Vështrim “Letër bijave të mia” të autorit Zekerija Idrizi
Shkurar nga Lule Alidema
Shtëpia botuese ProkultPress nga Prishtina këto ditë nxori nga botimi librin “Letër bijave të mia”, libër ky shumë personal i teologut dhe shkrimtarit tonë të mirënjohur Zekerija Idrizi. Ky libër para dy viteve u botua së pari në Shkup të Maqedonisë, por nga interesimi i madh lexuesve po botohet edhe në Prishtinë.
Si gjithmonë të lexosh veprat e autorit Zekerija Idrizi do hasësh në një ideologji të veçantë, të rrallë, që vetëm ai din ta thotë, dhe gjithsesi do të mësosh gjëra të reja, shpesh dhe të padëgjuara më parë.
Rrallë, apo asnjëherë një vepër e tillë ka ekzistuar, vepër në formë letre me porosi e këshilla, kur prindi synon që bijave të veta dhe gjithë bijave të botës t’u shtron rrugën e jetës, t’u sqarojë me detaje se cili është rrugëtimi i drejtë që duhet ndjekur për një jetesë sa më të mirë.
Sa me zgjuarsi autori u plason rrugën bijave të veta dhe gjitha bijave tjera, kur fjala, porosia thuhet në letër, pa asnjë dilemë ajo do të ketë qëndrueshmëri dhe vlerë e padyshim do të gjënë dhe zbatim.
Me një fjalë, fjala e shkruar është dokument, ku do t’i sfidojë vitet dhe do të ngelet për shumë e shumë dekada në mesin e shumë librave shekullor.
Gjykimet, porositë, dëshirat për sa lexoj në këtë vepër vërtetë kërkojnë analizë të thellë, sepse autori shpërfaqë përmes shkronjave edukim dhe përvoja që dosido njeriu është ndeshur dhe gjithsesi do të ndeshet gjatë jetës, pra hasim përvoja shumë interesante të trajtuara në mënyrë të veçantë me një melodi sa artistike, aq edhe koncize.
Natyra e kësaj vepre vërtet është me peshë të madhe, sepse brenda kësaj vepre lexoj: ndjeshmëri prindërore, emocion, dëshirë, udhëzime, qëndrime patriotike, atdhetare, kombëtare dhe fetare.
Mbi gjitha kjo vepër vlerësohet aq më tepër sepse është shkruar nga një prind, i cili nxjerr nga subjektivja e vet këshilla drejtuar bijave të veta, njëkohësisht ai përmes vajzave të veta si protagoniste, përcjell porosi për gjitha bijat e botës.
Këtë vepër autori i dedikon bashkëshortes dhe gjyshërve të bijave të veta, ku pasqyron në mënyrën më të mirë falënderimin ndaj tyre që kontribuan në edukimin e drejtë të vajzave të tij. Autori si model i mirë prej prindi dhe bashkëshorti porosit secilin që është prind të kontribuojë sa më shumë, për fëmijën e vet.
Të jesh prind nuk është aspak e lehtë, dosido për sa je prind do ballafaqohesh dhe me sfida prej më të ndryshmeve, ashtu siç në mënyrën më të mirë autori i sqaron në vijimësi të veprës.
Por, krahas sfidave që prindi ndeshet të jesh prind është nevojë dhe kënaqësi për njeriun dhe këtë autori e thotë mrekullisht, duke hedhur në letër ndjenjat, emocionet e tij, që nga lindja e vajzës së parë e duke vazhduar dhe për tri vajzat pas Amrasë.
Ndonëse të jesh prindër, apo të ndjehurit amënor/atërore është nevojë për njeriun, bukur na e sqaron në teorinë e tij psikologu Abraham Masllou, ku nevojën për amësi e radhitë si nevojë biologjike, çka do të thotë se njeriu për të funksionuar normal duhet të jetë i përmbushur nga nevojat, që d.m.th. dhe nga nevoja për të qenë prind.
Jo më kot thuhet se “Profesioni” më i vështiri për njeriun është prindërimi. Sa bukur e me detaje na sqaron autori i veprës “ LETËR BIJAVE TË MIJA” Zekerija Idrizi duke ditur se vërtet është një baba i mrekullueshëm dhe një bashkëshort i mirë, gjë që haset nëse lexon e vështron këtë vepër të dedikuar. Patjetër se për një edukim të mirëfilltë të fëmijës rol të rëndësishëm luan edhe klima familjare, veçanërisht raporti nënë-baba!
