Viktimizimi i popullit në demokraci dhe përgjegjësia e tij ndaj vetës!
Rezultatet e një eksperimenti të kryer në fillim të viteve të 70-ta në Universitetin e Stanfordit tregojnë se si pushteti i komprometon njerëzit normal duke i shndërruar ata në sadistë, dhe në të njëjtën kohë se si i vë në depresion ata të pafuqishmit, që janë përcaktuar të luajnë rolin e viktimës.
Në rastin e eksperimentit në fjalë, që njihet si eksperimenti me të burgosurit, të eksperimentuarit që ishin përzgjedhur të luajnë rolin e gardianëve filluan të shfaqin sjellje të dhunshme ndaj të eksperimentuarve të tjerë që ishin përzgjedhur të luajnë rolin e të burgosurve, ndërkaq këta të fundit, ndonëse në fillim u rebeluan, shumë shpejt filluan ti përshtaten rolit të tyre. Madje, në disa raste filluan të tregonin edhe simpati ndaj gardianëve (abuzuesve).
Ndonëse ka edhe mjaft eksperimente të tjera që argumentojnë prirjen e njerëzve për tiu nënshtruar autoritetit, mjaftojnë vetëm rezultatet e këtij eksperimenti për të kuptuar simpatinë patologjike të LDK-së ndaj PDK-së, e konfirmuar së fundmi me koalicionin e ri qeverisës, si dhe nënshtrimin e përgjithshëm të popullit ndaj pushtetit, të konfirmuar në vazhdimësi me heshtje dhe mbështetjen të po të njëjtit pushtet.
E para, LDK, ndonëse në vazhdimësi është ankuar për brutalitetin e PDK-së, duke e akuzuar atë edhe për vrasje të shumta politike, prapë në fund, tani për të dytën here, vendos të harroj çdo gjë dhe të bashkëpunoj me po ata që deri dje i konsideronte vrasës të njerëzve të tyre.
Në anën tjetër populli, ndonëse ne vazhdimësi tregon të jetë i pakënaqur, asnjëherë nuk ngrit zërin për pakënaqësitë e veta, dhe vazhdimisht voton po të njëjtit njerëz që ua vështirësojnë jetën atyre. Si do që të jetë, unë nuk dua të merrem fare as LDK-në e as me PDK-në, gjegjësisht pushtetin.
Mendoj se përgjithësisht nuk duhet të vazhdohet me kritika ndaj tyre, jo për shkak se ata nuk e meritojnë, por për shkak se tashmë është e pashpresë ndryshimi i tyre, e veçmas ndryshimi i gjendjes nëpërmjet kritikave ndaj tyre.
Është e kotë që të synosh ndryshimin e gjendjes nëpërmjet kritikës ndaj pushtetit, dhe duke qenë se jemi një ushtri (shoqëri civile) me arsenal të limituar, duhet të përpiqemi që të mos shtiem kot.
Në vend të saj, mendoj se është më e udhës dhe më shpresëdhënëse të merremi me popullin, ngaqë është mundësia e vetme për të ndryshuar gjendjen.
Përndryshe, nëse populli nuk dëshiron të ndryshoj, i pëlqen kështu siç është, atëherë unë dhe të pakënaqurit tjerë duhet të rishqyrtojmë vetveten, gjegjësisht pakënaqësitë tona, ngaqë nuk mund të ia imponosh askujt ndryshimin.
Pse nuk po ndryshon populli?
Përgjigja është e thjeshtë dhe ndërlidhet me eksperimentin e lartcekur. Populli është pajtuar të luaj rolin e të burgosurit, dhe ndjehet i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen, e për më keq, në mënyrë patologjike zhvillon një lloj simpatie ndaj gardianëve të burgut (udhëheqësve të shtetit).
Kush ia përcaktoj popullit këtë rol?
Rolin e të burgosurit, që realisht është rol i viktimës, ia kanë përcaktuar disa faktorë socio-historik, mirëpo asnjëherë nuk duhet të harrojmë edhe përgjegjësinë e vet popullit për pranimin e këtij roli.
Sa i përket faktorëve socio-historik, mentalitetin e viktimës ndër shqiptarët, veçmas atyre në Kosovë, e ka krijuar shkenca e historisë, e ka kultivuar filozofia e rezistencës pasive në krye me Ibrahim Rugovën, ndërkaq e ka instrumentalizuar politika manipuluese e Hashim Thaçit.
Historia na mëson për pozicionin tonë të viktimës për mijëra vjet, duke filluar nga pushtimet romake, më pas otomane, dikur më vonë ato sllave, dhe në vazhdimësi neglizhencën e evropianeve ndaj nesh.
Kështu, në bazë të mësimit të historisë, ne nxitemi të mendojmë se jemi populli më i lashtë në Ballkan, mbase edhe në Evropë, dhe se do të ishim më i civilizuari edhe sot, po të mos ishin padrejtësitë e të tjerëve ndaj nesh.
Asnjëherë nuk përmendim përgjegjësitë tona gjatë historisë, dhe kjo është një keq-edukim që ne i bëjmë vetës. Hebrenjtë ishin më të persekutuar se sa ne, por ata, ndonëse të shpërngulur nëpër botë, prapë arritën të ktheheshin dhe të formonin shtetin e tyre që sot është shumë i fuqishëm, apo jo?
Nejse! Përveç historisë, mentaliteti i viktimizimit tonë arriti kulmin e vet gjatë viteve të 90-ta, kur presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ndonëse i ankohej në vazhdimësi ndërkombëtarëve se po na rrahin serbët, shqiptarëve u kërkonte të mos reagonin, ngaqë janë të pafuqishëm.
