Arben Gashit, edhe anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, është deklaruar se zgjidhja më e mirë do të ishte që Isa Mustafa të bëhej kryeministër.
Është me rëndësi të vështrohet edhe aspekti kohor i deklarimeve të tilla, i cili është mjaft domethënës, për faktin se deklarimet e tilla, në kundërshtim të plotë me vijën e bllokut, vijnë gjatë kohës që Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, po qëndron në Nju Jork, ku, krahas pjesëmarrjes në sesionin e rregullt vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka realizuar një varg takimesh me zyrtarë të lartë të institucioneve të SHBA-ve, duke kulmuar me takimin që ka pasur me presidentin Barack Obama.
Qëndrimi i presidentes në Nju Jork në kohën kur Kosova ka sharruar thellë në ngërç politik, flet qartë për besimin dhe rejtingun që ajo ka arritur tek partneri strategjik i Kosovës dhe popullit shqiptar, SHBA, njëherësh e bën shumë të lexueshëm mesazhin diplomatik dërguar bllokut që të ketë kujdes me veprimet politike të cilat, sipas pazareve të Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, do të çonin në ndërrimin e Presidentes me Isa Mustafën. Të gjithë ata që sot e kësaj dite nuk e kanë ndalur fallin me \"Zarfin\", tashmë kanë rastin ta kuptojnë definitivisht se SHBA-në e karakterizon konsistenca në politikën e jashtme si dhe respekti maksimal ndaj projekteve që derivojnë prej saj.
Dhe, jo krejt rastësisht, koordinatorja për Anti-Terrorizëm në Departamentin e Shtetit, ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow, u ka bërë thirrje partive politike ta zgjidhin ngërçin politik në respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pikërisht të Gjykatës që Blloku e fyen dhe poshtëron çdo ditë, duke e etiketuar herë si të korruptuar e herë edhe si të kapur nga PDK-ja.
Arben Gashi dhe Lufti Haziri nuk janë zyrtarë periferikë të LDK-së, as të tipit Haki Rugova dhe as Ismet Beqiri, që të mos e kenë aftësinë e të kapurit të sinjaleve të tilla krejt të dekoduara. Dhe, për më tej, këta nuk do të jenë të vetëm. Pro një zgjidhjeje ndryshe për tejkalimin e ngërçit tashmë është deklaruar edhe anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Sadri Ferati.
Të vetëm, të kapur pas qerres së bllokut, siç duket do të mbeten AAK, Nisma dhe Vetëvendosje! Prandaj do të vazhdojnë edhe më tutje për ta kundërshtuar fuqishëm, me arrogancë dhe nervozitet, opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja për tejkalimin e ngërçit të tashëm politik.
Pavarësisht faktit se asnjëra nga këto tri parti politike nuk ka gjasa reale në të ardhmen e afërt për të dalë fituese në shumicë e besimit të sovranit, humbësja më e madhe e lojës së bllokut do të dalë Lëvizja Vetëvendosje! Ajo tashmë ka dorëzuar armën e bashkimit kombëtar.
Kushti ishte pushteti. Po ashtu, njëjtë ka vepruar edhe me atë të kundërshtimit të bisedimeve me Serbinë. Parulla \"Jo Negociata- Vetëvendosje!\", tashmë i përket historisë, kurse prania e saj në muret e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës, përveçse do të flasë për moralin e dyfishtë të Vetëvendosje!-s, do t\'i bëhet asaj hije që do ta ndjekë pas për hakmarrje me vendosmëri dhe me inat edhe më të madh sesa inati i krerëve të saj i manifestuar gjerë më tani ndaj kryeministrit Thaçi.
Dhe, ç\'është më e dhimbshmja, duke pranuar koalicionin me ata që deri dje i akuzonte për krim, korrupsion e haraç, ka humbur armën e luftës për shtetin e ligjit dhe të së drejtës. Kështu që, në zgjedhjet që do të mbaheshin, do të hynte tërësisht e paarmatosur dhe me gjasa të vogla për t\'iu shmangur fatit të partisë së kryeidelogut socialdemokracist të saj, ORA. S\'e di sa do ta ngushëllonte Vetëvendosje!-n të pasurit, edhe në një rast të tillë, të përbashkët këtë fat me Nismën e Fatmirit dhe Jakupit.
Fituesja e zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK-ja, nuk e ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mungesë të marrëveshjes në mes saj dhe subjekteve të tjera politike në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si opsion për tejkalimin e ngërçit politik të Kosovës.
Prandaj, për ta tejkaluar krejt këtë dramë politike, liderët politikë duhet më në fund ti thërrasin guximit e të pajtohen, jo për të bashkëqeverisur, si zgjidhje kalimtare, ku nuk do ta njihte qeni të zonë, por qe vendi të shkojë sërish në zgjedhje dhe ata tia riofrojnë ofertën e tyre qeverisëse për vlerësim demokratik sovranit.
Zgjedhjet afrojnë zgjidhje.
Kjo do të ishte zgjidhja më kushtetuese dhe, njëkohësisht, edhe alternativa më e shëndetshme për demokracinë e vendit. Çdo zgjidhje tjetër deformon vullnetin politik të shprehur nga sovrani nëpërmjet votës së lirë dhe dëmton interesat e tij.