Zgjedhjet në PDK paralajmërojnë fundin e një vazhdimësie
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Në jetën e vërtetë, reale, në fushën e veprimit të forcave politike rëndësi vendimtare nuk kanë, edhe kjo duhet theksuar patjetër për tu ruajtur nga të gjitha llojet e naivitetit politik, - mendjet e ndritura e as bartësit e ideve të kulluara, por një racë shumë më e ulët e shumë më e shkathët që janë njerëzit e prapaskenave. (Zhozef Fushe)
Zgjedhje të rregullta apo të jashtëzakonshme
Para Kryesisë së PDK-së propozimi për zgjedhje është paraqitur si kërkesë e statutit të Partisë!? E vërteta është se zgjedhjet në PDK prej vitit 2005 mbahen çdo katër vite. Zgjedhjet e fundit nuk u patën mbajtur pas katër vitesh, por pas pesë vitesh.
Ato u mbajtën në vitin 2010. Shtyrja për një vit ishte krejt e paarsyeshme. Kuvendi (Kongresi) i vitit 2010 u mbajt me një nxitim dhe parregullësi të paparë, me duartrokitje të zjarrta (ishte dëshirë e shefit)!
Organet e zgjedhura nga ky Kuvend kanë mandat katërvjeçar. Dikush thoshte se ky Kuvend (i fundit) është mbajtur sa për të kënaqur ligjin! Po të gjitha kuvendet dhe veprimet tjera partiake, institucionale, shtetërore... bëhen për ta kënaqur-respektuar ligjin.
Mirëpo, në PDK statuti dhe rregullat zbatohen si ligji në dorën e Maliqit: zgjedhjet mund të bëhen edhe pas dy vitesh, edhe pas katër vitesh edhe pas pesë vitesh! Se si bëhen, pse bëhen, kur bëhen, nga kush bëhen... e di shefi!
Aspekti statutar është njëra anë pse këto zgjedhje në PDK do të duhej të ishin të jashtëzakonshme. Një arsye edhe më e madhe pse këto zgjedhje duhet të ishin të jashtëzakonshme (nëse do të duhej të mbaheshin në këtë kohë) është mosfunksionimi i organeve të Partisë.
Kryesia e PDK-së nuk ka funksionuar dhe nuk ka përmbushur detyrimet statutare programore dhe premtimet zgjedhore ndaj degëve të PDK-së, anëtarsisë dhe zgjedhsëve të saj.
Kjo Kryesi kaherë e ka humbur të drejtën e organizimit të zgjedhjeve normale në PDK, sepse kjo Kryesi dhe shefi i kësaj Partie e kanë futur këtë Parti në një jonormalitet gati të pakthyeshëm. Prandaj, këto zgjedhje do të duhej të ishin (edhe janë) të jashtëzakonshme.
Një arsye tjetër, po kaq e madhe, për zgjedhje të jashtëzakonshme është edhe dalja e kësaj Partie dhe e qeverisjes së saj komunale dhe qendërore nga shtrati, ikja e PDK-së nga vetvetja dhe nevoja urgjente e (mos)miratimit të këtij shpërfytyrimi të PDK-së me votën e anëtarëve të saj.
Por, kjo do të kërkonte një debat paraprak të gjerë dhe të thellë, pastaj një identifikim dhe regjistrim të plotë të anëtarësisë (gjë që nuk e kemi) dhe pastaj zgjedhjen e të gjitha strukturave dhe organeve (nga seksioni e lartë) sipas sistemit një anëtar, një votë.
Vetëm kështu do të kënaqej dhe respektohej demokracia, si dhe do të verifikohej dhe respektohej vullneti i anëtarëve të kësaj Partie (pronë e të cilëve është PDK-ja) për këtë shpërfytyrim dhe për këtë dalje nga shtrati të PDK-së.
Vetëm me këtë proces dhe sistem zgjedhor mund të përmbusheshin këto dy kritere themelore të një shoqërie demokratike: vullneti i anëtarëve dhe demokracia. Kurse zgjedhjet që do të bëheshin do të vërtetonin dhe përmbushnin vetëm dy kritere themelore të shoqërive të njohura si jodemokratike: diktatin dhe vullnetin e shefit!!
