Vrasës në tentativë të shpresës popullore - populli që vret vetën me votë që jep
Shkruar nga Ragip Rugova
Në shikim të parë duket e pa krahasueshme... Personalisht nuk e përjashtoj një analogji... Përkundrazi, ndërlidhja është evidente.
Në një popull ku ndodhë të vritet fëmiu femër i palindur, sepse babai lartë madhëria e tij e do mëshkull, një krim monstruoz ky pikë së pari në rrafshin human, e që në atë ligjor shihet vetëm si termin që lejon apo s'lejon abortin, në një popull të tillë s'është për t'u çuditur fare se ka sish që vrasin edhe shpresën e popullit në emër të tij dhe "për të mirën e tijë".
E pse jo, nga këndvështrimi i tyre shpellarë... Kur këta popullin nuk e shohin ndryshe por si kiet të mbërthyer në zgjedhë që duhet grahë sa t'i mbajnë këmbët. E kur të bien këmbësh... thjesht, i bëjnë mish për postërrmë.
Sepse këta kompas dhe busollë tjetër në jetë s'kanë pos një: cullën e tyre. Prej që kanë zbritur nga degët e deri në amshim!
Ti, që nxiton të më demantosh... Mos më thuaj se kjo është punë rastesh individuale, aty këtu... Jo, ka diçka, shumë çka madje, që del jashtë kornizave të mendësisë individuale.
Sepse këta, kësi, që popullit të vet i ofrojnë këso zgjidhje, këta ia dalin të strukturohet nëpër subjekte politike, dalin para popullit dhe i kërkojnë votën e tijë, me ç'kemi parë ia dalin edhe të marrin votën e popullit dhe strukturohen mbi popull...
Nuk janë këta gjahtarë të vetmuar, jo. Këta dalin nga populli, i ofrohen të njejtit për ta udhëhequr, ia vëjnë zgjedhen 'për t'mirën e tijë', dhe po ashtu 'për t'mirën e tijë' ia vrasin shpresën!
Ka diçka nekrofile në këtë qark vicioz të mjerimit mazohist ndër ne!