Zaret u hodhën, kush o të mbytet dhe përmbytet me 14 shkurt
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
HYRJE: Më parë është caktuar data e zgjedhjeve kurse më 1 shkurt është hedhur shorti për renditje të partive politike që janë bërë me numra.
Është interesant fakti se hiç këtu Nismen e cila e mori numrin 121, katër parti të mëdha shqiptare morën numrat, që me një ndryshim të vogël mund dhe besoj se do të jetë edhe renditja pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
LVV ua kërkon votën qytetarëve me numrin 127, LDK e ka numrin 132, PDK garon me numrin134 kurse AAK me numrin 135.
Ndërkaq, Lista Serbe, si parti e Serbisë në Kosovë do ta ketë numrin 119. Të gjitha partitë, për t’u treguar më të forta dhe për të fituar sa më shumë vota, janë stolisur me slogane, për mua krejtësisht të paqëlluara .
Pra, të fillojmë me hedhje të fallit, me më pak kompetencë dhe besueshmëri se zonja Meri. Po shkojmë nga renditja e partive që mund të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.
LISTA SERPSKA nr.119 nuk e di se ka ndonjë slogan garues por, më së shumti do t’i shkonte slogani : “ Poshtë Kosova dhe rrofshin Aleksandar Vuçiqi dhe Sllobodan Millosheviqi “.
Kjo parti që është ngjizur, është formuar dhe po forcohet nga çetnikizmi i Aleksandar Vuçiqit, Dikoviqit dhe Ivica Daçiqit e që haptasi deklarohet se shteti i tyre është Serbia dhe se kryetar e kanë Aleksandar Vuçiq, si mirëmbajtës i krimit të organizuar në veri të Kosovës e që dhunshëm eliminoi nga skena politike të gjithë serbët që ndjehen si qytetarë dhe shtetas të Kosovës, në çdo vend normal do të mbyllej dhe nuk do të lejohej, jo të bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës por as të merr frymë në këtë mjedis, shumë të ndotur politikisht e që quhet Kosovë.
Por, me ndihmën e disa ndrikullave ndërkombëtare dhe politikanëve të kriminalizuar kosovarë, LS, jo që ka rrezik të përmbytet por, me gjasë edhe do të rritet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit me iniciativat vazale në Graçanicë dhe pjesën e okupuar të Mitrovices.
Ka shumë mundësi të fitojë 14 deputetë përmes kontrabandimit të Adrianës së hoxhajve dhe Gazit të salianve. Këtë e bënë sipas modelit të Bosnjes dhe urdhërit të neoçetnikut, Aleksandar Vuçiq. E patë se çka deklaruan Aca dhe Gorani pas vizitës në “ Tokën e Premtuar “ të Fidel Kastros të Kosovës dhe Evita Peronit të Kosovës .
Reaguan sikur këta do ta shkilnin tokën ku është varrosur Otac Pavli në Serbi e jo në një pjesë që ka qenë dhe aktualisht është pjesë e Kosovës, nëse i referohemi kufijve të Kosovës në të cilët është pranuar si shtet nga 100 shtete të botës.
Largimi nën kërcënim të huliganëve serbë i Albinit dhe Vjosës nuk është, as i pari e as i fundit . I ndjeri Bajarm Rexhepi, si kryeminister i Kosovës pati bërë një përpjekje por iku, ku sytë – këmbët dhe ishte njeriu më i lumtur kur e “ përfundoi vizitën për integrim të komunitetit serb “. Hasha i pati flladitur koçet në Liqenin e Ujmanit, sigurisht me një leje speciale.
Pacolli e pati shkelur Veriun, sikur Hanibali Romën, me shumë përcjellës të armatosur ndonëse, sipas meje, edhe po të shkonte me brekë banjoje, askush nuk do t’i thonte asgjë.
Agim Gushafci, gati e shqeu gushën duke sharë me nënë një shqiptar në Mitrovicë ndërsa, kur ia shanë dhe fyen liderët që përbetohet në emër të tyre dhe që madje Albini e krahasoi me Hasan Prishtinën, nuk pati guxim ta bëjë as edhe një pordhë të vetme.
Nuk është Agim Bahtiri Hasan Prishtina por është Hasan Pordha i Albin Kurtit sot, dhe Behgjet Pacollit dje. Është shembulli më besnik i profilit të një politikani të mjerë, që vetëm në Kosovë mund të bëhet politikan.
