Vetëvendosja, dhuna dhe përfitimet
Shkruar nga Faton Abdullahu
Nëse edhe më tutje Qeveria dhe Vetëvendosja do ti ruajnë të pandryshuara pozicionet e tyre, gjasat që problemet që ishin të shprehura vetëm në Veri dhe kishin të bënin me reciprocitetin, të zhvendosen, konkretisht të shpërndahen gjithandej në krejt Kosovën, janë shumë reale.
Është e nevojshme të ndryshojë diçka urgjentisht, që të ndryshojë gjendja për të mirë. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë, sepse Qeveria do të kërkojë ndaljen e protestave dhe në këtë kërkesë mori edhe përkrahjen e Presidentes, por e ka edhe atë të bashkësisë ndërkombëtare, kurse Vetëvendosje e ka përkrahjen e organizatave joqeveritare dhe të një numri jo të vogël të qytetarëve (që po shtohet gjithnjë e më shumë), për shkak të dhunës së ushtruar që ishte në shpërpjesëtim me nevojën për të mos penguar lirinë e lëvizjes.
Në këtë aspekt mund të ndihmojë shumë opozita, sidomos LDK -ja dhe AAK-ja, por duket se ato deri më tani me qasjen e tyre janë pozicionuar më shumë në abstenim, për të përfituar nga gabimet e mundshme të të dyja palëve.
Qeveria duket se ka përdorur atë dhunë kundër protestuesve përveç tjerash edhe pse është trimëruar nga përkrahja ndërkombëtare. Por kjo ka shkuar në dëm të saj. Do të ishte krejt më ndryshe sikur ajo të priste që Vetëvendosja të veprojë konkretisht, që nënkupton përdorimin e një lloj dhune, për ta ekzekutuar qëllimin Serbia nuk kalon e pastaj të përdorte veprime për ti parandaluar këto aksione.
Por Qeveria nuk veproi kështu, durimi i saj humbi para se Vetëvendosja të përmbysë kamionë. Në anën tjetër, nga e gjithë kjo duket se Qeveria aktuale ka akumuluar një kapital goxha të mirë jo vetëm politik, për të cilin jo të gjithë janë të vetëdijshëm dhe ai kapital mund të përdoret në të mirë të Kosovës, nëse Qeveria nuk gabon, përkatësisht, nuk heziton përsëri.
Pse mund të konstatoj kështu? Sepse para opinionit ndërkombëtar, para Beogradit zyrtar, para serbëve të Kosovës dhe sidomos para atyre të Veriut, Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se kur është fjala për lirinë e lëvizjes, ajo intervenon dhe përdor forcën edhe nëse fjala është për protestuesit shqiptarë, bile edhe nëse mund të humbë pikë politike te një shtresë e popullsisë së Kosovës, gjë që edhe ndodhi.
Pra, herën tjetër kur serbët e Veriut mund të bëjnë, tashmë gjëra të zakonshme në qasjen e tyre kundër lëvizjes së lirë, Qeveria mund të intervenojë në Veri edhe kundër qytetarëve serbë, ashtu sikundër veproi më 14 janar kundër qytetarëve shqiptarë.
Nuk ma merr mendja se këtë e kanë kalkuluar aktivistët e Vetëvendosjes, kur i kanë hyrë punës për ta ndalur Serbinë ashtu si duan ta ndalin. Por duket se Vetëvendosje vështirë do të vendosë që ta ndalë apo ta ndryshojë politikën e saj sa i përket reciprocitetit. Ajo me gjithë këtë që ka ndodhur në ditën e 14 janarit ka fituar politikisht.
Asaj i ka shkuar për dore, më mirë se kurrë më parë ta gërshetojë veprimin në rrugë, me vendimin institucional, në rastin konkret me vendimin e Kuvendit për reciprocitet.
Ndërkaq përdorimi i tepruar i dhunës ose formuluar më saktë, përdorimi i saj në përpjesëtim jo të drejtë me nevojën që u paraqit atë ditë për ta mbrojtur lirinë e lëvizjes, vetëm se i ka shtuar pikë politike, sidomos tek ato shtresa që ndoshta më herët kanë hezituar ta përkrahin Vetëvendosjen, posaçërisht sa i përket veprimeve jashtinstitucionale.