Madje, lirshëm mund të them se harmonia mes një çifti bashkëshortor është faktori kyç për një familje të shëndoshë dhe edukim të drejtë. Autori Zekerija Idrizi, duke qenë Teolog me profesion, fillon për së mbari veprën e tij me falënderimet dhe lutjet fetare shkëputur nga libri i shenjtë Kurani!
Më pas, lexoj falënderimin e bijave të tij, ku shprehin emocionin që ju dhuroi babai i tyre me këtë vepër aq madhështore, me këshilla që patjetër do të ju duhen gjatë jetës.
Nga ana tjetër autori tregon ndjesinë e përjetuar si kurrë më parë përgjatë shkrimit të kësaj vepre, ndjesi krejtësisht e ndryshme nga shumë vepra të shkruara më parë. Po e sjellë në origjinale si autori ka shprehur me fjalë ndjesinë e përjetuar përderisa shkroi veprën dedikuar vajzave të tija:
“Madje, dorën në zemër, kjo ndjesi nuk mund të përshkruhet dot me fjalë, por vetëm mund të përjetohet shpirtërisht”. Sa drejtpërdrejtë e bukur e thënë.
Autori patjetër se nuk heziton të tregoj dhe burimin e frymëzimit, apo idenë që i lindi nga biseda me mikun e tij zt. Alush Nebiu, përderisa ai i tregonte historinë e jetës së vet, ku mbas trembëdhjetë (13) viteve martesë bëhen prindër të vajzës së tyre Donikë. Është modesti kur njeriu tregon se çfarë e nxiti të shkruaj, cili ishte stimulimi etj.
Në këtë vepër autori synon që përmes bijave të veta të përcjellë porosi për gjithë bijat e botës, kuptohet se autori në fjalë në këtë vepër lutë gjithë njerëzimin të priren drejt edukimit sa më të shëndoshë dhe në dritën e burimeve autentike islame me referim të praktikave të profetit Muhamed, drejt shkollimit, avancimit të femrës, kudo që gjenden në vendlindje apo në diasporë. Patjetër autori porositë edhe për edukimin e shëndoshë kombëtar.
Tutje... autori vijon me një njohje më të gjerë në rrugëtimin e tij që nga transferimi Shkup- Berlin në vitin 1977. Tregon rrugëtimin e tij si prind i katër vajzave Amrasë, Zarifes, Umihanas, dhe Artes.
Sa me ndjeshmëri përshkruan veç e veç për secilën nga bijat e tij që nga momenti lindjes, rritjes, arritjeve etj. madje përshkruan dhe karakteret e personaliteteve të tyre.
Sa me kujdes autori shkruan këtë pjesë në vepër : “FËMIJËT VAJZA JANË FAT PËR FAMILJEN”. Më se e vërtetë!
Femra natyrshëm cilësohet si qenie me natyrë të butë, të ndjeshme, prandaj dhe një familje pa vajza nuk do ta ketë shkëlqimin e mjaftueshëm. Citoj; “Vajzat janë dekori për shtëpinë”.
Mirënjohjet e autorit vazhdojnë tutje pa anashkaluar asnjëherë të jetë falënderues për bijat e tija që ka, ashtu sikurse lutet që gjithkush t’i ketë dhe të arrijnë të plotësohen në secilin segment jete.
Njeriu me mendje dhe zemër të madhe, siç është teolog Zekerija, tregon lumturinë që përjetuan pas lindjes së secilës vajzë: “Asnjëherë në lindjen e secilës nga vajzat tona nuk kemi shfaqur pemzë, gjëmë, hidhërim, vërejtje, mërrolje etj. pse fëmijët tanë ishin të gjinisë femërore.
Përkundrazi, jemi gëzuar shumë dhe kemi falënderuar nga thellësia e zemrës Krijuesin e Gjithëpushtetshëm - All-llahun xh. sh.” Më tej sikur me humor autori bën llogaritjen e trashëgimtarëve që do të vijnë dhe thotë kështu: “Kur të martohen nesër, do të kemi katër dhëndurë, do të thotë 4 vajzat tona plus 4 dhëndurët-djem bëjnë 8, domethënë shtohemi, bëjmë 8 fëmijë!" (haha).
