Vetëfundosja e shteteve shqiptare në Prishtinë
Shrkuar nga Idlir Azizi
1.Dhuna e paralajmëruar
Shumë pak ditë pasi kryeministri i Kosovës nxori në tryezë termin Vetëfundosja dhe pas vërejtjes prej edukatore kopshti të zonjës Doris Pak, pamë përleshjen policore të shtetit ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes! te Dheu i Bardhë. Ndodhi egërsia policore e tipit Terminator, prej policëve që ulërinin shqip, por me muskuj FBI-je, si në filmat e shëmtuar me Van Damme.
Egërsia vinte ndaj një demonstrimi që ishte lajmëruar, për të cilin ishte marrë leje.Shkopat e policisë desh i fundosën vërtetë aktivistët e Vetëvendosjes!, madje dhe deputetët e saj, që duhet të ketë imunitet.
Shkurt, shteti dhunoi me bekimin e paradoditshëm të kryetarit të qeverisë së Kosovës; u nis drejt një fundosjeje. Më saktë, kryeministri thjesht ka çuar policinë që ti japë një dorë ndihmë vetëfundosjes së lëvizjes, përderisa ajo ende rezistoka!
Termi i kryeministrit është shumë i goditur; habia mbetet gjithsesi te ngeja e tij për të arritur në lojna të tilla linguistike!!
Paralel me të, një tjetër kryeministër, ai i Tiranës tashmë, nxori një term për lëvizjen; më folklorik ai, më prej gallate, se me atë e ka mësuar prej kohësh spektatorin televizivo-parlamentar shqiptar.
Termi faqezi ishte lëshuar në rezonancë me deklarimet pushtetarë të Kosovës, por edhe me deklaratat fort të njëanshme të përfaqësuesve të Mëdhenj perëndimorë, që si gjithmonë çfarë nuk korrin, e çfarë nuk shijnë ndër ne!
Mirëpo termi Vetëfundosje është ideal, për të treguar katandisjen mjerane të pushteteve shqiptare në Prishtinë e në Tiranë, për të treguar armiqësinë e tyre ndaj qytetarit, ndaj popullit.
Është rezistenca e Vetëvendosjes që e ka çuar pushtetin shqiptar që ta sforcojë veten sa të shpikë edhe terma gjuhësore, ku ndihet vetëfundosja e staturës së shteteve shqiptare të gjithë këtyre viteve të fundit.
Shtetet oligarkike të Tiranës e të Prishtinës, të gjendur përballë rezistencës vetëvendosëse, kanë ndjerë të nevojshme të shpikin terma përdhosës, duke parë që aksioni i Lëvizjes është kokëfortë dhe emancipues njëkohësisht. Pra, është veprim dhe koncept bashkëngjitur tij.
Deri dje pushtetet tona shqiptare, ishin mësuar me aksionerë të aksionit (Mjaft! etj etj), dhe jo me kapilarizues të revoltës e të ballafaqimit të vërtetë popullor.
Ndaj dhuna e fundit kundrejt aktivistëve vetëvendosës, e mbarsur qysh në lodrat gjuhësore të shtetit, arriti ta bëjë fjalën e vet mish, me anë të shkopit, detyrimisht.
Na mbetet të urojmë që në demonstrimin e ardhshëm, të paktën të mos ketë ndihma speciale policore nga Tirana për pushtetin e Prishtinës, meqë edhe qeveritë janë (siç thuhet) edhe ato për bashkimin e kombit (të tyre).
2. Zëvendësministri anti-popull
Dikur në Shqipëri jetonte e dënonte ajo shprehja Anti-parti, për këdo që kërcënohej si jashtë linjës ideologjike të shtetit.
Në këto ditë demokracie, në vijim të dhunës ndaj demonstruesve vetëvendosës, u shfaq për habi edhe komenti hokatar i një ministri kosovar. Në face-book, i pafytyri pushtetar kishte bërë pak hajgare me imazhin e liderit të Vetëvendosjes, i cili, sipas komentit të tij, i plagosur i ngjante një fakir refugjati i Bllacës...
