Vështrim i shkurtër për librin Kosova të Oliver Jens Shmitit
Libri Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike i Oliver Jens Shmitit është i shkruar si një letërsi e popullarizuar, me synimin që të jetë në shërbim të atyre që duan të argëtohen, gjithnjë pa ngarkesën që të verifikojnë vërtetësinë e fakteve.
Prandaj, lehtësia me të cilën autori ka shtjelluar këtë temë, më shumë është ajo e autorëve të teksteve fiksionale, që nuk e kanë për gjë të trillojnë, të krijojnë kundërthënie me fjalët e veta, të përrallisin me seriozitet pompoz për gjëra të vogla, që janë të njohura dhe monotone por edhe të citojnë ngapak tekstet e huaja, gjasme sipas poetikës postmoderne.
Pa e paragjykuar për asnjë çast autorin si të huaj (sepse në shkencë nuk ekzistojnë kategori të tilla si ne - ata ose vendas - të huaj), e kam krejtësisht të pakuptueshme se si është e mundshme që një autor e lejon veten të shndërrohet në një spekulues të kësaj përmase.
Vërtet, ky rast është për keqardhje, sepse kontributi potencial i tij dhe i studiuesve të tjerë, që vijnë nga përvoja të tjera akademike dhe me një distancë emocionale të domosdoshme në këtë fushë studimesh, mund të jenë shumë të dobishëm për transformimin e studimeve albanologjike në studime me standarde rigoroze shkencore, sidomos të asaj metodologjie të cilën Karl Poperi e quante pluralizëm kritik.
Fatkeqësisht, në librin Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, Oliver Shmiti është e kundërta e kësaj mundësie. Arsyet pse ai ka rezikuar kaq shumë etikën e tij akademike, i di më së miri vetë ai.
Këtu do të skicoj vetëm disa raste drastike të spekulimeve dhe të të pavërtetave të tij. Pra, jo të gjitha, sepse në atë rast do të duhej të shkruhej një libër i tërë, meqë pothuajse i gjithë ky libër i Shmitit është i ndërthurur mbi spekulime, plagjiarizma dhe të pavërteta.
Plagjiarizëm me marifet
Ka raste të shumta, ku Shmiti ka huazuar materialin e një autori tjetër dhe e ka përshtatur për veten e vet, duke bërë ndryshime kozmetike, por duke e ruajtur esencën e definimeve ose vlerësimeve të huazuara.
Kjo është një plagjiaturë në dukje intelegjente, por prapë se prapë plagjiaturë mbetet, me gjithë ngarkesën imorale dhe pseudoshkencore që bartë në vete ky ves. Ja një shembull tipik që e shpërfaqë teknikën e huazimeve të Shmitit:
Si perandori e karakterizuar nga tradita shtetërore romake, besimi ortodoks dhe gjuha greke, Bizanti
Kështu e definon Bizantin Hans Oliver Jens Shmiti në faqen 37 të librit të vet, duke e kontekstualizuar këtë definim lidhur me rrethanat në të cilat ndodhi sundimi bizantin mbi Kosovën dhe trevat e tjera ballkanike.
Vërtet, definimi i Bizantit në këto tri nivele tingëllon korrekt dhe e paraqet autorin si njohës të historisë së Bizantit. Krejt do të ishte në rregull, sikur këtë definim të mos e kishte bërë një autor krejt tjetër dhe shumë kohë para Oliver Shmitit. Georg Ostrogorski në studimin e tij, Historia e Perandorisë Bizantine, (i cili shqip është botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese Dituria e Tiranës) e definon kështu Perandorinë e Bizantit:
...strukturë shtetërore romake, kulturë greke dhe besim i krishterë: këto janë burimet kryesore kulturore të zhvillimit të Perandorisë Biznatine. (Georg Ostrogorski, Historia e Pernadorisë Bizantine, Dituria, Tiranë, 2002, fq. 17)
Kur krahasohen këto dy definime, na del qartë se Shmiti e ka huazuar definimin nga Ostrogorski, por ka bërë disa ndryshime kozmetike, për të fshehur huazimin: fjalën strukturë të Ostrogorskit e zëvendëson me fjalën tradia, ( pra në vend të formulimit të Ostrogorskit, strukturë shtetërore romake e bën tradita shtetërore romake.
Më tutje, sintagmën kulturë greke e bën gjuha greke dhe sintagmën besim i krishterë e shëndërron në besimi ortodoks. Por, esencialisht janë formulimet e huazuara nga Ostrogorski, të cilit nuk i referohet kurrkund.
Kurrkush nuk mund të thotë se ngashmëria është e rastësishme, sepse një njohës i Bizantit është e pamundur të mos e njohë studimin monumental të Ostrogorskit dhe nëse e njeh, atëherë duhet edhe ta citojë e mos ta huazojë, duke e fshehur huazimin me disa terma të përshtatur.