Kjo vërtet është një shembull i mirë që të ndikoj në botëkuptimin e “më parë” që kishim dhe të ndryshoj ky botëkuptim yni ndër shqiptarë, po që se ende është mes nesh.
Andaj, autori bukur tregon se është mendim i gabuar të bërit e dallimeve në gjini me lindjen e fëmijëve femër apo mashkull.
Po pra, mjafton të jemi të përmbushur në nevojën prindërore, ta përjetojmë ndjenjën prej prindi sepse dhe po është femër apo mashkull është e njëjta gjë, është fëmija ynë, madje dhe njeriu nuk arrin vetë të vendos për gjininë e fëmijës që do sjellë!
Autori shumë qartësisht sqaron primitivizmin e kohë më parë siç vijon: “Në periudhën e xhehaletit-injorancës (para paraqitjes së islamit) femra, gruaja, nëna, po dhe fëmijët vajza ishin në pozitën më të rëndë e më të nënçmuar.
Paramendoni, a ka më tragjike se sa vetë prindi, babai të fusë të gjallë në dhe, në varr fëmijën e tij vetëm pse ajo ishte vajzë, asokohe fëmijët vajza paraqitnin turp, gjëmë, mallkim, fatkeqësi për një familje. Vetëm dhënia e lajmit për lindje të një fëmije femër paraqiste kob për atë familje”
Më pas autori na sqaron nga aspekti fetar urdhrin kuranor: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh”.
Me ç’rast autori jep rekomandime për femrën e rritur ajo që synon amësinë, që të hiqni dorë në të ardhmen, kuptohet kur të krijoni familje nga të gjitha mjetet moderne kontraceptive për parandalimin e shtatzënisë për abortet, sepse paraqesin krim të rëndë në fenë tonë islame, e shumë e shumë porosi të tjera.
Mes shumë porosive për bijat, autori nuk lë anash edhe porosinë për shokun më të mirë që u plotëson ndryshe nga bota kibernetike, Librin, ku me këtë rast po citoj prapë autorin:
“Bijat e mia, mos harroni kurrë faktin se interneti, bota kibernetike përgjithësisht, asnjëherë nuk mund të zëvendësojë vlerën e letrës - LIBRIT”.
Madje me detaje u sqaron bijave të veta rrugëtimin tij si ishte pikënisja e tij drejt librit, e besimit, adhurimit qe ka ndaj fesë, ku tek ai ka ndikuar edhe edukata e fetare e fituar nga nëna, babai, vëllezërit e rrethi i afërt e largët. Vijon me titullin e radhës, “KRENOHUNI QË JENI SHQIPTARE DHE MYSLIMANE” këtu autori porositë të bijat që asnjëherë mos të vuajnë nga kompleksi i të qenit shqiptare e myslimane, madje porositë të janë krenare. Sipas autorit nuk ka vend për inferioritet ndaj identitetit, sepse sipas autorit identiteti është i parapërcaktuar nga Zoti i madhërishëm, në të kundërtën është mëkat të injorohet identiteti. Sa bukur autori sqaron dhe lirinë e kultivimit të traditave, dokeve, zakoneve tona kombëtare e fetare dhe në shtetin Gjerman. Andaj thotë se me zgjuarsi duhet gjithsesi ne t’i ruajmë ato.
Po ashtu bën krahasime me popujt gjermanë, japanë etj. se si ata ruajnë traditat e veta. Na sjellë të njihemi me thënien nga Filozofi i njohur francez, Zhan Pol Sarter, se si ai i kualifikonte për "njerëz të majmunosur" të gjithë ata e ato që tregoheshin snobë, që turpëroheshin nga përkatësia e tyre identitare.
Më tutje shtjellon mendimin e kolosit shqiptar, Faik Konica, përkitazi me këtë çështje, apo edhe si e quan autori “ves”. Fjalët e autorit mbi reflektimin e Konicës:
“Më së shumti në jetë ua kam patur mërinë atyre shqiptarëve snobë. (Konica kishte zakon të këtillët t’i quaj "levantinë") që mendonin se bëheshin françezë, gjermanë a anglezë me të veshur të një kollare evropiane apo me të vënët në kokë të një kapele françeze”.