Arsyeja e fundit madhore për Kuvend të jashtëzakonshëm është (mos)llogaridhënia dhe mospërfillja e organeve të zgjedhura, filozofisë politike, parimeve dhe vlerave themelore mbi të cilat është ngritur dhe ka funksionuar deri vonë PDK-ja.
Dhunimi i hapur i këtyre vlerave dhe i PDK-së ka nisur që nga koha e listave të fundit për deputet, kur në këto lista gjetën vend dhe u bënë deputetë (tashmë dihet edhe nga gurët e sokakut se si u bënë) ata që nuk ishin as anëtarë të PDK-së dhe ata që mund të ishin në shumë vende dhe pozita të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë, por jo në Kuvendin e Kosovës dhe jo në PDK.
Ky dhunim vazhdoi me formimin e koalicionit, me të cilin edhe Behgjet Pacolli u bë kryetar i Kosovës e më vonë zëvendëskryeministër i parë!! Deri këtu nuk kishte fyerje dhe poshtërim më të madh për antarin e PDK-së dhe për Kosovën. Kjo Parti u dhunua edhe me përzgjedhjen e ministrave.
Dhunimi i fundit dhe si duket përfundimtar nisi me kërkesën dhe këmbënguljen që PDK ti mbaj zgjedhjet një vit e gjysmë pas Kuvendit (në kundërshtim memstatutin dhe vendimet e Kuvendit të vitit 2005 për kohëzgjatjen e mandatit të organeve të Partisë).
Kjo kërkesë nuk ishte e PDK-së. Ajo vinte nga jashtë. Edhe data për fillimin e zgjedhjeve ishte vendosur nga jashtë. Në Kryesi u bë amini, si zakonisht!! Dikush, që de fakto mbante frenat e PDK-së gjatë gjithë kohës po kërkonte të hynte në këtë Parti edhe de jure! Por, nuk mund të vinte si prurjet e deritashme!
Ai këmbëngul ti nënshtrohet një procesi të rregulltë zgjedhor, duke u anëtarsuar në një seksion. Ky dhe zëdhënsi i tij kanë harruar se ai që anëtarësohet në prag të Kuvendit zgjedhor në Parti mbetet vetëm një anëtar i zakonshëm (në partitë normale dhe demokratike).
Por, si duket këta kanë parasysh praktikat e deritashme të PDK-së: edhe pa qenë në Parti shumë u bënë ministra, deputetë
Pse po bëhen zgjedhjet në muajin festiv të NËNTORIT?
Muaji NËNTOR, sidomos ky i sivjetmi, është muaj festiv për shqiptarët kudo që janë në botë. Ky muaj shënon majat e ngjarjeve, datave, figurave dhe fitoreve të kombit tonë.
Më 28 Nëntor Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kthehet dhe ngritë FLAMURIN e qëndresës, luftës për liri dhe Flamurin e Ringjalljes dhe mbijetesës shqiptare në Krujë.
Po më 28 Nëntor, Plaku i Urtë, Ismail Qemali, me bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Tij ngriti Flamurin kuq e zi dhe SHPALLI Pavarësinë e Shqipërisë.
Ngjarje kulmore, madhore dhe shpëtimtare për ruajtjen dhe fuqizimin e qenies dhe FARËS shqiptare. Shteti shqiptar, me kryeqytet Tiranën, përbën vetëm një të tretën apo të katërtën e Shqipërisë.
Por, falë këtij shteti, kësaj SHPRESE, shqiptarët në pjesën më të madhe të Shqipërisë së pushtuar qëndruan, luftuan, mbijetuan dhe aty-këtu fituan një pjesë të të drejtave të tyre kombëtare, politike, kulturore e demokratike.
Falë, kryesisht (pse jo edhe kryekëput), këtij shteti-kësaj SHPRESE në fund të shek XX u çlirua gati gjysma e Shqipërisë Verilindore, krahina shqiptare e Kosovës e pushtuar nga Serbia.
Në këtë DATË madhore dhe të lavdishme të kombit tonë, më 28 Nëntor, lindi Ai që do të bëhej shpresa, themeli dhe çatia e Luftës Antipushtuese Çlirimtare në mbarë Shqipërinë Verilindore e më gjerë, deri në Çamëri, lindi Komandanti Legjendar, ADEM JASHARI.
