22 Dhjetor 2024

Veriu në udhëkryq

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Në veri të Mitrovicës mbrohet sovraniteti, ekzistenca dhe shpirti i Republikës së Kosovës. Për shkak të ngathtësisë në veprim të institucioneve kompetente (organeve qeveritare të Kosovës) strukturat kriminale serbe gjithnjë e më shumë po arrijnë të bëhen faktor bisedimesh dhe agjendë ditore e politikës së Beogradit.  KFOR-i dhe PK-ja bëjnë veprime spektakulare, ‘prish e ndreq’, përderisa situata po shkon gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit.
 
Veriu mbetet ende në udhëkryq, pavarësisht se gjërat (pas veprimeve të fundit qeveritare) cilësohen si pozitive. Opozita dhe pozita qeveritare situatën aktuale në veriun e Mitrovicës e shohin si rrjedhë të favorshme për Kosovën, pavarësisht se pushtetin atje e bëjnë strukturat e armatosura serbe, e jo organet e rendit shtetëror të shtetit tonë, bile as KFOR-i. Siguri nuk mund të cilësohet fakti se organet e rendit (policia dhe ushtria) mund të enden ‘lirshëm’ nëpër rrugë dhe pika të ndryshme caktimi, qoftë edhe në ato kufitare.

Siguri e plotë  mund të proklamohet lëvizja e lirë qytetare (kur fëmijët enden dhe luajnë lirshëm), segment ky që aktualisht mungon në veriun e vendit. Këtë më se miri e tregon gjendja e bashkëkombasve tanë shqiptarë në veri.

Askush se qanë kokën për ta, as qeveria, as policia e as KFOR-i. Flasin për barrikada, pengesa rrugësh qe i bëjnë serbët, flasin për integrimet, por nuk e përmend askush pozicionin e shqiptarëve në këtë pjesë, rreth 5 000 sosh të cilët nuk guxojnë të endën, të dalin për treg dhe as të shëtisin lirshëm. Ç’farë suksesi mund të cilësohet ky. Edhe pas veprimeve të fundit qeveritare. Kjo i dedikohet KFOR-it, EULEX-it dhe vet institucioneve tona shtetërore.
 
‘Ahtirari plus’, koncepti i parë i ndarjes faktike
 
Dialogu i ashtuquajtur teknik Kosovë-Serbi, vetëm se ka krijuar ngërçe të reja, të krijuara qëllimisht nga diplomacia e Beogradit. Rrjedhas kësaj, çështja e veriut të Mitrovicës ka arritur të krijohet si problem i përmasave ndërkombëtare, ku me automatizëm mund të zhvendoset natyra e dialogut; nga bisedimet teknike në ato politike.

Dhe, kjo na jep të kuptojmë se i tërë dialogu i gjertanishëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka shkuar në të mirë të kësaj të fundit. Serbia ka arritur të internacionalizojë çështjen e veriut, duke e ngritur si problem ditor, për të cilin ‘duhet hapur dialog’ në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rezultat i gjithë kësaj mëtohet të krijohet një zonë e veçantë territoriale, e cila mund të krijojë qasje dy shtetërore, të Kosovës në dogana dhe të Serbisë në komunitet. Kjo formulë e paralajmëruar dinakërisht nga Serbia, do ta degradonte deri në paqëndrueshmëri Republikën e Kosovës. Andaj, spektri ynë politik, duhet të tregohet më dinamik, në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit unikat, pa asnjë laramani dytësore juridike.

Plani Ahtisaari, edhe kështu siç është, ka hapur mjaft probleme funksionale brenda Kosovës. Çdo hap tjetër për ndonjë “Ahtisar plus”, jo vetëm se nuk do të zgjidhë asnjë problem, por do të shtrinte për tokë, tërë procesin 13-vjeçar të arritur në Kosovë. 

Një çështje të tillë e trajtoi mjaft hollësisht e përditshmja gjermane, “Die Tageszeitung”, e cila shkruan se as OKB e as EULEX-i, nuk ia dolën mbanë që në veri të Kosovës të vendosin sundimin e ligjit.  “Strukturat paralele serbe janë toleruar skajshmërisht shumë në veri të Kosovës. Mafia dhe ekstremistët nacionalistë shumë gjatë janë trajtuar me vëmendje të veçantë.

Gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të fundit, në atë pjesë të vendit ‘qeverisë’ një përzierje e ekstremistëve politik, shërbimeve sekrete, mafisë, politikanëve dhe policisë”. E gjithë kjo tregon se vetëm dora e fortë e shtetit mund t’i japë fund ekzistimit të elementeve kriminale në veri, duke goditur fillimisht strukturat mafioze, bandat kriminale dhe çdo element të shtetit të Serbisë.
 
