Vetëm asociacione reciproke
Shkruar nga Gani Qarri
Siç dihet nga shumica e popullit tonë, apo më mirë të themi, nga një pjesë e madhe e opinionit vendor dhe ndërmjetësuesve evropian, asnjë nga marrëveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë,nuk e kanë primatin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo për faktin se BE-ja,megjithëse ndërmjetsuese dhe lehtësuese e procesit të bisedimeve dypalëshe, për shkak të mosnjohjes së vendit tonë nga pesë vendet anëtare të saj,as vet BE, ende nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Ndaj përfaqësitë diplomatike ,dhe të gjithë ata faktorë që në emër të Dialogut Teknike futën Kosovën në këtë lojë të pa qartë politike,tani e kanë për obligim dhe detyrë që të ndihmojnë vendin tonë dhe përfaqësuesit shqiptar,qoftë edhe Qeverinë aktuale të Kosovës, për të dalë nga situata e krijuar.
Ata,pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vërtetoi se \"zajednica\" serbe nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,duhet që në mes dy vendeve tona ,përfundimisht të krijojnë reciprocitet dhe detyrojnë Serbinë që të pranojë, jo vetëm rinegocimin siç po trumpetohet kohët e fundit, por edhe reciprocitetin, për shqiptarët në Kosovën Lindore, në mënyrë që edhe ata të trajtohen si njerëz dhe kenë mundësi për krijimin e asociacionit të tyre, të njëjtë me atë të serbëve në Kosovë.
Në fakt, kjo për serbët e Kosovës, nuk do të ndryshonte asgjë,kurse për shqiptarët nën Serbi,do të thoshte shumë,sepse Serbia në të ardhmen, nuk do të guxonte që edhe më tejë ti trajtonte bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore, si njerëz të dorës së dytë, poqese statuesi i tyre do të rregullohej juridikisht në shkallë analoge me asociacionin e serbëve në Kosovë.
Një akt i tillë reciprok, do të shndërrohej në Marrëveshje të pranueshme dhe obligative ndërshtetërore,garancinë e respektimit dhe barasvlershmërisë së të cilave, për të dyja palët, do ta siguronte BE-ja.
Qysh pas arritjes së marrveshjes për krijimin e zajednicës në gusht të vitit 2015, edhe eksperti i njohur amerikan për rajonin, Daniel Serwer, pati shpreh brengosje dhe deklaroi se ka arsye për të dyshuar nëse vërtetë Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, ishte ide e mirë.
Kjo edhe për faktin se sipas z. Serwer, vet Asociacioni, nuk u definua politikisht as gjeografikisht, por vetëm si asociacion një-etnik serb, gjë që mund të bëhet shkas për qeverisje të ndarë serbe,atje ku shtrihet \"zajednica\", veç nga strukturat shtetrore të Kosovës.
Në këtë mënyrë pati filluar ekzaltimi i etnitetit serb në Bosnje e Herzegovinë, i cili që nga zyrtarizimi i tij, e bënë këtë shtet përditë e më jofunksional.
Ndaj, me shumë të drejtë, edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian,z. Ulrike Lunacek, në vizitën që i bëri, muajin e kaluar vendit tonë, para gazetarëve në Prishtinë,deklaroi se; nëse Gjykata Kushtetuese vërteton që Marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo marrëveshje duhet të rinegociohet dhe ndryshohet, gjë që deri më tani,nuk e mohuan as personalitetet tjera evropiane dhe ndërkombëtare.
E, përderisa forma juridike e asociacionit të komunave serbe edhe pas nënshkrimit,nuk është as formalisht marrëveshje ndërkombëtare dhe kushtetuesja ka folur hapur se pjesë të Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk janë në harmoni me kushtetutën e vendit, atëherë patjetër, ndryshimet duhet të ndodhin sa më parë.
Por jo vetëm ndryshime në çasje, sa për të krijuar asociacionin një etnik serb, ngase siç ka serb në Kosovë, ka edhe shqiptar autokton që jetojnë në trojet e tyre nën Serbi, si në Kosovën Lindore, e shtetet të cilat pretendojnë të funksionojnë sipas standardeve demokratike evropiane,dhe përpiqen të plotësojnë kushtet për pranim në këtë organizatë me rëndësi jetike për zhvillimin, prosperitetin dhe mirqenien e tyre, kanë nevojë për marrëveshje kuantitative reciproke me peshë dhe aprovime ndërkombëtare.
Madje edhe kështu,Serbia na kërcënon e pengon kudo që mundet dhe arrinë,kurse me asociacione analoge e reciproke, do të ishte pak më ndryshe. Ato do ta mbronin njëra tjetrën dhe nuk do të krijonin rrezikshmëri për asnjërën pal, siç mund të ndodhte në të kundërtën,me asociacionin njëetnik (serb) ngritur vetëm në vendin tonë,derisa numër i përafërt banorësh shqiptar jetojnë edhe në Serbi.