Dhe, nuk është i vetmi por është i vetmi që sipas Albinit qenka i denjë të krahasohet me Hasan Prishtinën . Çfarë fyerjeje, çfarë mallkimi !
NISMA PËR KOSOVËN : E ka një slogan të cilit askush nuk i beson, madje as edhe ai që e ka dhënë idenë : ME ÇLIRIMTARËT.
Nisma për Kosovën, si themi ne në Llap : “ do të pjellë mace të zeza në përpjekje për ta kaluar pragun ...”, nëse edhe e kalon. Unë, tash për tash mendoj se gjasat i kanë 50% me 50%, një ditë para zgjedhjeve do ta jap prognozën përfundimtare.
Nuk mund të jeni vetëm ju me çlirimtarët kurse PDK, AAK dhe pjesa burimore e LVV të mos jenë me çlirimtarët. Edhe në LDK kishte çlirimtarë. Slogan i huqur që lehtësisht mund ta ketë një efekt tjetër, jo fort të shëndetshëm elektoral.
VETËVENDOSJE!: E ka sloganin garues KREJT DHE DREJT ! Në demokraci nuk ka KREJT DHE DREJT, sidomos jo në politikë.
Në politikë patën fituar KREJT por jo edhe DREJT, Lenini, Stalini, Titoja, Enveri, Musolini, Hitleri, Millosheviqi dhe Karaxhiqi prandaj e patën fundin kur i humbën KREJT DHE DREJT.
Slogani KREJT DHE DREJT për mua është slogan racist, përjashtues sepse nuk mund të keni KREJT për vete e të jeni të DREJTË ndaj të tjerëve ! Me KREJT DHE DREJT, Albini synon të gjitha votat, të gjitha postet, të gjitha nderet por jo edhe të gjitha përgjegjësitë !
Në funksion të këtij slogani është edhe lista për deputetë e LVV –së të cilën as Frankeshtajni nuk do të ishte në gjednje ta bënte të tillë.
Aty gjeni çdo gjë përveç një racionaliteti politik bashkëpunues me partitë tjera si dhe frymë apo përmbajtje kombëtare.
Albin Kurti shkoi te varri i Ibrahim Rugovës, e lavdëroi shumë ndonëse i mungon sinqeriteti absolut.
Pse ka shkuar, nuk ka asgjë të keqe sepse tash është pjesë aktive dhe agresive e politikës duke e kooptuar Vjosa Osmanin në listen e VV-së.
Pra, ka shkuar dhe do të shkojë edhe në të ardhmën dhe për këtë nuk duhet të kritikohet nga askush mirëpo, në anën tjetër mos të na çanë trurin me frymën demaçiane në LVV –ë.
Në çdo subjekt tjetër ka më shumë frymë demaçiane se në LVV –ë. Madje, sot në listën e LVV –së për deputetë ka të tillë që kanë folur dhe shkruar kundër Bacës Adem më shumë se shumë gazeta të Beogradit.
Ka mohues dhe urryes të Bacës Adem. Nuk e mohoj se në atë listë ka patriotë që dikur e kanë dashur, çmuar dhe respektuar Bacën Adem ! Thashë shumë qartë, dikur!
Në mesin e tyre është, pa asnjë dyshim edhe vet Albin Kurti ! Mund ta dokumentoj me 100 raste dhe fakte këtë !
Është kohë fushate dhe nuk dua ta dëmtoj askend . Vjosa Osmani është medaloni i quajtur farsë politike .
E lëshoi LDK-ë, për ta nënshtruar, bashkë me Albinin, për toke në zgjedhjet e 14 shkurtit e që, pastaj, të poshtëruar dhe të fyer ta bëjë bishtalec të LVV –së.
Vjosa Osmani sot nuk ka asnjë përkrahje politike nga ish subjekti politik që e lindi, e rriti dhe politikisht e ngriti përveç një delikuenti seksual dhe një tjetri që ia ka futur veti në kokë se është autoritet politik ndonëse forca dhe ndikimi i tij politik është aq sa edhe gjatësia dhe përmbajtja e mbiemrit që e ka !
Si e pavarur politikisht, për fat të keq Vjosa Osmani është e humbur, si akcesor i Albin Kurtit dhe LVV –së gjithmonë do ta ketë një post !
Ambalazhimin e jashtëm do ta ketë S’GUXO, kurse përmbajtjen 100% LVV –ë. E rëndë për një politikane që i ka patur të gjitha rrugët e hapura ndërsa ia ka mbyllur veti, pa të keqen e askujt !