Prandaj, secili shqiptar me dy bërthama në kokë mund ta kuptoj që edhe SHPALLJA e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë pikërisht më 28 Nëntor, datë e menduar dhe e zgjedhur nga drejtuesit e UÇK-së për të dëshmuar vazhdimsinë dhe tërësinë e një kombi, të një toke (gjeografie), të një gjuhe, të një kulture dhe të një historie, të një SHQIPËRIE (nuk ndodhi kështu edhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës!!).
Atëherë, si shpjegohet kjo përzgjedhje e datës fillestare (një nëntor) dhe e muajit për ti mbajtur zgjedhjet PDK-ja?! Secila parti në Kosovë është shqiptare dhe e mbushur me shqiptarë.
Por, Partia Demokratike është vazhdimësi kryekëput e Ushtrisë Çlirimtare (pjesa politike). Themelimi i saj është bërë nga drejtuesit e UÇK-së. Anëtarët dhe dashamirët e saj më të devotshëm, ata që i dhanë shpirt, gjak dhe jetë, ata që e mbajtën në shpatullat e tyre dhe ata që i dhanë fitoren këtij vendi dhe pastaj kësaj Partie janë në këtë Parti (ka ndonjë edhe në parti tjera).
Populli shqiptar pa përjashtim, edhe në kushte të terrorit dhe gjenocidit sllavo-grek, ka jetuar dhe ka shpresuar te ky muaj, te kjo DATË - 28 NËNTORI, të cilin e festonte edhe në kohën e errësirës dhe tmerrit që kishte vendosur dhe mbjellur kudo në tokat e pushtuara të Shqipërisë pushtuesi.
Këtë vit po bëhet një shekull-njëqindë vjet liri e pavarësi për një të tretën e Shqipërisë, njëqindë vjet përpjekje, qëndresë, luftë dhe flijime të pashembullta për çlirimin e dy të tretave të Shqipërisë nga zgjedha barbare sllavo-greke.
Rezultat i këtyre përpjekjeve është çlirimi i një pjese të madhe të Shqipërisë Verilindore, Kosovës. Kush do të duhej më shumë se PDK-ja të festonte me anëtarët dhe strukturat e saj këtë njëqindëvjetor?!
Kjo çështje u bisedua edhe në mbledhjen e Kryesisë, por fituan ata që kishin vendosur jashtë organeve të Partisë që këtë MUAJ të shenjtë, këtë muaj festiv, këtë KRYEDATË të kombit shqiptar ta shndërrojnë në një muaj gare, në një muaj shtyrjesh me brryla, pështyrjesh, shpifjesh, ndërskamcash... midis atyre që do të duhej të mendonin dhe organizoheshin për të kujtuar, shënuar dhe festuar KRYEDATËN dhe KRYFESTËN shqiptare.
Kjo udhëheqje dhe kjo Kryesi, po të ishin ata që ishin, do të duhej të bënin vizita, takime, tubime festive në të gjitha degët dhe nëndegët e kësaj Partie.
Të bënin një lloj bilanci të punës dhe sukseseve-dështimeve tona, realizimit të programit tonë, nga njëra anë, dhe të ndërtonin projektin-vizionin (pamjen) e të ardmes së kësaj partie dhe të këtij vendi, si pjesë e pandarë e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë.
Edhe në caktimin e datës së zgjedhjeve fituan ata që vazhdojnë ta konsiderojnë 2 korrikun si datën e lindjes së Republikës së Kosovës, ata që në fytyrën e PDK-së shohin Ibrahim e Ukë Rugovën, Pacollin, Bukoshin dhe pjellën e të majtës dhe të patriotizmit jugosllav, ata që në PDK shohin vetëm grazhdin e tyre: pozitat, privilegjet, përfitimet (kryesisht të paligjshme)
Vetëm fytyrën e ADEM JASHARIT dhe emblemën e UÇK-së (shqiptarinë) nuk e shohin dhe nuk do të donin ta shihnin kurrë në fytyrën e PDK-së.
Për këtë kategori krejt normale, edhe unë i kuptoj dhe respektoj pikëpamjet e tyre. Por, nuk është normale dhe nuk e respektoj kurrë ardhjen dhe angazhimin e tyre në PDK.
Nuk është normale dhe është për keqardhje që ambiciet e tyre për rrënimin e vlerave liridashëse, demokratike, kombëtare dhe morale të PDK-së po i realizojnë përmes disa njerëzve tanë!!
