Zgjedhje pa zgjidhje
Shkruar nga Gani Qarri
Ishte një periudhë e mërzitshme,kjo e sapokaluara e legjislativit të fundit për banorët e varfër të një vendi të vogël si Kosova. Madje, nga\"xhurulldia\" e krijuar mbi zgjedhjet edhe festat e pranverës, për dallim nga vitet e mëparshme,sikur kaluan pandjeshëm kësaj here.
Nga viti në vit,vërehet qartë se në fytyrat e shqiptarëve çdo ditë e më tepër rrallohet gëzimi dhe buzëqeshja,në vendin më të varfër dhe të izoluar të Evropës së lirë e të begatë,në të cilin ende fitimi nuk bëhet sipas ligjit dhe drejtësia nuk vepron njëjtë mbi të gjithë.
Sado që për fushatën,thuhet se do të jetë vetëm 10 ditë dhe nga disa konsiderohet si tepër e shkurtër, përkundrazi unë mendoj se ajo është tejet e gjatë e mërzitshme dhe plotë bezdi, ngase partitë që pretendojnë pushtetin janë aq të shterura, me qeverisjet e dështuara, sa që nuk kanë më asgjë për të treguar e aq më pak për të premtuar dhe ofruar për 4 vitet e ardhshme.
Janë të njëjtit njerëz paragjykues, të cilët me dëshirë mashtruan gjatë gjithë kohës dhe çdo herë na kujtohen si një libër i keq në kohë të rënduara dimri.
Institucionet shtetërore në Kosovë bënë vjedhjet më të mëdha zhvatje dhe korrupsion të paparë.....
Ky shtet sikur u krijua për të pasuruar individët e politikës dhe goditur e anatemuar ata që marrin guximin të kritikojnë parregullsitë nga të cilat më së shumti vuajnë shqiptarët e varfër dhe të pa faj.
Për fat të keq,këtu nuk ka më kush ti luftojë padrejtësitë, informalitetin dhe hajnin, ndaj kjo gjendje ka quar deri aty sa që askujt \"nuk\" i intereson vjedhja e shtetit dhe varfërimi i banorëve të tij.
Kështu që pas 15 vitesh lirie,Kosova është kthyer në një vend të pa shpresë, pa dinjitet dhe ardhmëri, ku ligjin e bëjnë milionerët ,por dënohen e përndiqen xheparoshët e thjeshtë për disa qindra euro.
Kjo frikëson shqiptarët të cilët kërkojnë të migrojnë dhe ikin sa më parë nga ky vend.
Askush nuk dëshiron të qëndroj më në Kosovë.
Mjerisht, fakt është se ne kishim dhe kemi edhe një opozitë mosvepruese e totalisht të paralizuar,e cila u tregua jashtëzakonisht e dobët dhe jofunksionale gjatë gjithë kohës.
Ajo,edhe pse vendi ishte pllakosur nga papunësia dhe mjerimi ekonomik,nuk qe në gjendje asnjëherë ta ngritë sensibilitetin e këtij populli dhe mobilizojë atë për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tij, qoftë edhe me një protestë të vetme paqësore,që do ta kundërshtonte gjendjen e krijuar me korrupsion dhe amulli.
Ndaj,edhe nëse i fiton zgjedhjet, ç\'ndikim mund të ketë ardhja e saj në pushtet për të ecur vendi përpara,kur ajo përkundër gjithë fatkeqësive që përjetoi populli shqiptar ,nuk qe e zonja të organizoj as një grevë të vetme apo demonstratë mospajtimi,qoftë edhe në ndonjërin nga qytetet e mëdha të këtij vendi?!
Imagjinata e prapambetur dhe paragjykuese që mbizotëron te partitë e pareformuara shqiptare ,nuk ka mundësi më ti joshë njerëzit, njëjtë si premtimet boshe të cilat nuk kanë fuqi ta bindin askënd dhe për asgjë.
Kështu që,nëse një ditë vërtetë ndodhë liberalizimi i vizave,të gjithë do ikin nga sytë këmbët, për ta lënë këtë vend në duart e pasanikëve të ngritur brenda nate, të cilët për vete ndërtojnë pallate milionëshe, me para që nuk u dihet vendi as origjina edhe në vendndërtime pa leje, por ndjekin e shantazhojnë kundërshtarët politik, për disa qindra-euro, të cilat ende nuk janë vërtetuar si abuzime.
Mjerisht,shumica e partive i ngjajnë njëra tjetrës,mu si dy pjesët e të pasmes, të cilat i ndanë vetëm \"vija\" dalëse, nga e cila nxjerrin gjithë ndotësitë për të mbytur edhe më keq këtë popull të mjerë, aq më tepër ata njerëz që bëjnë sikur zgjedhin dhe votojnë,pa e ditur se ç`bëhet në të vërtetë me votën dhe vullnetin e tyre.
Ndaj nga mirëqenia dhe begatia përrallore që kanë krijuar (për vete) partitë dhe politikanët shqiptar, në momentin e parë që mund të liberalizohen vizat, Kosova pritet të zbrazet dhe boshatiset nga të gjithë varfanjakët e shumtë të saj, prej nga ka dro të ik edhe vet Vjollca Çitaku bashkë me ministrat e saj të integrimeve,nga vendi ku vetëm për njërën palë sikur vepron drejtësia,kurse për palën tjetër,ka disa vite që ajo është ndaluar me ligj.
Vend ku për disa herë u mbajtën zgjedhje por asnjëherë nuk u gjet zgjidhje për problemet e vërteta të shqiptarëve,gjë që pritet të ndodhë edhe kësaj radhe.