Albin Kurtit po i duket e ngushtë këmisha e Kosovës prandaj po i shtrinë tentakulat e pushtetit në Shqipëri, jo për të marrë pushtet por për ta sfiduar Edi Ramën dhe përkrahur kandidatin e Vetëvendosjes nga Tropoja për zgjedhjet e prillit, kameleonin politik, Sali Berisha.
Ne, Shqipërinë nuk e kemi shtet kundërshtar e lëre më armik dhe nuk kemi nevojë t’i mbrojmë të drejtat e shqiptarëve atje.
Përkundrazi, kemi shumë nevojë për përkrahje nga Shqipëria sepse, pa Shqipërinë do të shndërroheshim në kurdë të Ballkanit.
Nuk ka nevojë LVV ta luaj rolin e Kominternës, Internacionales Komuniste midis dy luftave botërore.
Këta mercenarët e Kominternës në Shqipërisë që deklarojnë se duhet të luftohen bandat shqipfolëse në Prishtinë, le ta trusin bythën që e kanë shitur për një grusht lekësh, sot te Albini, nesër te të gjithë ata që u japin lekë !
Nëse Albini e konsideron Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, atëherë duhet ta respektojë parimin e mosndërhyrjes në punë të brendshme të një shteti fqinj.
Do të ishte shumë më e logjikshme që LVV të hapë zyrë në Beograd, të marrë pjesë në zgjedhje atje dhe t’u mbrojë të drejtat e mohuara shqiptarëve të Luginës.
Lëreni Shqipërinë te merret me problemet që i ka sepse, edhe ashtu keni deklaruar se nuk e kemi ndërmend ta ndezim luftën e tretë ballkanike për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Duket se vetëm tash Albini ka filluar të merret seriozisht me politikë duke e djegur kartën më të fortë për manipulim, bashkimi me Shqipërinë në emër të së cilës janë vrarë edhe aktivistë të LVV –së , Arben Xheladini dhe Mon Balaj ose janë çollomitur nga Policia e UNMIK-ut dhe EULESh-it shumë aktivistë të LVV –së dhe simpatizantë.
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Garon me sloganin SHTETI.SHTET në kohën kur Kosova, duke mos e kontrolluar afërsisht 30% të territorit ku nuk e shtrinë as sovranitetin efektiv dhe ku një shtet armik si Serbia është bërë aksionar i një pjese të Kosovës, më i mirë do të ishte slogani DO TA BËJMË SHTETIN.
LDK, në situatën aktuale nuk kishte tjetër mundësi, ose të veprojë si ka vepruar, ose, përmes Vjosës ta kooptojë krejt partinë në LVV –ë.
Isa Mustafs nuk ka patur tjetër alternativë . LDK edhe mund të dëmtohet në këto zgjedhje, por jo edhe të shembet siç po e dëshirojnë ata që janë afirmuar në këtë parti, ose ta ruaj substancën dhe investimin 32 vjeçar në politikë dhe procese nëpër të cilat ka kaluar Kosova. LDK duhet të reformohet në kuptimimn se duhet të krijojë shumë më tepër hapësirë për politikanë të rinjë në vendimmarrje e që i ka munguar deri më tani.
Aktualisht LDK është si një ekip futbolli që e ka një 11 –ësh të mirë por se ka zëvendësues mesatar apo edhe të dobët. Lista e LDK-së është, edhe e barazpeshuar sikur që është normale në kuptimin se nuk mbyllë rrugë për bashkëpunim, nuk fyen askend dhe intelektualisht është e qëndrueshme.
Këta politikanë që janë në listë që llogaritet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës kanë bagazh të dëshmuar profesional dhe intelektual sikur edhe përvojë të gjatë politike.
Askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën që ta respektojnë, kujtojnë dhe nderojnë themeluesin kryesor të saj dhe kryetarin e parë, Ibrahim Rugova por duhet ta kuptojnë dhe të binden se varrin e tij nuk mund ta përdorin si kuti për vota.
Është problem dhe mendoj e pamundur që proceset kryesore në Kosovë, ende të papërfunduara mund të bëhen pa LDK-ë. Nëse vërtetë nuk ndodhë një përmbysje vërtetë e madhe.
PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : RIMËKËMBJE është slogan që, për mendimin tim do të vlente ekskluzivisht për RIMËKËMBJE të vet PDK-së nga goditjet që ia ka dhënë Gjykata Raciste Speciale sikur edhe një pjesë e vet udhëheqësve të partisë të shndërruar në batakçinjë dhe cuba politikë të cilët partinë e kanë përdorur për përfitime personale, duke e dëmtuar shumë partinë.
