Zgjedhjet të shtyhen apo anulohen
Shkruar nga Gani Qarri
Edhe një herë po vijnë zgjedhje të pa qarta, dhe pa zgjidhje, me sprovim të elektoratit në turbullimën e pa kthjelluar ligjërisht mbi gjendjen e kandidatëve, para shkuarjes te kutitë e mjegulluara të votimit, ku partitë me manipulime politike mbajnë të ndezur në piedestal luftën për pushtet.
Njëjtë edhe premtimet me shumë uturima, u ngjasin legjendave të vjetra të thëna me aq përbetime, nga burra shumë herë të dyshimtë dhe të dështuar plotësisht, të cilët nuk e mbajtën kurrë fjalën e dhënë.
Megjithatë, fortesat e tyre çudibërëse ende mashtrojnë sytë dhe tradhtojnë ndjenjat e elektoratit të zhgënjyer shqiptar, anipse përbrenda, ato që moti janë kthyer në depo gënjeshtrash primitive dhe jetëshkurtra të cilat nuk zgjasin më shumë sesa një fushatë elektorale.
Ndaj, kështu vendi ynë i ruajtur me besë e burrëri, ndër breza, sot- sa vjen e kthehet në rrënojë shkatërrimtare, nga e cila frikësohen të gjithë banorët e tij, prej nga edhe tentojnë të ikin sa më parë, larg e më larg, e nëse vazhdon kjo gjendje, kam frikë se nuk do mbetet këmbë njeriu as dëgjohet më zë fëmije mbi të. Mjerim!
Por megjithatë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kandidatët më problematik që njihen, nga partitë e tyre u katapultuan në majat e konkurrimit për qeveritar dhe deputet të ardhshëm, anipse shumica dyshohen për precedencë penale, ndaj të cilëve pritet çdo çast të ngritët aktakuzë apo shpallet edhe aktgjykimi.
Mu për këtë shkak, kjo ngarkesë i bënë edhe më të trishta këto zgjedhje, ndaj çudit fakti sesi ende lejohen dhe orkestrohen lojëra të tilla, duke vënë në rrezik fatet e atdheut dhe ardhmërinë e popullit të këtij vendi, i cili vërtetë nuk e meriton një gjendje të tillë.
Ndaj, veprimet e shpejta dhe ndryshimet e menjëhershme për një kthesë historike, do ta quaja, janë shumë të domosdoshme dhe më të nevojshme se kurrë më parë, për dalje nga fatkeqësitë që prej kohësh përcjellin këtë vend, njerëzit e të cilit me të drejtë ndjehen të pa sigurte dhe kanë frikë për të ardhmen e tyre.
Por, në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet edhe më tepër, shprehet nevojë urgjente për shtyrjen e menjëhershme të zgjedhjeve, qoftë edhe me detyrim, përmes rebelimit gjithëkombëtar, derisa të sqarohet pastërtia penale e kandidatëve që konkurrojnë për deputet dhe poste të larta shtetërore, ngase ata nuk janë vetëm disa dhe nuk vijnë vetëm nga një parti, por janë shumë dhe profilohen nga të gjitha partitë politike, përfshi edhe udhëheqësit e tyre.
Në këso rastesh para se të votohet, duhet të veproj ligji, nëse ka një të tillë në vendin tonë dhe të vihet kusht mënjanimi i pasojave nga persona me precedencë penale, për ndryshe të mos mbahen zgjedhje as organizohen votime, sepse nëse edhe një herë vijnë në pushtet njerëz të tillë, nuk mund të ndalen më veprimet e kundërligjshme mafioze dhe as manipulimet e gjithfarëllojshme në këtë vend të izoluar nga bota e lirë.
Ne duam të mbahen zgjedhje të cilat do të ofronin edhe zgjidhje për shumë probleme në këtë vend, ndaj së pari le të bëhet filtrimi i personaliteteve konkurruese nëpërmjet çartësive penalo-juridike, dhe dëshmive zyrtare,me vërtetime të vulosura nga gjykatat-mbi pastërtinë e tyre personale, për secilin kandidat veç e veç, me ç rast do të pranoheshin vetëm kandidaturat e njerëzve të papërlyer.
Për të zgjidhur këtë problem, duhet të ndihmojnë edhe mbikëqyrësit ndërkombëtar që janë këtu për të mbrojtur rendin dhe ligjin EULEX-i, e pse jo edhe përfaqësuesit e Ambasadave Amerikane, Angleze ,Gjermane etj., ngase edhe ata mbajnë një përgjegjësi bukur të madhe, për fatin e kryqëzuar të shqiptarëve në golgotën e këtyre zhvillimeve të dyshimta, të cilat nuk ka mundësi të kryhen pa dijeninë, nëse jo edhe me bekimin e tyre.
Pra për të gjitha sa ndodhin në vendin tonë, nuk janë fajtor vetëm ata që i votojnë njerëzit e dyshimtë, pa e ditur se kujt ia hedhin votën, por edhe mbikëqyrësit ndërkombëtar të rendit dhe ligjit, derisa ata miratojnë kandidatura të dyshimta mafiozësh, trafikantësh e vrasësish dhe pas zgjedhjeve bashkëpunojnë me ta sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe, duke flijuar ardhmërinë e shqiptarëve pa asnjë alibi, mbështjellë me terr krimet, e ndoshta edhe ndihmuar fshehjen e tyre.
Ndaj mjerisht, sot në këtë vend, janë qindra mijëra fate njerëzish të nëpërkëmbura ,për çka fijet e mistereve duhet kërkuar edhe në krye të shtetit, ku krimi e korrupsioni bëjnë kërdinë, kurse organet përkatëse në vend që ti shuajnë ato, pa fije turpi pranojnë publikisht se kanë rënë nën ndikimin e të fortëve dhe janë bërë pjesë e krimit.
Duke u nisur nga shkaqet e përmendura, EULEXI dhe organet tjera ndërkombëtare mbikëqyrëse për rend dhe ligj,menjëherë duhet ti anulojnë apo shtyjnë përkohësisht këto zgjedhje, dhe para rimbajtjes së tyre të spastrojnë listën nga të gjithë kandidatët e dyshimtë që mund të konkurrojnë për tu zgjedhur, nëse edhe ata nuk mbajnë peng ndonjë mister të dyshimtë dhe histori ende të pa-kuptuar, si Kutinë e pahapur të Pandorës,për të vënë gurë pengesash në ecjen e vendit tonë drejt liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane, duke u ndjerë rehat me veprimet e tyre, pasi që as kundër dorës së fortë të të huajve në vendin tonë, njerëzit tanë nuk po guxojnë të ngrihen.