Atëherë paska filluar negacionizmi shqiptar ndaj vuajtjes së shqiptarëve? Që kur vallë të qenit vuajtës i spastrimit etnik, refugjat i përzënë nga vendi yt qenka një figurë qesharake? E pse imazhi i një refugjati kosovar të vitit 99 na dalka tani si mishërim i një varfanjaku, i një hiçi, i një qenieje për tu përdorur si koment denigrimi?
Ministri i mjedisit (i kujt mjedisi në fakt?) pa dashur ka tradhtuar inkoshientin anti-popullor që ka pushteti shqipfolës, në të dyja anët. Komenti i tij vjen nga mjedisi thelbësisht anti-popull, injorant e përthithës i jetës qytetare, popullore, në Kosovë (në Shqipëri po se po).
Ka kohë që televizonet e mjediset shqiptare, Tiranë e Prishtinë, i mëshojnë dukës aristokrate, shpikjes së elitës, elitizmit të të menduarit, nëpërkëmbjes së popullit, gjithë duke shtruar kilometra plot me beton-populizëm të dyanshëm; duke futur në një tunel çdo orvajtje për të dalë nga terrorizmi i pushtetbërjes, në Tiranë e në Prishtinë.
Facebooku i ministrit të paktën ka ndihmuar të nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të horrorit, me të cilin përballet subjekti shqipfolës në këto dhjetë vitet e fundit.
Mbetet vetëm shpresa që shefi i ministrit, pra i qeverisë, të paktën ti kërkojë llogari vartësit se ku e gjen tërë atë kohë të rrijë në internet gjithë ditën e lume!
3. Arti i të vetëvendosurit
Të vetëvendosurit si art duhet të jetë një punë fort e vështirë, sidomos në gjuhën shqipe. Vetëvendosja ka dalë në hartën e turbulencave e të sporadizmave të revoltës shqiptare në një moment, kur shumë nga ne po ngrinim supet lidhur me rezultatin e rezistencës. Të mos harrojmë që për shumë nga ne, lëvizja e aktivizmi model ideor e veprimtar i Lëvizjes përkon edhe me fundin e pikëpyetjeve mbi origjinat e trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Lidhja nuk është e drejtpërdrejtë, kuptohet. Por ama, uria për të vetëvendosur e ka mundësuar edhe mendimin shqip që të ketë frymëzimin e vet prej ekzistencës së saj.
E theksoj: jo mbi ndodhitë e vitit 97, por me fundin apo me shkalafitjen e hetimit mbi arsyet dhe nxitësit e Gropës së zezë shqiptare të vitit 97.
Mendoj se është e kotë të kërkojmë majtas e djathtas; e kotë të qurravitemi mbi dëmin që iu bë imazhit të Shqipërisë. Duket se zezona e vitit 97 ishte një shpikje e përbashkët e të gjitha palëve partiake shqiptare (në Tiranë), vetëm e vetëm që qytetari të kërkonte me shumë dëshirë e me shumë këmbëngulje Praninë e fortë të shtetit!
E në jetë të jetëve!
Dhe ja ku e kemi. Tirana e Prishtina po vringëllijnë atë shpatë që se kish dot kurrë Skënderbeu. Shkarthja e nivelit të protestës dhe e shpirtit vetëvendosës në Tiranë e ka shtojcën pikërisht te kjo futje me pushtet e në pushtet të individit. Te shpirti shtetar i qytetarit, si dhe te ofshana e ngathët lidhur me zaptimin që shteti i ka bërë jetës shqiptare në çdo vis.
Ndërsa ushtrohej dhunë policore ndaj aktivistëve vetëvendosës në Prishtinë, në Tiranë kryeministri dhe ish ministri i tij i kapur gafil me Imazh korrupsioni, po krijonin videogame-in e ri lokal, me titull Qengjit të urtë i q... nëna!
Vetëvendosje doli dikur, pra, në anën popull-ore, përkundër intensifikimit të tërbuar të pushtetit shqipfolës. Në antipod e në rezistencë ndaj shkëmbimit metodik e teknik që bën pushteti Tiranë-Prishtinë, e me autobusa aq të shpejtë, sa asnjë doganë si ndal dot.
Kështu VV-ja mendoj se ka ditur të jetojë gjithë këtë kohë me ekzilin më të ashpër, por më emancipues: me ekzilin brenda vendit të vet. Pra, duke demonstruar kundër kolonializmit tregtar serb, por ama i sulmuar, i përzënë nga policia e shtetit të vendit të vet.