PDK-së i kanë rënë shumë detyrime pas përfundimit të luftës, deri në shpallje të pavarësisë. PDK –ë ka qenë subjekti më i sulmuar, nga jashtë si dhe nga brenda dhe, çuditërisht, ndonëse është goditur, me të drejtë dhe pa të drejtë,ka mbijetuar dhe ka ruajtur një elektorat, sidomos në zgjedhjet e fundit.
Dobësitë e PDK-së për këto zgjedhje janë mungesa e votave në Anamoravë dhe Dukagjin ( vetëm Ramiz Kelmendi këtu mund të sigurojë vota ).
Tjetër mangësi është se nuk ka një adresë të qartë dhe të pakundërshtueshme të vendimmarrjes.
Për këtë edhe situatat që i shkonin shumë në favor, me papërgjegjësinë e disa anëtarëve e kanë kthyer kundër sikur që ishte rasti me “ votuesit nga Kraleva “ dhe vizita e Boni dhe Klajdit në Skenderaj.
Reagimet pas kësaj vizite ishin në kundërshtim të plotë me një politikë racionale duke e kthyer situatën në favor të dyshes Kurti – Osmani.
Përparësi e PDK-së është angazhimi, ndonëse me vonesë në terren dhe fakti se në PDK janë 35-40 veta që çkyhen për vota dhe, në këtë mënyrë sigurojnë vota edhe për partinë. PDK duhet të qëndrojë në opozitë por duhet të luaj rol konstruktiv.
ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS : Slogani FORCA E KOSOVËS lidhet me forcën e Ramushit dhe Dautit, pa ta do të shndërrohej në SHAMPITE E KOSOVËS. Udhëheqë në disa komuna të Kosovës dhe ka elektorat që nuk lëvizë drejt subjekteve tjera politike.
Ministrat e AAK-së në qeverinë Hoti kanë befasuar në aspektin pozitiv. AAK ka investuar në të rinjë që shihet edhe në listën për deputetë. Afërsisht do ta ruaj trupin votues.
PËRMBYLLJE : Askush nuk po e vë në dyshim fitoren e LVV –së. Unë aktualisht i japë 38 % të votave. Për vend të dytë do të bëjnë garë PDK dhe LDK . Votat e tyre do të sillen prej 20-23% për parti. AAK-ë, realisht do të duhej të sigurojë 10 % të votave kurse NISMA ështënë teh të pragut.
LVV po luan në kartën e epërsisë psikologjike përmes një presioni dhe agresiviteti që nuk është parë, që nga përfundimi i luftës. Albin Kurti po sillet sikur Dalaj Lama .
Tmerrësisht po i injoron dhe fyen subjetet tjera politike. Ka ofruar një listë më makiaveliste se ta kishte bërë vet Nikola Makiaveli.
Vetëm për të fituar sa më shumë vota dhe duke shpërfillur të gjitha parimet e mëparshme. Në mënyrë flagrante e dhunoi idenë e bashkimit kombëtar.
Nëse i fiton votat që po i japin sondazhet dhe nëse sillet me shpërfillje ndaj opozitës, përveç se do të dëmtohet demokracia, do të vendoset një autokraci e tipit të Aleksandar Vuçiqit.
Besoj se Albini do të ndërrojë qasje pas zgjedhjeve. Kam përshtypje se Albini, më shumë po bëhet gati për zgjedhje të reja se për konsolidim të pushtetit.
Opozita e ardhshme, me asgjë nuk duhet ta pengojnë Albin Kurtin ardhjen në pushtet nëse i siguron votat sepse vetëm sa do ta forcojnë më shumë.
Me qasjen që e ka sot Albin Kurti, me Vjosa Osmanin, si bartëse e listës së LVV –së, pas një viti do ta ketë një opozitë e cila nuk do ta lë të qetë as kur do të flejë.
Albin Kurti duhet të përcaktohet, o me Listen Serbe, o me një subjekt politik shqiptar, me vota të qëndrueshme . E shohim si do të shkojnë punët .
Personalisht nuk jam i sigurt se lista e Albin Kurtit do ta stabilizojë shtetin e Kosovës. Mendoj pikërisht të kundërtën.
Uroj të gaboj në këto parashikime sepse Kosova është interes mbi interes të një individi, cilidoqoftë ai.