Vushtrria dhe festat

Shkruar nga Bahri Bivolaku
Nastradini thotë qyrku e bën njeriun e jo njeriu qyrkun, gjersa një fjalë tjetër e urtë, thotë se veshja nuk e bën murgun.
Dikur qyrkun e bënte njeriu me dije, ndershmëri e punë, gjersa sot nuk e di por ka shumë zëra që thonë se rrobat e shtrenjta tregojnë gjithçka e jo vetitë tjera si vlera njerëzore, organizimi etj.
Dekada më herët në Vushtrri kishte pak njerëz me qyrk të mirë, por kishte shume dashuri dhe organizim.
Kremtohej shumëçka dhe me atë që kishim, por kishin dashuri njerëzore. Kremtohej edhe në kasollat e drunjta të bashqeve me bostan, bri lumit Sitnica, ku tuboheshin të rinjt e të rejat e bënin humor e muzikë gjerë në orët e vona të mbrëmjes, gjersa larja në lumë ishte një festë e vërtetë netëve të verës.
Një kërcim elegant i një të riu në mes të natës nga brigjet e lumit, gjithsesi se bëhej për ta parë shoqet e mbledhura.
Në vitin 1941 në Vushtrri trupa teatrore e qytetit dha dhjetëra shfaqje teatrale, në të cilat spikasinPësimet e Kosovës dhe Kosova e lirueme, gjersa dhjetë vite më vonë rinia organizonte pritjen e Vitit të Ri me orkestër të qytetit.
Në vitin 1951 në Vushtrri, në sallën e kinemasë, treqind të rinj e të reja festuan ndërrimin e motmoteve fillimisht me shfaqje teatrale, komedi e humor, e pastaj muzikë.
Dëshmitarët tregojnë se kënga më e preferuar e asaj kohe ishte kënga Hajde Gjyle, pasi të rinjtë, të gjithë e kishin nga një Gjyle të preferuar dhe këngën e këndonin me dashuri të gjithë.
Dikur në urën e gurit shkonin bashkëshortë e të rinj dhe të dashuruarit pasi ishte krijuar bindja dhe miti se prekja e gurëve të kësaj ure krijon shëndet e fortësi si forca e gurëve, ndërsa harmonia e gurëve të vendosur në urë, simbolizonte harmoninë e bashkshortëve të rinj në jetë.
Para ca dekadave në Vushtrrri kishte edhe festë të vajzave, të cilat përgatiteshin për nuse dhe kjo ngjarje lidhjej me Hamamin e qytetit.
Vajzat para marteses, në mënyrë të organizuar vinin në hamam të përcjellura nga shoqet e të afërmet me muzikë për tu përgatitur për nuse, gjersa shumë të rinj të tjerë rrinin anash dhe bashkarisht e festonin këtë akt.
Aty diku dhe në këtë mes ndonjë i ri gjente fatin e jetës me ndonjëren nga përcjellëset e nuses së ardhshme dhe në ato raste bënte punë akti i bërejes me sy.
Sot mbase është ndryshe, vërtetë kemi qyrkun por si duket po na mungon organizimi e mbi të gjitha dashuria për njëri tjetrin, mbase me shumë po i duam improvizimet.