Assesi nuk harron tu tregoj të bijave se si ai pajtohet me sentencën shumë domethënëse të Zhan Pol Sartres e Albert Kamys, se "Ne rastësisht jemi francezë, domosdoshmërisht jemi njerëz", ku autori thekson: “Domosdosmërisht jemi njerëz, domosdoshmërisht jemi edhe shqiptarë e myslimanë”.
Lexoj se si autori sqaron frymën patriotike që mbizotëron krahas bindjes se tij duke përmendur rilindas të shumtë ndër ta tregon edhe për rilindasin Sami Frashëri se si ai ju ndihmonte popullit turk turqishten letrare si dhe shkrimin e fjalorit, Fjalor i gjuhës turke, d.m.th, Turqisht-Turqisht, i cili ka 1575 faqe dhe është fjalori më i mirë i gjuhës osmane-turke. Deri sot ky fjalor nuk është tejkaluar ende, ndaj është bazë për të gjithë fjalorët e mëvonshëm).
Samiu botoi këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe”,1886, "Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, gramatikë e shqipes 1886 dhe "Shkronja”, gjeografia 1888). Mos hiqni nga mendja asnjëherë se: “Për këtë gjuhë të bukur shqipe, të dhuruar nga Perëndia".
Dashuria ndaj atdheut dhe vizitat e shpeshta që autori me familje bën në vendlindje, tregon se kanë rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe forcimin e traditave kombëtare e fetare, pavarësisht se jetojnë dhe veprojnë në Berlin.
Vazhdim e sipër lexoj esenë e radhës: “KONTRIBUONI PËR FE E ATDHE”
Atdheu ka rëndësinë e veçantë për autorin, ashtu dhe tek te bijat mbolli shumë atdhedashuri. Lexoj porosinë e radhës për atdheun: “Bijat e mia ndër punët më të lavdueshme është që njeriu të kontribuojë sa më shumë për Zot e atdhe”.
Tutje vazhdon me porosi në esenë e radhës, ”DITËLINDJEVE JIPNI FRYMË ISLAMIKE”
Në këtë pjesë autori porositë të bijat se kudo që jeni jepni frymën e traditave shqiptare dhe islamike, duke pasur parasysh se njeriu mund te ndikohet edhe nga rrethanat, vendi ku jeton, traditat e atij vendi.
Ai u sqaron se si historikisht qytetërimi perëndimor mbështetet mbi tre themele: “Kultura dhe religjionet perëndimore mbështeten mbi themelet e vlerave judeo-krishtere (në Torë-Dhjatën e Vjetër dhe në Bibël, Ungjill-Dhjatën e Re); filozofia perëndimore mbështetet mbi themelet e filozofisë antike greke; si dhe jurisprudenca (e drejta) perëndimore mbështetet mbi themelet e së Drejtës Romake”.
Andaj autori pohon: “Të gjithë studiuesit, analistët objektivë jomyslimanë të Perëndimit pranojnë të dhënën e dëshmuar katërcipërisht se edhe kultura, qytetërimi dhe filozofia islame janë prej themeleve në të cilat mbështetet kultura dhe qytetërimi perëndimor”.
Me një fjalë autori domosdoshmërisht synon që festat të festohen në bazë traditës, religjionit përkatës. Sikurse në Perëndim njerëzit manifestojnë në mënyrë solemne datëlindjet e tyre. Dhe ai mendon se kështu veprojmë dhe ne shqiptarët, si komb i stërlashtë i kontinentit Evropë.
Shton tutje autori: “Por, ne si pjesëtarë të fesë islame do dhënë ngjyresë fetare islame manifestimit të ditëlindjeve tona, në mënyrë që të mos u përngjasojmë fetarisht të krishterëve, hebrenjve, budistëve dhe sekteve të tjera religjioze, që janë të numërta gjithandej në Perëndim”.
Mes brengave të shumta për prindër është dhe ajo se më cilin fëmija hynë në martesë. Po dhe këtë pjesë autori e sqaron me përpikëri në esenë: “TREGONI SYÇELËSI: MARTOHUNI ME SHQIPTARË”.
Pajtoj plotësisht me autorin kur citon një fjalë të urtë: “Në dy gjëra njeriu duhet të ketë shumë kujdes e vigjilencë: në zgjedhjen e profesionit dhe në zgjedhjen e personit-peronës për bashkëjetesë, martesë”.
