27 Dhjetor 2024

Veriu i Kosovës një sakrificë politike

Shkruar nga Mr. Fidan Mustafa

Veriu i Kosovës, si një portë imagjinare e konflikteve të vazhdueshme e dizajnuar në mënyra brilante në të funksionuarit e saj, nëpërmjet të cilës kalojnë rrugët e ideologjive të reja, kompromiseve, shantazheve, krimit të organizuar, vrasjeve, e shumëçka tjetër. Një portë në të cilën është lidhur fati i një populli të përvuajtur ndër shekuj nga i cili, ndërvarësia virtuale i është bërë shumë reale.  

Veriu i vendit ka qenë për një kohë të gjatë temë debatesh dhe diskutimesh të thella si një problematikë, e vazhdon të jetë ende si politika ditore, debate nga të cilat shume nga partitë politike kanë fituar votat dhe marrë nga disa mandate në Kosovë mbi të shprehurit si një patriot imagjinar, në të vërtet ky problem është më i madh se sa diskutohet në jetën publike.

Problemi i pjesës veriore të Kosovës, në fakt më pak është problem territorial, e më shumë problem i një identiteti të ri që po lind në vend si pjellë e këtyre politikave nënçmuese të popullit të Kosovës. E quajta si një “Identitet te Ri”, mbasi që të gjitha vendimet politike e të historianëve të Kosovës, të qojnë drejt këtij definicioni.

Por, çka është në të vërtet një Identitet i ri?

Në skenën politike të Kosovës, prej kohesh ka qarkulluar një përpjekje për të krijuar një identitet të ri, atë të “Kosovarit”.

Kjo do të thotë një largim gjithnjë e më shumë nga indi historik që lidhet me shtetin shqiptar, me të cilin lidhshmëria ka qenë gjithmonë si në aspektin historik e shumëçka tjetër në mënyrë tradicionale.

Ky identitet i ri duket se veç largimit nga Shqipëria, kërkon të plotësoj edhe nevojën e një metode të re në vend, atë të Konstruktivizmit. Si një metodë e orientimit të popullit drejt një perceptimi imagjinar nga ai i vetvetes së tyre.

Konstruktivizmi është një metode e re ku si çështje kryesore, përfshin natyrën e shtetit dhe konceptin e sovranitetit dhe shtetit. Sugjerimi me i rëndësishëm teorik, me të cilën dakordohen të gjithë konstruktivistet, është mënyra e të vepruarit të shtetit, formësohet nga bindja e elitës politike.

Ne thelb të konstruktivizmit individët në bashkësi krijojnë, formojnë dhe ndryshojnë kulturën përmes ideve dhe praktikave duke orientuar vendin drejt një identiteti të ri, siç është rasti i popullit të Kosovës, nga ai Shqiptar i Kosovës, në Kosovar.

Me pak fjale, konstruktivizmi është një metodë të cilën e praktikojnë një pjesë e elitës në veçanti ata të Shqipërisë dhe Kosovës, që në njëfarë mënyre populli ti pason liderët e tyre verbërisht.

Metodat e konstruktivizmit, ndikuan në formimin e klimës së përshtatshme politike si dhe parapërgatitjen e popullit për ti dhënë një mbështetje apo për të qenë të heshtur ndaj veprimeve që do të ndërmarrë qeveria.

Klima politike në Kosove dhe ajo në Serbi ishte krijuar në atë forme me “Rastësi” që të dy qeveritë të vijnë njerëzit të cilët ishin të kyçur në luftën e Kosovës, të cilët kishin luftuar me njëri tjetrin.

Siç është e njohur edhe nga marrëdhëniet ndërkombëtare se “Ata të cilët e filluan luftën, ata duhet të përfundojnë atë”, dhe siç ngjau ishte momenti i një fillimi të ri të negocimit dhe pazareve.

Por, për të pasur një fillim të negocimit, do të duhej të krijohej klima e brendshme politike si në Serbi po ashtu edhe në Kosove. Në Serbi u be hapi i parë mbasi që atyre u nevojitej fillimi i negociatave me Kosovë sa më pare, i quajtur si veprimi i ndalimit të produkteve të cilat prodhohen në Kosovë.

Kështu, ky veprim i krijoj një hapësirë qeverisë së Kosovës që të bej lëvizjen e dyte duke u munduar të ndërmerr hapin e reciprocitetit me Serbinë.

Për habi u përkrah në mënyrë të përgjithshme dhe pa rezervë nga të gjitha partitë politike në Kosovë pa bërë ndonjë analizë të situatës faktike në terren se ku te shpie ky veprim.

Ne jemi dëshmitar të ngjarjes të vitit 2011 të intervenimit të njësisë speciale ROSU të policisë së Kosovës, e cila u fillua me pretendimin e shtrirjes së autoritetit të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe reciprocitetit, por u përdor si një element i krijimit të rrethanave të përshtatshme mbi bazën e së cilës do të zhvillohej dialogu Kosovë-Serbi.  

Autorizimi për intervenim u dha direkt nga kryeministri i vendit duke deklaruar se po ndërmerret si veprim i shtrirjes se autoritetit të kontrollit dhe institucioneve në të gjithë vendin.

Për fat të keq, policia e Kosovës humbi një pjesëtar të saj në ketë aksion si pjesë e një eksperimenti të qeverisë,  ku si pasoj e intervenimit u krijua një situatë më dramatike dhe gjerat arritën në “piken e vdekur”. 

Padyshim, arritja e çështjes së Veriut në piken e bllokimit total dhe të tensionuar do të provokonte një rrezik më të madh për ketë pjesë, gjë e cila në syrin e opinionit nuk mbetet alternativ tjetër përveç se të fillohet me negociata. Si zakonisht më mirë është të bisedohet se sa të luftohet.

 Duhet kuptuar se intervenimi i njësisë speciale të policisë së Republikës të Kosovës, behet për qellim të krijimit të klimës së përshtatshme politike në vend, për të filluar negociatat me Serbinë, por kurrsesi për ti dhënë fund problemeve në Veri.

Për fat të keq shume nga partitë opozitare në Kosovë, disa me vetëdije e disa pa vetëdije bien preh e këtij plani “gjenial” se si duhet filluar negociatat pa kundërshtime në vend.

Veriu i Kosovës, prapë se prapë mbetet njëra ndër problematikat më të mëdha të vendit dhe një portë imagjinare e problemeve të cilën politikanët kosovar më shumë e përdorin si justifikim se sa si një çështje që duhej zgjidhur.

Kjo pjesë e Kosovës, vazhdon të mbetet  premtim elektoral dhe portë nëpërmjet të cilës arrihen dëshirat e karrieristëve, krimit të organizuar, trafikimit etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)