Por ka një kalkulim jo të saktë, mbase të gabueshëm, në këtë lloj vlerësimi që po bëhet ditëve të fundit. Duhet bërë një lloj dallimi, në njërën anë ndërmjet simpatisë që u rrit për Vetëvendosjen e që buronte nga dhembshuria ndaj tyre, për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj aktivistëve dhe, në anën tjetër, përkrahjes përmbajtjesore nga qytetarët për veprimet e Vetëvendosjes të cilat ende konkretisht nuk i kemi parë të ekzekutuara me moton Serbia nuk kalon.
Thënë më shkurt, të gjithë ata që kanë kritikuar dhunën jo detyrimisht kanë qenë me Vetëvendosjen, ndërkohë që kritikat më të mëdha kundër krejt kësaj që është bërë është përdorimi i dhunës. Në anën tjetër e mira dhe pozitivja që burojnë nga protesta e Vetëvendosjes, qëndrojnë te paralajmërimi i qartë edhe vizuelisht, se diçka duhet bërë më konkretisht dhe më shumë për parandalimin e Serbisë, thjeshtë për parandalimin e politikës së saj luftënxitëse në Kosovë.
Kjo është porosi edhe për Qeverinë e cila fundja bërjen e veprimeve më konkrete dhe më të drejtpërdrejta kundër Serbisë, mund ti justifikojë para ndërkombëtarëve me logjikën se nëse unë nuk do të bëj më shumë kundër Serbisë, situata do të dalë jashtë kontrollit dhe do të veprohet në rrugë. Dëshmi më të mirë për këtë e ka 14 janarin dhe Vetëvendosjen.
Në fund duhet gjithsesi përmendur edhe vlerësimet dhe konstatimet e bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe diplomatin amerikan Filip Riker, lidhur me atë që ndodhi më 14 janar.
Emërues i përbashkët i tyre ishte se duhet të respektohen institucionet dhe të mos veprohet në rrugë, kështu sikundër u veprua. Kjo është pak a shumë ajo që u dëgjua nga ndërkombëtarët, por ajo që mësuan ata nga ky rast duhet të jetë shumë më e rëndësishme dhe gjithsesi vërejtje shumë më serioze se Kosova duhet të bëjë diçka më shumë dhe më shpejt që ta parandalojë Serbinë në gjithë atë që ajo po bën në Veri dhe gjithsesi jo vetëm atje.
Nëse kjo nuk ndodh, nëse Serbia nuk parandalohet, situata në Veri do të përkeqësohet dhe çka është më negativja kjo e keqe do të shpërndahet nëpër Kosovë, duke u kthyer në problem intern, sidomos ndërmjet Qeverisë dhe Vetëvendosjes.
Thënë përmbledhtazi, para se ndërkombëtarët ti thonë stop Vetëvendosjes, duhet ta thonë dhe ta bëjnë këtë në rend të parë dhe para se gjithash ndaj politikës së Beogradit në Kosovë.
Presidentit aktual Tadiç, sigurisht iu ka shtuar disponimi në darkën e 14 janarit, kur ka dëgjuar dhe ka parë në televizion përleshjet Qeveri Vetëvendosje në Kosovë, sepse formulës së tij se në Kosovë gjërat nuk po funksionojnë, se ka shumë probleme dhe se po shtrohet nevoja për një zgjidhje për këtë problem, iu ka shtuar edhe një justifikim, për të cilin ai është shumë i vetëdijshëm se ka qenë kontribuues i madh, bashkë me serbët e tij të Veriut.
Vështruar nga ky prizëm, këtë shkrim do ta përfundoj ashtu si e fillova, me kërkesën se duhet gjetur një zgjidhje që të tejkalohet kjo situatë, sepse mbajtja e qëndrimeve të njëjta nga Qeveria dhe nga Vetëvendosja do tia shtojë disponimin politik Tadiçit i cili këto ditë erdhi me një plan të ri për Kosovën, të cilin Britania, me disa kushte, e ka pranuar.