22 Dhjetor 2024

Vizioni për një sistem më të mirë shëndetësor

Shkruar nga Dr. Ilir Tolaj

Gjendja aktuale në shëndetësinë e Kosovës është në një sfidë të madhe dhe vet ky fakt e bën këtë sektor një prioritet të imponuar për çdo qeveri. Në demokraci të mirëfillta presioni më i madh politikës i vjen nga publiku dhe nuk kam dyshim që opinioni publik kosovar dëshiron të ketë një përkujdesje më të mirë shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë ka qenë vazhdimisht cak i kritikave të shumta për këtë gjendje të sektorit të shëndetësisë. Dua që së pari të ju siguroj që mungesa e suksesit në këtë Ministri nuk ka qenë asnjëherë për mungesë të punës dhe vullnetit të mirë të njerëzve që punojnë aty, por më tepër si rezultat i kushteve dhe metodave me të cilat kemi punuar.  Por, kjo nuk duhet të merret si një justifikim dhe të vetëkënaqemi, por përkundrazi, duhet të jetë një shtytës për punë më të madhe dhe përkushtim të devotshëm në përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Në muajt e fundit, ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë punuar në një dokument gjithëpërfshirës, i cili është themel i një strategjie, që ne mendojmë se do të fillojë ta vendos këtë sektor në binarët e duhur drejt përmirësimit të situatës.

Dokumenti fillimisht i ka studiuar dhe identifikuar të gjitha sfidat dhe problemet dhe ofron zgjidhje adekuate për secilin nga to. Në përpilimin e tij kanë qenë të përfshirë jo vetëm zyrtarë të Ministrisë, por edhe kontribuues të shëndetësisë nga spitale publike, private si dhe njohës të këtij sektori.

Ky plan bazohet në tri shtylla kryesore të veprimit ku secila ka rëndësinë e vet dhe ndërlidhen me njëra tjetrën.

Fusha e parë e veprimit është përmirësimi i gjendjes shëndetësore të popullatës dhe cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor.  Në këtë pikë të fushëveprimit, ne do të synojmë ndër të tjera të ulim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e përgjithshme të popullatës, të ristrukturojmë organizimin dhe kompletojmë infrastrukturën ekzistuese, të përmirësojmë menaxhimin e resurseve dhe cilësisë së shërbimeve, të zhvillojmë një sistem të informimit shëndetësor dhe të zhvillojmë një sistem të qëndrueshëm financiar të sektorit shëndetësor.

Fusha e dytë e veprimit që parasheh kjo strategji ka të bëjë me përmirësimin e menaxhmentit dhe lidershipit në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm dhe dëshmitarë të rasteve kur sektori i shëndetësisë është dëmtuar për shkak të keqmenaxhimit dhe papërgjegjësisë.

Plani i veprimit 2011-2014 për Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë parasheh të gjejë mënyra në parandalimin e rasteve të tilla duke filluar me një riorganizim të Ministrisë së Shëndetësisë në mënyrë që të udhëheq më së miri me sektorin e shëndetësisë.

Gjithashtu, do të vendosim një sistem formal të planifikimit buxhetor duke u bazuar në nevojat e popullatës si dhe të ofrojmë pagesa adekuate për ofruesit e shërbimit shëndetësor, duke u bazuar në performancën e tyre.  Përveç kësaj, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një autonomie për institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore por me këtë autonomi ne do të kërkojmë edhe përgjegjësi dhe llogari nga drejtuesit e këtyre institucioneve.

Pika e tretë e fushëveprimit të këtij plani të veprimit është përgatitja e sektorit shëndetësor për para- anëtarësim në BE.  Në këtë fushë ne do të punojmë në koordinimin e donatorëve funksional dhe ta bëjmë sektorin shëndetësor të Kosovës të gatshëm për  para anëtarësim në BE.  Për këto 10 vjet, ne kemi pasur vazhdimisht një asistencë nga donatorë të ndryshëm, por për mungesë të një koordinimi të mirëfilltë shpesh kjo asistencë është duplifikuar.

Ministria e Shëndetësisë do të marr një rol udhëheqës në punën me donatorët dhe do të përcaktojmë prioritetet dhe nevojat tona për fushat ku kemi nevojë për asistencë nga donatorët. Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një synim i pakontestueshëm i mbarë popullatës së Kosovës por anëtarësimi në këtë organizatë na obligon që të përmbushim shumë kritere dhe ne do ti paraprijmë këtij procesi duke punuar konkretisht në përmbushjen e këtyre kritereve.

Në 10 vjetëshin e fundit në Kosovë janë përpiluar shumë strategji dhe dokumente të cilat shumë shpesh kanë mbetur vetëm ide në letër.  Mbase mbresa e parë e popullatës do të jetë që edhe kjo strategji e prezantuar nga ne do të jetë një ide në letër.  Por ne, do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme që kjo strategji të implementohet.  Hapat e paraparë në këtë strategji nuk do ta bëjnë një ndryshim brenda natës në sektorin e shëndetësisë, por është një fillim i mbarë i një kthese në drejtim të duhur.

Për të arritur implementimin e suksesshëm të kësaj strategjie do të duhet kontributi jo vetëm i punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë, por një përkushtim i devotshëm i çdo punonjësi në këtë sektor, qofshin ata drejtorë spitalesh apo klinikash e deri te mirëmbajtës të këtyre institucioneve.  Por, para se gjithash, do të duhet përkrahja e popullatës sepse në fund të fundit, ata janë punëdhënësit tanë dhe ne kemi detyrë që ta kryejmë punën për të cilën ata na kanë dhënë besimin.

(Autori është Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)