Atëherë VV-ja sulmohet, si përherë, me babaxhanllëqe perëndimore: me iniciativën e lirë, me qarkullimin e lirë, me çuçurima për dialog, me predikime për paqe etj.
Por e gjitha kjo nuk shkon më, kur e gjithë jeta e subjektit shqiptar është në dorë të shtetit. Kur pushteti e vdes përditë qytetarin, duke e konsideruar thjesht një Refugjat të demokracisë. Ky duket është thelbi i iniciativës së lirë demokratike të viseve shqiptare, e që Kuinta perëndimore ndoshta sdo ta kuptojë, ose, përton ta kuptojë, si zakonisht kur është fjala për vende si puna jonë.
4. Si Serbia nuk kalon
Rreth një qind vjet me parë, Serbia ka qenë edhe vatra e një lëvizjeje artistike të fortë e të paprecedent. Lëvizje artistike e politike, si ajo zenitiste , që synonte një zhytje të popullsisë në art, një art të rrethuar e të ngjeshur me popull.
Mëtues të një lëvizjeje artistike e teatrore e arkitekturore, Miçiç e të tjerë hidhnin idenë një barbarie të thellë poetike e konceptuale; bazat për një mosbindje dhe një radikalizëm të artit, e të ndryshimit të shoqërisë përmes tij.
I gjendur përballë një furie të tillë radikale, shefi i surrealistëve André Breton (që ngjan shumë në foto me Enver Hoxhën) e përjashtoi nga shkolla surrealiste Ljubomir Miçiçin e të ngjashmit e tij!
E vite me pas, intelektualë ballkanikë, pak demokratë e të ekuilibruar prej shoqërive të hapura post-komuniste, kanë arritur të nxisin idenë se lëvizje si ajo zenitiste dikur në Serbi, ka qenë bazë për shovinizmin serb të mëvonshëm, siç e kemi pësuar dhe ne. Kam parasysh këtu D. Katunariq etj.
Një rrenë me bisht, përderisa projekti për ballkanizimin e Europës që synonin zenitistët dikur, nuk donte të arjanizonte serbin, por kërkonte kreativitetin rebel ballkanik brenda normimit euro-perëndimor.
Në të kundërt të kësaj është Serbia e sotme, për fat të keq. Por në njëfarë mënyre akti vetëvendosës po ia merr armën, parcelën e traditës, duke krijuar modulet e një rezistence e të argumentimit rreth një Dëshire, që duhet ta pranojmë se është pa precedent ndër ne.
Koha e vjershave me bajrakë e me Mica e Baca, ka marrë fund, mesa duket. Koha e rezolutave fallco e hipokrite te parlamenteve e shqiptare lidhur me Kosovën e lirinë, u vetëfundosës.
Aktivisti vetëvendosës i këtyre kohëve ka përvetësuar si duket artin e të qenit radikal, kontestues dhe kreativ.
Dhe mirë është që ky term të mos përdoret për të nxitur frikë nesër. Radikal mendoj se do të thotë: lëvizja që i reziston kolonialit të çdo lloji, por që ka më shumë përplasje me pushtetin brenda vendit! Ai që e sheh serbin si jo-ndryshe, por që e përdor atë si revulocionarizues të të tijëve.
Ai arrin të rezistojë, e me atë art lëvizjeje, sa duhet të nxisë dhe kontestatorin e mundshëm serb atje, që të shohë degjenerimin e ish revolucionarizmit serb dikur. Lëvizje që ndoshta ka artin e kapërthimit të popullores me konceptualen; që mund të jetë kontestues revolucionar, gjithë duke qenë deputet. (Dhe kjo është ajo që sdo ta besojë ende pushteti Tiranë-e-Prishtine, prandaj dhuna vjen e madhe dhe aq e unifikuar).
Jo, dialogu i një demokracie in vitrio si po e duan në Kosove, është shterpë. Një lëvizje vetëvendosëse e ka më për zemër të refuzojë dialogun vicioz, por që në monologun e vet e inkuadron në rezistencë praninë e një Tjetri, shqiptar, serb, grek apo peruan, të çdo kontestimi ndaj privatizimit total të jetës, sepse jeta është përherë më e dhimbshme e më konkrete se Demokracia.