Ç’është e vërteta se martesa e bazuar në dashurinë e çiltër, doemos do të rezulton në harmoninë familjare.
Sa pastër autori shprehë brengën për martesën e bijave: “Bijat e mia, martesa e fëmijëve këtu në dhe të huaj, në kurbet, është brenga më e thellë e çdo prindi. Në këtë drejtim tregoni syçelësi dhe vigjilencë të lartë.
Mos përshpejtoni në vendimmarrje dhe peshoni punët mirë e hollë. Këtë e theksoj veçanërisht për faktin se, siç dimë, dashuria nuk njeh kufi. Nga ana tjetër, mos harroni asnjëherë, për çdo rast që hyni në konsultim me babanë dhe nënën tuaj, veçanërisht me nënën, mund të këshilloheni pa ngurrim dhe hapur”.
Më pas autori hedh në vazhdim pohimin:“Rilindasi zulmëmadh, Sami Frashëri, ishte i frymëzuar fetarisht kur pohoi:“Keni edukuar e arsimuar një djalë, keni ndërtuar e ngritur një personalitet, ndërkaq keni edukuar e arsimuar një femër, ju, në fakt keni ndërtuar e ngritur një popull të tërë!"
Autori Zekerija duke qenë Teolog nuk lënë pa thënë një mësim shumë relevant (me shumë rëndësi) që doemos duhet ta praktikoni me rastet e martesave tuaja.
“Para ceremonisë martesore detyrimisht praktikoni zbatimin e aktit të kurorëzimit fetar islamik (niqahin - sipas fesë tekstualisht "akdu-n-nikah") para një imami - me prezencën e dy dëshmitarëve”.
Assesi autori në fund nuk harron dhe porosinë për respektin që secili fëmijë duhet ta ketë për prindërit.
Këtë e thotë në esenë e fundit të veprës së tij, “RESPEKTONI PRINDËRIT TUAJ”. Dhe këtu si në çdo ese tjetër autori ju drejtohet bijave të veta si në vijim: “Bijat e mia, në fenë tonë islame respektimi i prindërve zë vendin e dytë në hierarkinë e vlerave shpirtërore fetare”.
Autori sa bukur e ngritë në lartësi rolin e nënës duke shtuar: “Nga prindërit nëna më së shumti flijon-sakrifikon për lindjen, rritjen, veshmbathjen, pastërtinë, ushqimin, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të saj. Është pikërisht nëna ajo që bart përgjegjësinë më të madhe mbi shpatullat e saj në rritjen, arsimimin dhe edukimin e fëmijëve”.
Nga aspekti fetar autori tregon se: “Në asnjë rast nuk duhet t'i lejojmë vetes të hidhërojmë, fyejmë a nënçmojmë prindërit, sepse profeti fisnik na ka tërhequr vërejtjen: "Kënaqësia e All-llahut është në kënaqësinë e prindërve, hidhërimi i All-llahut është në hidhërimin e prindërve".
Autori tregon dhe për trajtimin apo kohën kur prindërit janë në moshë të shtyrë, atëherë kur do të kanë nevojë për kujdes, ai tregon se nuk është traditë jona kombëtare e fetare që, pasi prindërit tanë të jenë në pension e në moshë të thyer, t'i dërgojmë në shtëpi pleqsh, duke i larguar nga vetvetja, nga gjiri i ngrohtë familjar. Sipas autorit prindërit e braktisur, të nënçmuar, "të vetmuar" pa dashurinë e ngrohtësinë familjare në shtëpi pleqsh ndodh të mallkojnë përjetë fëmijët e tyre të pandërgjegjshëm.
Ai beson se fëmijët e tillë s' do shohin dritë kurrën e kurrës këtë jetë, kurse në botën e amshimit-në ahiret do të kenë dënim të dhembshëm tek All-llahu xh. sh.
E mbyllë këtë vështrim të veprës “LETËR BIJAVE TË MIJA”, të autorit Zekerija Idrizi me thënien e tij drejtuar gjithë bijve e bijave në raport me prindërit e tyre: “Silluni mirë e drejt me prindërit tuaj në mënyrë që nesër të sillen mirë dhe drejt me juve fëmijët tuaj!"
Krejt në fund autorit i dëshiroj shëndet, harmoni në familje dhe suksese të shumta në krijimtarinë e tij.
Suksese!
/Autorja është Psikologe klinike dhe Poete/