Votimi...!
Shkruar nga Faik Krasniqi
Votimi për zgjedhjen e zyrtarëve shtetërorë është forma më e dukshme dhe më e rëndomtë e pjesëmarrjes në jetën e demokracive të sotme, si dhe më themelorja. Një shoqëri mund të quhet demokratike vetëm kur ajo është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta.
Arsyet që i nxisin zgjedhësit janë po aq të shumta sa edhe shoqëritë dhe interesat që ato përfaqësojnë. Kuptohet qartë se zgjedhësit do të votojnë për kandidatët që përfaqësojnë interesat e tyre, por ato ndikohen gjithashtu edhe nga faktorë të tjerë. Një nga këto është përkatësia në një parti.
Ata individë që shohin tek një parti politike interesat e tyre, janë më të prirë për të votuar, sesa ata që e quajnë veten të pavarur apo të paparti. Në të vërtetë, në sistemet me përfaqësim proporcional, zgjedhësit mund të votojnë vetëm për një parti politike, por jo për kandidatë të veçantë.
Ekspertët e shkencave politike kanë zbuluar një sërë faktorësh të tjerë, të cilët mund të ndikojnë në parapëlqimin e zgjedhësve dhe në rezultatet e zgjedhjeve. Kështu për shembull, vendet me sisteme përfaqësimi proporcional, ku çdo votë ndikon në përfaqësimin në legjislaturë, priren që të kenë rezultate më të larta se vendet ku fituesi përcaktohet me shumicën e votave në një zonë të caktuar.
Pozita ekonomiko-shoqërore, lehtësia relative për t\'u regjistruar si zgjedhës, forca e sistemit partiak, përfytyrimi që krijohet për kandidatin nga mjetet e informacionit, shpeshtësia e zgjedhjeve, të gjitha këto ndikojnë në numrin dhe pjesëmarrjen e zgjedhësve në votime.
Në zgjedhjet demokratike, shpesh bëhen përpjekje jo për të përcaktuar se cili prej kandidatëve gëzon përkrahje më të madhe popullore, por se cili kandidat mund të arrijë të nxisë përkrahësit e tij që ta konkretizojnë mendimin e tyre në votë.
Rreziku i përhershëm që mund të lindë nga largimi i dëshirës së zgjedhësve për të votuar, nuk është se nuk do të ketë njerëz që të ushtrojnë funksionet shtetërore, por se ata që do t\'i ushtrojnë këto funksione, do të zgjidhen nga një numër gjithmonë e më i vogël zgjedhësish.
(Autori është publicist nga Prishtina)