23 Dhjetor 2024

Viti 2019 të jetë vit i punësimit

Shkruar nga Ahmet Pllana

Sapo hymë në vitin 2019. Uroj që ky vit të jetë vit i punësimit. Vitin 2019 ta quajmë ‘vit i punësimit’, meqë ia vlen që ta quajmë të tillë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë që ekziston në Kosovë. 

Punësimit sikur nuk i është dhënë rëndësi e madhe asnjëherë që prej çlirimit të Kosovës, që nga viti 1999 e deri më tash.

Po bëhen 20 vite apo dy dekada, ndërsa sa i përket punësimit mund të thuhet se pak kemi bërë në drejtim të punësimit, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë.

 Asnjëherë deri më tash nuk është hartuar ndonjë strategji për punësim. Asnjë qeveri deri më tash nuk ka hartuar një propozim dokument të hartuar dhe të quajtur Strategji e Punësimit, ndonëse ka pas disa Strategji për Zhvillim Ekonomik të vendit.

Në Strategjitë e Zhvillimit Ekonomik përshkruhej zhvillimi ekopnomik në periudha afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata, ku si një parim i përgjithshëm paramendohej edhe punësimi si pasojë e zhvillimit ekonomik.

Mirëpo, realisht nuk ka patur asnjëherë strategji adekuate vetëm për punësim. Kjo nuk është menduar dhe as planifikuar për shkak se mendimet kanë qenë që punësimin e bën sektori privat dhe jo sektori shoqëror.

Gjatë një interviste me ish ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shalën, një ndër pyetjet ishte edhe kjo: Pse qeveria nuk harton një strategji të punësimit për hapjen e fabrikave në të gjitha komunat, në mënyrë që të hapen vende të reja të punës dhe të bëhet punësimi i të papunëve, ndërsa me këtë të eliminohet papunësia, e cila ekziston në një shkallë të lartë në Kosovë.

Përgjigja e tij ishte: Punësimin e bën sektori privat dhe jo shteti. Ndërkaq, komenti im ishte: nëse punësimi mbetet vetëm te sektori privat, atëherë nuk do të ketë punësim adekuat sipas kërkesave dhe nevojave, por bizneset do të shkojnë me numrin më të vogël të të punësuarve me qëllim që të japin sa më pak paga.

Kishte të drejtë ministri që tha se hapjen e fabrikave dhe punësimin e bën sektori privat, por në anën tjetër ministri e pranoi se edhe unë kisha të drejtë, meqë nuk ishte hartuar asnjëherë asnjë strategji për punësim.

Sido që të jetë, duhet thënë realitetin dhe atë që është e drejtë, sepse në shumë vende punësimi bëhet me planifikim dhe në bazë të një strategjie të hartuar në formë plani.

Në strategji mund të përfshihen analizat dhe planifikimet si dhe ku mund të bëhet punësimi, çfarë biznesesh prodhuese (por edhe shërbyese dhe tregtare) duhet të hapen që të arrihet punësimi dhe zvogëlimi i papunësisë?!

Vetëm punësimi dhe puna prodhuese mund të ngrisin standardin jetësor të qytetarëve. Me tregti dhe shërbime nuk zhvillohet ekonomia.

Prandaj, prodhimit duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë dhe shumë e madhe, duhet t’i jepet një përkrahje e ndihmë në të gjitha aspektet.

Bizneset prodhuese, sidomos bizneset e reja dhe të sapohapura prodhuese të përkrahen maksimalisht nga institucionet dhe nga bankat, duke u dhënë kredi të buta, me grejs periudhë të gjatë, me kthim afatgjatë dhe me kamata tejet të ulëta.

Përndryshe nuk mund të hapen biznese të reja prodhuese, ndërsa bizneset ekzistuese prodhuese me vështirësi mund të zhvillojnë aktivitete prodhuese.

Arsyeja pse duhet të përkrahen maksimalisht dhe në çdo mënyrë bizneset prodhuese, ekzison të parimi ekonomik se pa prodhim nuk ka zhvillim ekonomik të një vendi.

Madje, ekspertët e ekonomisë thonë se eksporti në minimum duhet ta mbulojë importin me 40 për qind për të qenë një ekonomi e qnëdrueshme.

Përndryshe, ekonomia nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta apo ndryshe mund të thuhet se një vend me import të lartë mbi 60 për qind ka një ekonomi të paqëndrueshme.

Importi i lartë nuk e lejon zhvillimin ekonomik, e ngulfatë dhe prandaj ka ngecje dhe mbetje në një vend ose edhe më keq, mund të ketë kthim prapa.

Punësimi arrihet me prodhim, me plotësimin e tregut të brendshëm me prodhime vendore, por edhe me eksport të prodhimeve vendore në tregun e jashtëm.

Bizneset prodhuese t’i përkrahim maksimalisht dhe t’i vizitojmë shpesh ato që t’i shohim problemet dhe vështrësitë e tyre, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë kur ato kanë nevojë, qoftë edhe me furnizim me energji elektrike.

Për fund: Vitin 2019 ta quajmë vit të punësimit! Të punësojmë sa më shumë të papunë në të gjitha sektoret e ekonomisë. Suksese! Gëzuar 2019 me punësim!
 
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)