Rreziku i dialogut politik
 
Dialogu ‘rehabilitues’ për Serbinë i njohur si dialog teknik Kosovë-Serbi, realisht nuk ka arritur asnjë hap përmirësimi të gjendjes në terren:vulat-(një maune hyn nga Kosova, tjetra kthehet), nuk pranohen doganierët kosovarë, por ata ‘ndërkombëtarë’, pothuajse dialogu zhvillohet Bruksel-Beograd, e jo në mes të dy shteteve fqinje Republikë e Kosovës-Serbi.

Duke u shteruar modaliteti i ‘marrëveshjeve’ teknike, tashmë po hyn një proces edhe më i rrezikshëm; dialogu politik. Kjo për faktin se zërat që mbështesin fillimin e dialogut politik mes Serbisë dhe Kosovës po shtohen. Veçmas në qendrat e diplomacisë ndërkombëtare. I kësaj  ‘nisme’ është edhe eurodeputetja, Doris Pak, e cila thekson se ‘duhet hapur dialogu politik.

“Në këto bisedime mund të diskutohet edhe çështja e veriut. Nëse palët gjejnë alternativë për të zgjidhur çështjen e kësaj pjese problematike”. Por, znj Pak, duhet ta kuptojë se edhe Tadiçi, Jeremiçi e Stefanoviçi janë ata që e rrahin po këtë tellall. Ngjitas kësaj, ekipi negociator serb në Bruksel, ka hapur debatin me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar rreth vendkalimeve në Bërnjak dhe Jarinje, duke injoruar Prishtinën zyrtare, e cila edhe është “zot” shtëpie në tërë territorin e shtetit të Kosovës.
 
Lufta për kontrollin territorial
 
Realisht, rrugët e veriut pjesërisht ose (kohë pas kohe) kontrollohen nga KFOR-i, Policia e EULEX-it apo Policia e Kosovës. Por, në fakt, bandat e armatosura kontrollojnë territorin. Këto të fundit, kontrabandojnë mallra dhe bllokojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve. Në këtë amulli, KFOR-i kërkon dialog për tejkalimin e situatës, përderisa qeveria e Kosovës nuk ‘pranon’ bisedime, duke adresuar problemin se ‘atje është një grup njerëzish që shkelin vazhdimisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës’.

“Këta njerëz do të ballafaqohen me drejtësinë ku do të jemi të pa kompromis”.Çka pas kësaj?-Serbia vazhdon ta bëjë çështje ditore problemin e veriut, përderisa qeveritarët tanë thonë se ‘serbët një ditë do të lodhën’, për t’i dërguar më vonë rrotat e makinave policore nëpër këtë pjesë. Koncepte të tilla e kanë sjellë Kosovën në një derexhe të tillë. Ne jemi shtet sovran dhe duhet të veprojmë si i tillë, ndryshe të tjerët do të na tregojnë rregullat e lojës së tyre. 

“Zhvillimet e 25 korrikut janë ato që kanë përcaktuar hapat e mëtutjeshëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit, të respektimit të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

Kushtetuta në letër i nënvizon shumë saktë këto çështje, por mjafton t’i biesh veriut (nëse të lejojnë strukturat kriminale serbe) për ta parë, ndier dhe përjetuar realisht gjendjen atje, e cila është ‘copy paste’ e kohës së Millosheviqit. I ashtuquajturi përfaqësues i Kosovës në Serbi, Oliver Ivanoviq, haptas ka mbrojtur qëllimet politike të Serbisë për autonomi për veriun e Mitrovicës.

“Serbët nuk kanë shtet alternativ përveç Serbisë. Nuk e njohim shtetin e as policinë e Kosovës. Policia e Kosovës por edhe doganierët i trembin qytetarët serbë”. Kjo tregon se Serbia përmes strukturave kriminale, duke keqpërdorur edhe qytetarët serbë, përpiqet më të gjitha forcat që të krijojë një “kalë të Trojës”, e cila do t’i shërbente asaj si poligon nga i cili do të niseshin të gjitha atakët kundër shtetit të Kosovës. Njëherësh një gjë e tillë do të krijonte brishtësi në qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë në vendin tonë.
 
Siguria nën tytat e armëve
 
Krijimi i barrikadave, heqja dhe hedhja e zhavorrit nëpër vendkalime urbane në veri,  është bërë ‘serial’ ditor, në mes të KFOR-it dhe strukturave kriminale. Në këtë kontekst grupe serbësh me makineri të rëndë kërcënojnë pikat kufitare G1 dhe G31. Këto dy pika janë po kaq të ndjeshme me të cilat matet ekzistenca e shtetit të Kosovës. Thjeshtë këtu mbrohet gjeneza dhe zemra e shtetit të Kosovës.