Tek flet për religjionet dhe konfesionet, në rastin e krishterimit, autori pohon se duhet të bëhet dallimi mes krishterimit të parë dhe të dytë, (fq. 87) pa iu referuar për këtë lloj definimi Peter Bartlit, i cili shumë para Shmitit e ka definuar me kësi termash përhapjen e krishterimit ndër shqiptarë. (Punë tjetër është se sa i vërtet është ky pohim.)
Kjo teknikë e Shmitit, e huazimit të definimeve të një autori tjetër dhe të fshehjes së huazimit, duke bërë disa ndryshime kozmetike, është plagjiaturë tinëzare, por gjithsesi është plagjiaturë.
Libri i Shmitit si fabrikë për prodhimin e të pavërtetave
Një kohë të gjatë nuk kam mundur të besoj se ky autor ka ngarkesë armiqësore ndaj shqiptarëve, edhe pse ka pasur raste kur është akuzuar si i tillë. Më janë dukur teprime, me të cilat fatkeqësisht komunikimi ynë publik është shumë i familjarizuar, si pasojë e jetës së gjatë nën presion e dhunë dhe të një frike neurotike që ka prodhuar ajo gjendje.
Por, disponimi armiqësor i Shmitit ndaj shqiptarëve, nganjëherë shpërthen edhe krejt pa takt, gati iracional. I tillë është edhe ky konstatim i tij:
Kështu, shqiptarët ishin pjesëmarrës në rrethimin e dytë të Vjenës në vitin 1683.
Formulimi i këtillë eksplicit për shqiptarët, lë të kuptohet se shqiptarët kanë qenë subjekt i asaj lufte, pra palë në luftë, përkatësisht një agresor që e ka sulmuar Vjenën. Ndërsa, kjo absolutisht nuk është e vërtetë.
Në ushtrinë osmane që ka rrethuar Vjenën dhe në ekspeditat e tjera të saj ndër shekuj, do të ketë pasur edhe shqiptarë, krahas edhe pjesëtarëve të popujve të tjerë që ishin të sunduar nga Perandoria Osmane, por të gjithë ata kanë qenë si ushtarë të ushtrisë osmane.
Një ushtri perandorake si ajo osmane, ka pasur në radhët e veta pjesëtarë popujsh nga më të ndryshmit, por ata nuk kanë përfaqësuar popujt e vet, sepse ose kanë qenë të nënshtruar ose vasalë. Pasaktësitë e kësaj natyre lënë shije të hidhur, sepse mund të interpretohen vetëm në sfondin e perceptimit të historiografisë nacionaliste serbe, për shqiptarët si mercenarë dhe antieuropianë të përjetshëm.
Pak më poshtë Shmiti bëhet edhe qesharakë, kur po këta shqiptarë që e paskëshin rrethuar Vjenën, i paraqet hiç më pak se si organ ekzekutiv, pra qeveri të osmanëve!
Nga ana tjetër, një historian korrekt nuk do të aludonte se gjoja këtu gjenden rrënjët pak më të thella-ndonëse ky nuk është shpjegimi i vetëm- për konfliktin e riinterpretuar si etnik mes shqiptarëve me shumicë muslimane dhe serbëve ortodoksë në shekullin e 20-të.
Ky në fakt është një riinterpretim keqadshës dhe pothuajse armiqësor i vetë Shmitit për rrënjët e konfliktit shqiptaro serb në shekullin XX, i cili nuk ka asnjë lidhje me kujtesën e shekullit XVII.
Shmiti nuk mund të ankohet se nuk ka dokumente e fakte për shkaqet e konfliktit ndërmjet serbëve e shqiptarëve në shekullin XX, që nga luftërat ballkanike e deri në spastrimin etnik dhe gjenocidin serb të vitit 1999. Ka aq shumë dokumente serbe që dëshmojnë qartësisht se qëllimi serb ka qenë zgjerimi territorial i Serbisë dhe dëbimi/shfarosja e shqiptarëve për interesa të shtetit nacional serb.
Projektet dhe luftërat i kanë bërë individët dhe institucionet shtetërore serbe. Është e vërtetë se është instrumentalizuar edhe Kisha Ortodokse Serbe, por ajo ka qenë pjesë e instrumentalizuar e projekteve imperiale të shtetit. Por, në asnjë rast konflikti mes shqiptarëve e serbëve nuk ka pasur karakter fetar, mes muslimanëve e ortodoksëve, sikundër përpiqet ta paraqesë tinëzisht Shmiti.
Dhe aq më pak si kujtesë gjoja e konservuar që nga shekulli XVII, për të cilën Shmiti lë të kuptohet se gjoja serbët kanë qenë të identifikuar me Vjenën.
Në shekullin XVII as serbët e as shqiptarët nuk kanë pasur struktura shtetërore, që do të ishin subjekte të pozicionuara me vullnetin e vet ose pro ose kundër asaj lufte, që sot të aktivizoheshin në kujtesën historike si rrënjë të konfliktit shqiptaro-serb. (VIJON në numrin e së mërkurës në gazetën "Epoka e re")