Vetëçmontimi i Erdoganit
Kryeministri turk po i rrëshqet pushteti nga duart, por edhe alternativat nuk janë aspak të mira për Turqinë, mendon Baha Güngör.
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan me siguri e kishte përfytyruar ndryshe bilancin e tij qeveritar në fund të vitit. Në vend të normave të rritjes, për t\'ia kishin zili, lirës së fortë dhe rëndësisë në rritje të Turqisë si fuqi rajonale, tashmë pyetja prej kohësh nuk është më, nëse Erdogani dhe qeveria e tij do të japin dorëheqjen, por se kur do të tërheqë frenat.
Kryetari i partisë konservatoro-fetare në pushtet AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim), mbështetet në një shumicë absolute në parlament dhe që prej fitores në zgjedhjet e vitit 2002, ka qeverisur thuajse i pashqetësuar dhe pa një opozitë serioze politike. Por Erdogan po bën të njëjtat gabime si shumë sundues absolutë dhe e kujton veten të pagabueshëm. Kritikën ndaj politikës së tij e toleron gjithnjë e më pak dhe gazetarë, intelektualë apo politikanë që mendojnë ndryshe, përfundojnë në burg. Madje edhe një pjesë e madhe e drejtuesve të ushtrisë u dënuan me dënime të gjata me burg pasi u akuzuan se kishin përgatitur puç.
Ashpërsi çnjerëzore kundër demonstruesve në verë 2013
Në vend që të zhvillohej në një lider politik të madh, i mbështetur nga një valë suksesi brenda dhe jashtë vendit, në verën e këtij viti Erdogan nisi vetëçmontimin. Konflikti me forcat demokratike dhe grupet civile të shoqërisë për shkak të planeve për ndërtim në një park në sheshin Taksim, në qendër të Stambollit dhe ashpërsia çnjerëzore e kryeministrit dhe policisë kundër demonstruesve, treguan se prej kohësh Erdogani i kishte nervat e tendosura.
Nervat e tij pësuan përfundimisht kolaps në vazhdën e zbulimit nga policia dhe drejtësia, të një skandali të pashembullt korrupsioni, në historinë 90-vjeçare të Republikës turke. Kur akuzat e rënda si pastrim parash, kontrabandë ari, transaksione të paligjshme bankare me Iranin dhe ryshfete për projekte shtetërore ndërtimi, arritën deri tek rrethi i tij, Erdogan reagoi me një ndryshim radikal të kabinetit. Por edhe ndërrimi i 10 nga gjithsej 26 ministrave të qeverisë së tij, nuk mundi t\'i kthente mbrapsht zhvillimet. Lira turke ra në nivel rekord të ulët kundrejt euros dhe dollarit. Së fundi edhe instanca më e lartë e gjykatës administrative i prishi llogaritë e qeverisë, duke deklaruar të pavlefshëm vendimin e Erdoganit, për t\'u lidhur duart policëve dhe prokurorëve me anë të detyrimit për njoftime lidhur me hapjen e hetimeve.
Mungon një opozitë e fuqishme
Por edhe nëse Erdogan bie viktimë e mbivlerësimit të vetes së tij dhe rrëzohet, alternativat nuk janë aspak të mira për një shtet anëtar të NATO-s: në Turqi mungon një opozitë politike bindëse dhe e fuqishme. Kundërshtari më i fortë i Erdoganit është predikuesi Fethullah Gylen, i cili dënoi përpjekjen e kryeministrit për të vënë nën kontrollin e tij shkollat e bashkësisë Gylen. Këto shkolla janë vatrat e pregatitjes të Gylenit, i cili prej 13 vjetësh jeton në SHBA dhe deri tani nuk guxon të rikthehet në Turqi.
Gylen është një udhëheqës fetar, objektivat e vërtetë të të cilit, ashtu si dikur të Erdoganit, nuk mund të përcaktohen. A synon ai një shtet të Zotit me Kuranin si ligj themeltar? A kërkon ai të dëshmojë se feja dhe demokracia plotësojnë fare mirë njëra-tjetrën dhe Turqia mund të shërbente si model për shtete dhe bashkësi të tjera fetare?
Kush bie në një kënetë në natyrë, nuk duhet në asnjë mënyrë të përpiqet të shpëtojë vetë. Përpjekja ka si pasojë zhytjen më thellë në moçal dhe shpëtimi bëhet edhe më i vështirë. Erdogan po përpëlitet tashmë prej muajsh. Për pasojë shpëtimi dhe qendrimi edhe më tej në post po bëhen gjithnjë e më të vështirë.(dw)