24 Dhjetor 2024

Vota si detyrim qytetar

Shkruar nga Besnik Rama

Vota është një e drejtë e gjithsecilit për të shfaqur mendimin e tij në kohën kur mbahen zgjedhjet. Në njërën anë ndodhet Mendimi, në tjetrën qëndron Vota.

Mendimi përkthehet në votë dhe vota shndërrohet në përfaqësim të mendimit që ka gjithsecili. Pra, përmes votës njeriu përcjell mendimin e tij.

Zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti në Shqipëri duhet të shërbejnë për vendosjen e ekuilibrave të duhur në politikën shqiptare, në mënyrë që vendi të njoh stabilitet dhe proceset integruese të vijojnë.

Gjithashtu, vendi duhet të njoh përfaqësim dinjitoz në trupat diplomatike, rritje të shkallës së përgjegjësisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe çështjet e tyre në Ballkan, zhvillimin dhe garantimin ekonomik, rritjen e mirëqënies sociale, ngritjen e stadit të minimumit jetik etj.

Nga ana tjetër, ShBA-të dhe BE-ja duhet të forcojnë misionin e monitorimit mbi Shqipërinë dhe të jenë më kritikë e realist në deklarimet e tyre, pasi vetëm kështu mazhoranca dhe opozita, KQZ-ja dhe çdo faktor tjetër do të jenë të angazhuar, që procesi zgjedhor të jetë sa më transparent dhe zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike.

OSBE-ja dhe ODIHR-i duhet të delegojnë një numër jashtëzakonisht të madh të vëzhguesve të tyre, si rrallë herë më parë, në mënyrë që zgjedhjet të survejohen në tërësinë e tyre.

Ndërkaq, Shqiptarët duhet të shkojnë në zgjedhje. Nuk është se 23 qershori është detyrimi i parë për pjesëmarrjen e tyre.

Çdo palë zgjedhje, qofshin parlamentare apo lokale, duhet të ndërgjegjësojnë popullin tonë për rëndësinë e tyre. Kështu, mazhorancat qeverisëse do të jenë më konstruktive dhe të pranueshme, pasi shumica e shqiptarëve do të dalin në zgjedhje.

Përpos kësaj, pa shikoni vendet me demokraci të kulluar! Të gjitha, pa përjashtim, kanë një pjesëmarrje në zgjedhje mbi 80%.

Kjo tregon se një popull i kulturuar duhet të shkojë në votime; një popull demokratik duhet të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së tij; një popull intelektual duhet të peshojë fatin e tij përmes votës sublime.

Pra, kjo është një votë deliberative, më se e nevojshme për të ndrequr a rregulluar, përmirësuar apo progresuar jetesën e secilit prej shqiptarëve.     

Duke marrë parasysh rëndësinë e votës, meqë një pjesë e shqiptarëve jetojnë në emigracion, duhet të marrin pjesë të gjithë.

Ndonëse e drejta e emigrantëve shqiptarë për të votuar në vendet ku jetojnë nuk është dhënë nga Shqipëria, pasi kjo e fundit nuk është në gjendje të mundësojë diçka të tillë, sërish shqiptarët duhet të bëjnë njëfarë sforcimi. Edhe për hir të origjinës, kombësisë, por edhe të familjeve, të afërmve, miqve apo shokëve që jetojnë në Shqipëri. E ardhmja është dhe duhet të jetë në duart e shqiptarëve.

Këtë kredo qytetare duhet ta shfrytëzojnë. Përndryshe, mos të hakërrehemi më kot për fatin e Shqipërisë! Fati i saj kalon përmes secilit prej nesh.

Ndaj në këtë kontekst vota është një detyrim qytetar, detyrim kombëtar, detyrim kushtetues, detyrim emancipues, detyrim familjar e farefisnor. Një votë masive, një pjesëmarrje e gjerë sjell veçse pozitivitet.

Askush nuk mund ta cënojë pjesëmarrjen masive në zgjedhje. Edhe nëse faktorë të ndryshëm politik, të pistë deri në palcë, por edhe qytetarë mjeranë të tentojnë të tjetërsojnë votën, sërish nuk do të kenë forcën për ta ndryshuar drejtimin e saj, nëse populli merr pjesë masivisht në votime.

Kështu, çdo shqiptarë me të drejtë vote më 23 qershor duhet të votojë, si një detyrim ndaj vetes dhe kombit të tij.
    
Sipas gjykimit tim, është tejet e rëndësishme pjesëmarrja në votime dhe aspak vota se për kë do të shkojë. Secili duhet të marrë pjesë, edhe nëse ndihet i papërfaqësuar.

Vota ka të gjitha mundësitë: mund të votësh për subjektin, ku interesat tuaja dhe të Shqipërisë përfaqësohen më mirë, por mund të bojkotosh, duke e nxjerrë votën tënde të pavlefshme me një kryq në fletën e saj për papërfaqësimin tënd në asnjë prej subjekteve politike.

E shikoj votën si detyrim qytetar, prandaj jam i obliguar që nga ky këndvështrim edhe të këshilloj e të reagoj intelektualisht për fatin e kombit tim, të ardhmen e Shqipërisë sonë.


/Autori është botues & kryeredaktor i gazetës “Nacional Albania/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)