Kjo farë duan që zgjedhjet, pasi ta ladrojnë mirë NËNTORIN e Madh të kombit shqiptar, ti kurorëzojnë dhe festojnë në prag të 17 Shkurtit, datë shumë e rëndësishme e kalendarit tonë kombëtar, por që rrënjët i ka në muajin NËNTOR dhe pa të do të zhbëhej si bryma para diellit. Më saktë sdo të ishte fare...
Zgjedhjet në PDK për të larguar vëmendjen nga bisedimet me Serbinë
Kosova ka hyrë në një fazë mjaft kritike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është aq e vërtetë sa nuk besoj se del kush dhe e kundërshton. Por, ky normalizimi i marrëdhënieve mund ti kërkoj Kosovës dhe popullit shqiptar të paguaj përsëri një çmim të vogël (haraç).
Për këtë situatë dhe pozitë të vështirë të Kosovës, përveç NATO-s (Fuqive të Mëdha, edhe sipas Gjeneralit Klark), është përgjegjëse Qeveria dhe institucionet që Shpallën Pavarësinë dhe që po qeverisin edhe sot.
Janë këto institucione që nisën mbrapshtë zbatimin e planit të Atisarit (mjaft i dëmshëm për Kosovën). Në vend se të këmbëngulnin që zbatimi i planit të Atisarit të niste në Veri kjo Qeveri (e sotmja dhe e djeshmja) nisën zbatimin e tij në Viti!!
Prandaj, po them që këtij ngërçi i ka ndihmuar mjaft edhe paria e Kosovës me politikat e saj naïve. Por, shqiptarët e PDK-së nuk besoj që do të bien viktimë e këtyre zgjedhjeve. Bisedimet (negociatat, dialogu
) me Serbinë po më rezulton se janë edhe një arsye tjetër e rëndësishme për mbajtjen e zgjedhjeve në PDK dhe për spastrimin e saj nga ata që, sipas shefit nuk po i do Evropa!!
Kjo Evropa që po i do dhe respekton Daçiçët e Milosheviçit dhe Nikoliçët çetnikët e Sheshelit, kjo Evropë që toleroi dhe po toleron shovinizmin dhe fashizmin serb në Iliri-Ballkan!! Apo, pse Serbia e ka majka Rusinë, gjë që në marrëdhëniet ndërkombëtare është e pranueshme dhe e respektueshme.
Vetëm klasa politike e Kosovës vazhdon të besoj se petullat mund të bëhen edhe me ujë, duke qëndruar duarkryq, ose më saktë, duke u angazhuar dhe vrapuar natë e ditë vetëm për vjeljen e të mirave dhe pasurive të këtij vendi, por pak e hiç për zhvillimin ekonomik, dhe sidomos mbrojtjen dhe sigurinë e këtij vendi.
Mbrojtja dhe siguria e Kosovës dhe popullit të saj nuk mund të shihet, siç po shihet, e shkëputur nga Tirana
Por, po të kihet parasysh përpjekja, angazhimi dhe këmbëngulja e një grupimi të fuqishëm (pushtetshëm) në PDK për ikjen, shkëputjen dhe ndarjen e PDK-së nga e kaluara e saj, nga vlerat që ishin përmbledhur dhe bashkuar në UÇK, e që ishin vlera të idealeve të popullit shqiptar, është e kuptueshme edhe përpjekja për të ikur, për tu shkëputur dhe për tu ndarë nga Tirana dhe nga identiteti shqiptar i PDK-së dhe për të përqafuar identitetin imagjinar kosovar!!
Si përfundim do të thoja se zgjedhjet në PDK dhe Kuvendi i saj zgjedhor do të shënojnë përmbylljen-fundin e një vazhdimësie, kurse një nëntori fillimin e këtij fundi. Këtë profeci e kisha për PDK-në, kurse për Kosovën vazhdoj të besoj dhe do të besoj gjithmonë se Ajo është e dënuar të ecën pandalshëm dhe pakthyeshëm në rrugën e saj shqiptare.
Këto janë procese, që të paktën deri sot nuk ka mundur ti ndalë asnjë grupim, shtet apo perandori. Në krye të këtij shkrimi vendosa një citat të Zh. Fushes, ndërsa në fund të tij po vendos mendimin e artë të mikut tim, H. S: Aty ku tëmgjithë mendojnë si shefi unë as shef nuk jam, as mendim nuk kam.
/Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së/