Kështu viktimizimi ishte mekanizmi me të cilin shqiptarët e Kosovës ngushëllonin veten gjatë viteve të 90-ta dhe, duke qenë që ky mekanizëm ndërlidhet, madje edhe mbizotëron historinë që ne i tregojmë vetes, viktimizimi tashmë është bërë arketip shpirtëror i yni.
Si mund të ndryshoj populli?
Përveç modelit tashmë të dhënë nga një koleg i imi psikolog, Jusuf Thaçi, i cili proklamon revolucionin e heshtjes të të zëshmëve si mjet për të arritur zgjimin e të heshturve, unë shtoj se heshtja (injorimi) duhet të ndodh vetëm në raport me pushtetin, por jo edhe me popullin.
Mendoj se heshtja totale nuk mjafton, por ajo duhet të pasohet edhe me disa kritika ndaj vet popullit. Kështu, kur populli ankohet dhe pyet kritikët e deritanishëm se pse nuk po kritikoni më, përgjigja e tyre duhet të jetë: ju vet i keni fajet! Kritikët duhet ti kujtojnë popullit përgjegjësinë që ka karshi gjendjes, dhe të mos vazhdoj më tutje amnistinë e tyre.
Nuk bënë të vazhdohet me idenë e viktimizimit të popullit, dhe ekzistojnë tri arsye bazë për këtë. 1. Demokracia si sistem i qeverisjes së popullit apriori përjashton mundësinë e viktimizimit të popullit në demokraci; 2. Viktima nuk është domosdo e mirë, por është vetëm viktimë; 3. Pranimi i viktimizimit shkakton pesimizëm të thellë dhe automatikisht përjashton mundësinë e ndryshimit.
Në lidhje me pikën e parë, mendoj se akuzat sistematike rreth gjendjes së rëndë socio-ekonomike në vend, që drejtohen ekskluzivisht ndaj pushtetit, ndonëse jo pavend, në masë të madhe janë duke ndikuar në defaktorizimin e popullit, për rrjedhoje edhe zbehjen e përgjegjësisë së tij karshi gjendjes.
Duke fajësuar qeverinë për gjithçka, ne po harrojmë se kjo qeveri nuk ka ardhur nga qielli, por e ka zgjedhur vet ky popull. Edhe nëse drejtpërdrejtë jo të gjithë kanë votuar për zgjedhjen e tyre, me mospjesëmarrjen në votime kanë ndikuar direkt në fitoren e tyre, dhe këtu vlen parimi i Sartrit, i cili thotë se njerëzit janë përgjegjës jo vetëm për veprimet e tyre, por edhe për vendimin për të mos vepruar. Rrjedhimisht, elita intelektuale, përfshirë edhe mediat, duhet të fillojnë ti kujtojnë popullit, dhe jo vetëm politikanëve, përgjegjësinë që kanë.
Kështu mund të arrihet deri tek një zgjim i mundshëm i tij, e për rrjedhojë edhe disiplinim të politikanëve. Në të kundërtën, modeli kritikës së deritanishme, duke akuzuar vetëm politikanët, ndërkaq duke amnistuar popullin në tërësi nëpërmjet paraqitjes së tij si viktimë, jo vetëm që nuk do të zgjoj popullin, por nuk do të përmirësoj as politikanët.
Sa i përket pikës së dytë, ndonëse siç u cek viktimizimi i popullit në demokraci është diçka që nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodh, në rast të ndonjë paradoksi, pra ndodhjes së saj, atëherë njerëzit duhet ta kenë të qartë që viktima nuk është domosdo e mirë, por është vetëm viktimë.
Shpesh herë ndodh që njerëzit nëpërmjet viktimizimit përpiqen të paraqesin vetën të ndershëm, dhe shpesh herë kjo funksionon, dhe ka ndikuar që njerëzit pavetëdijshëm të pëlqejnë rolin e viktimës. Mirëpo, jo domosdo viktima është e mirë dhe e ndershme. Fakti që jeni viktimë nuk nënkupton me automatizëm se ju jeni i/e mirë. Tjetër gjë është të mos bësh keq, dhe tjetër gjë është të mos kesh mundësi të bësh keq.
Ndërkaq sa i përket pikës së tretë, duhet të jemi të vetëdijshëm se viktimizimi përjashton mundësinë e ndryshimit, andaj është jetike që të tejkalohet kjo mendësi. Duke e menduar vetën si viktimë ne as nuk mund të ndryshojmë vetën dhe as të përmirësojmë qasjen e të tjerëve ndaj nesh.
Në vend të viktimës populli duhet të filloj të sheh vetën si faktor, dhe një gjë e tillë përveç që do ti lind shpresën popullit, mund të ndikoj edhe në disiplinimin e politikanëve.
Duke e konsideruar vetën si faktor populli do të përbëj një kërcënim serioz për politikanët, dhe këta të fundit domosdo do të përmirësojnë sjelljen e tyre karshi popullit, ngaqë në një revolucion të mundshëm janë pikërisht ata që do të humbin më së shumti.
Askënd dhe asgjë më shumë nuk rrezikon revolucioni se sa pasuritë milionëshe të këtyre politikanëve. Si do që të jetë, ndaj bindjen se revolucioni nuk është i domosdoshëm, por mjafton vetëm zgjimi i popullit dhe një paralajmërim serioz për revolucion.
Në atë mënyrë politikanët do të kenë shansin e fundit për të reflektuar ndaj gabimeve të tyre, si dhe kohën dhe mundësinë e mjaftueshme për të përmirësuar ato gabime.
Përfundimisht, nuk mund të ketë ndryshim të politikanëve pa zgjimin e popullit, dhe nuk do të ketë zgjim të popullit duke kilikuar vetëm politikanët. Populli nuk mund të jetë viktimë në demokraci, dhe detyrimisht duhet të vetëdijesohet për përgjegjësinë që ka ndaj vetës.