23 Dhjetor 2024

Veriu i vendit nyje politike e Gordout

Shkruar nga Sherife Zogiani

Veriu i vendit është bërë një nyje politike e Gordout apo thënë ndryshe nyje e pazgjidhshme, ngase qe 14 vite ende nuk është zgjidhur përfundimisht ky problem.

Kjo nyje kërkon zgjuarësi dhe syçeltësi politike, duke krijuar plane konkrete për zgjidhjen e saj.

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë strategji dhe plan konkret nga ana e Kosovës për veriun, edhe pse një plan i tillë apo çfardo plani tjetër nuk do të duhej të kishte fare për veriun, sepse veriu është pjesë e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, me krijimin e problemeve nga serbët e veriut, kjo është bërë e nevojshme. Prandaj, edhe sipas politikajve dhe analistëve të vendit, nuk do të duhej të kishte autonomi politike për veriun.

Ndoshta më së miri do të ishte sikur të kishte për veriun një zhvillim ekonomik më të favorshëm, në mënyrë që të integrohen edhe ajo pakicë serbe që jeton atje.

Për këtë qëllim qeveria e Kosovës ka formuar fondin e zhvillimit për veriun e vendit si dhe ka hapur një zyrë ndërlidhëse, e cila gjithsesi do të nsdikojë në integrimin e banorëve të atjeshëm në shtetin e Kosovës.

Serbët e veriut janë të manipuluar nga ana e shtetit të Serbisë. Për këtë arsye ata edhe bëjnë veprime skandaloze dhe vandaliste, sikurse që është bllokimi i rrugëve me gurë dhe zhavor dhe bllokadat e ndryshme të shpeshta.

Lidhur me veriun, ditë më parë Blerim Shala ka thënë se “do të përpiqemi që përfaqësuesi serb në Bordin e Fondit për Zhvillimin e Veriut të mos jetë nga ilegalët”.

Me fjalën ilegalët nënkuptohet njerëzit që janë në strukturat paralele, të cilat i ka formuar i finacon Serbia. Fondi për zhvillimin e veriut të vendit do të mbushet kryesisht nga donacionet dhe nga fondet e BE-së.

Ndërsa, Serbia sigurisht se do të ketë rolin e vet për të financuar serbët në fushat e arsimit e shëndetësisë, siç e përcakton edhe Pakoja e Ahtisaarit.

Me funksionimin e Fondit për zhvillim të veriut, do të zhduken strukturat paralele. Kjo çështje ndoshta edhe do të jetë në kuadër të bisedimeve për veriun që do t’i bëjnë kryeminsitri i Republikës së Kosovës dhe kryeminstri i Republikës së Serbisë.

Sipas deklaratave nacionaliste të liderëve aktual shtetëror të Serbisë, vetëm Slobodan Milosheviqi ishte ai i cili nuk e dëshiroi në asnjë mënyrë ndarjen e Kosovës, derisa pushtetarët e sotëm të Serbisë e thonë hapur se veriu duhet të ndahet dhe t’i bashkohet Serbisë.

Ata madje kanë shkuar edhe te opcioni i  ndarjes së veriut, përkatësisht bashkimit me Serbinë të tri komunave të veriut, Albanikut, Zveçanit dhe Zubin Potokut dhe në anën tjetër dhënien e tri komunave etnike me shqiptarë të Luginës së Preshevës apo Kosovës Lindore, Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, Kosovës.

Madje, ka edhe këso deklaratash nga autoritetet e Serbisë: “Të gjithë e duan ndarjen, sepse nuk besojnë në bashkëjetesë mes shqiptarëve e serbëve. Merreni një copë në Preshevë, për të na dhënë veriun”.

Mirëpo, si duket, nuk ka disponim nga ana e shqiptarëve për dhënien e veriut dhe marrjen e Preshevës.

Koha do të tregojë se a e kanë gabim shqiptarët. Këtë potezë politik si duket nuk po dinë ta luajnë, sepse ndarja, do të thotë ndarje definitive dhe e gjithëmonshme e Kosovës dhe shqiptarëve nga Serbia gjenocidale dhe shfarosëse.

Opionin e ndërrimit të territoreve e përkrah vetëm një subjekt politik i vendit. Kjo është Lëvizja për Bashkim (LB). Këtë opcion e ka përkrahur edhe akademik Rexhep Qosja, por askush nuk e ka përfillur qasjen e tij politike në këtë drejtim.

Beogradi synon t’ia shkëpusë Kosovës pjesët e banuara me 5 për qind serbë. Atëherë shtrohet pyetja: Si do ta kompensojë dhe në ç‘mënyrë do ta arsyetojë shfrytëzimin  serb të Kosovës të viseve të banuara me shqiptarë që nga pushtimi më 1912 e deri më 1999?

Ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë e ngulitur në mendjet e nacionalistëve serbë, në të gjitha konferencat dhe takimet për Kosovën, që nga Rambujea e deri në ditët tona.

Mirëpo serbët, kurrë nuk kanë dashur ta bëjnë publike një ide të tillë. Përse? Për arsye se pala që del me idenë e ndarjes së Kosovës, vetvetiu dëshmon se Kosova nuk është pjesë e saj.

Pas largimit të forcave kolonialiste serbe nga Kosova më 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi e kuptoi përfundimisht se Kosovën e ka humbur përgjithmonë.

Për këtë arsye, duke e ditur këtë, i nxorën në skenë idetë për ndarjen e Kosovës dhe nisën të afirmojnë gjithnjë e më shpesh dhe gjithnjë e më hapur këtë ide, e cila vështirë se do të përkrahet nga shqiptarët, por as nga bashkësia ndërkombëtare, sepse bashkësia ndërkombëtare ia kanë bërë të qartë Serbisë se nuk ka ndryshim të kufinjve.

Prandaj, Serbia tash është kthyer me autonomi për veriun. Mirëpo, si duket edhe kjo nuk do të ndodh, vetëm nëse kërkon bashkësia ndërkombëtare.
 
   
(Autorja është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)