Por, serbët për disa ditë me radhë, vazhdojnë të mbajnë rrugët e bllokuara. Dhe nuk është vetëm kjo; Ata natën bëjnë roje edhe të armatosur. “Roje”, qe luftojnë kundër uniformave dhe ligjeve të shtetit ekzistues!

Duket krejt absurde të dëgjohen komente nga autoritetet e KFOR-it, të cilët, kanë bërë të ditur se nuk do të përdorin ‘dhunë’ për zhbllokimin e rrugëve. Dhe krejt arsyeja vjen nga fakti se “dhuna nuk do të përdoret për aq kohë sa edhe serbët nuk përdorin dhunë”.

Kjo len të kuptohet se strukturat kriminale në veri me ‘dialog’ dhe në mënyrë ‘paqësore’ i kanë mbyllur rrugët. Nëse KFOR-i e vlerëson dhunë, vetëm aktin e sulmit ndaj tyre, atëherë këta të fundit, ose duhet të proklamojnë dështimin, ose paaftësinë e tyre për të menaxhuar me situatën aktuale në veri.

Në këtë kontekst, vetvetiu shtrohet pyetja: Kush do t’i zhbëjë strukturat krinale dhe të vendos rendin dhe ligjin në veri?-Vet kreu i MPB-së, Bajram Rexhepi,ka thënë se nuk do të tërhiqet nga veriu dhe se nëse këtë s’mund ta bëjë KFOR-i dhe EULEX-i’, këtë do ta bëjë qeveria e Kosovës. Uroj qe të jetë kështu, por faktet flasin ndryshe.

“Qeveria i sheh si ilegalë përfaqësuesit e veriut të Mitrovicës dhe të Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që kanë marrë pushtet nëpërmjet zgjedhjeve që Serbia ka organizuar në Kosovë. Ata nuk mund të jenë partnerë për asnjë marrëveshje dhe bisedimesh”.

Kjo është e qartë, por z.Rexhepi është dashur të sqarojë a duhet të çlirohet territori, para se të krijohen kushtet për dialog dhe bisedime. Nuk bisedohet, por lihen të veprojnë të armatosur, të shantazhojnë shtetin dhe të kriminalizojnë territorin. Unë, nuk po arrij të kuptoj, se përse gjithnjë proklamohen ‘opa’ pa e hedhur asnjë hap. Janë treguar tepër demagogjike, planet e strategjitë, të cilave ose u ka munguar aftësia ose guximi për t’i vë në jetë, veprimet për dëbimin e forcave rebele nga kjo pjesë delikate e vendit.

Duke pasur parasysh që Kosova pjesën veriore e konsideron pjesë të vetën të përfshirë në Kushtetutë, por edhe në Planin e Ahtisaarit, atëherë perse mungon ekzekutimi i legjitimitetit të atyre që janë bartës të sovranitetit-Kosovës.

Ndryshe, aq sa kemi territor nën kontroll (nën sovranitet) aq kemi edhe shtet. Të tjerat janë fjalë ‘kopalla’ qe nuk mund të cilësohen ndryshe, përveçse patriotizëm folklorik, ose fushatë politike rehabilituese. Veriu e kërkon dorën e shtetit. Natyrisht se për këtë kërkohet më shumë guxim dhe mençuri.

Dhe krejt në fund, rezultati praktik, është barometri më i saktë i ‘zierjes’ së problemit të veriut tash e 13 vjet. Ata qe mendojnë se statusi special “Ahtisari plus”, mund të jetë zgjidhje për veriun, janë tepër skeptikë. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me principe të politikave ndërkombëtare për te drejtat e njeriut, por me prani ilegale të shtetit fqinj.

Përzierja e mekanizmave publikë dhe të sigurisë të një shteti në një vend të huaj quhet shpallje lufte. Veriu duhet të çlirohet dhe të rehabilitohen strukturat e shtetit të Kosovës atje. Kosova sovrane, vetëm duke qenë unike me autoritetin e shtetit në çdo cep të saj, mund të jetojë dhe të funksionojë. Ndryshe, komuniteti ndërkombëtarë bashkë me ne, duhet të përgatitemi për një luftë të re në Ballkan. 

Në veri të Mitrovicës mbrohet sovraniteti, ekzistenca dhe shpirti i Republikës së Kosovës. Në këtë pjesë të territorit tonë, tash e 13 vjet ‘qeverisin’ përzierje ekstremistësh politik, shërbimeve sekrete, mafisë dhe policisë serbe. KFOR-i dhe PK-ja bëjnë veprime spektakulare, ‘prish e ndreq’, përderisa situata po shkon gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. Për shkak të ngathtësisë në veprim të institucioneve kompetente (organeve qeveritare të Kosovës) strukturat kriminale serbe gjithnjë e më shumë po arrijnë të bëhen faktor bisedimesh dhe agjendë ditore e politikës së Beogradit.
 
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)