Vdekja urbane e qyteteve tona
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli
Në bazë të vrojtimeve detale të bëra në qytetet tonë,mundemi lehtë të vërejmë dhe ti prekim gati të gjitha problemet urbane që i karakterizojnë ato!
Pos zonave qendrore të qyteteve zakonisht dobët te regjeneruara,identifikohen blloqet e reja të ndërtuara me leje e pa leje,të cilat pas shumë viteve kanë filluar të krijojnë njëfarë identiteti fals.
Ato në vitet e fundit janë bërë shënjestër e atyre që po ndërtojnë shpejt për përfitime materiale por me një arkitekturë të keqe. Sot pak kush ka kohë të merret me vepra të mira arkitektonike.
Është fakt se qytetet tona kanë stagnuar me të madhe në të gjitha aspektet,e ma i dhimbshmi është ai urbanistik.
Çka ka ngjarë me qytetet tona në vitet e fundit. Qëllimi duhej të ishte të orientohemi ka politikat urbane të reja të rritjes së qyteteve,duhej me përkrahur konceptet e reja të qyteteve moderne duke parashikuar metoda joshëse, të cilat do të ju nevojiten banorëve për një jetë të rehatshme.
Domosdo duhej përfshirë të arriturat teknologjike të shekullit 21,e jo të veprojmë me pa përgjegjësi së pari institucionale e pastaj morale. Si rast tipik kemi atë me revolucionin e industrisë automobilistike të shekullit të kaluar,pasi automjeti u bë nevojë elementare,si rezultat i dinamikes së jetës,zgjerimit dhe rritjes marramendëse të qyteteve Kosovare.
Shteti nuk ishte në gjendje të përcjell këto zhvillime të shpejta me infrastrukturë adekuate,për atë e kemi kaosin në komunikacion gati në të gjitha rrugët dhe qytetet e Kosovës,posaçërisht pas vitit 1999,të udhëhequr me ekonomin e egër të tregut.
Çdo qytetar i ndershëm po vëren se çka po ngjan në qytetet tona në Kosovën e pas luftës,si po bëhen rehabilitimet,rindërtimet apo ndërtimet e reja të infrastrukturave ekzistuese dhe të reja si uji,kanalizimi,rrugët etj. Shumë pak respektohet nga dokumentet urbane,shtrenjtë të paguara nga komunat tona.
Me befasi po e përjetoi gjendjen e krijuar nga vetë ne në hapësirat urbane,ndër-urbane dhe rurale të Kosovës,ngarkesat e mëdha të rrugëve me automjete të cilat i treguan mundësit e kufizuara të tyre,pas ardhjes së mërgimtarëve tonë nga kurbeti,atëherë del se fajtor kryesor jemi vetë ne.
Faktori ndërkombëtar as që ka tentuar të ndërhyjë,që nga aspekti human është gabim i madh i tyre,duke lejuar ketë situatë në kohën kur i kishin autorizimet për veprim (UNMIK,EULEX etj.).
As që është pritur diçka ma e mirë duke marrë parasysh së çka është punuar në ketë periodë për shtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore nëpër qytetet tona,e cila do të duhej të ishte produkt i dokumenteve hapësinore komunale. Mirë thotë një fjalë e vjetër popullore se çka mbjellë korrë.
Është interesantë për të studiuar fenomenin se si veprohet në vendbanimet tona,as që dikush mendon të respektohet në minimum funksionimi normal të tyre.
Ndërtohet me metoda klasike,as që regjistrohen maltretimet shumë mujore, posaçërisht gjatë verës,i banorëve rezident dhe atyre të ardhur për pushime të merituara vjetore nga diaspora.
Punohet pa planifikim operativ,pa sinkronizim të punimeve,kështu që qytetarët janë të detyruar të ecin së bashku me automjetet nëpër rrugët kryesor si në shtetet e prapambetura në botë,pasi nuk ka mundësi të ecet nëpër trotuaret e shkatërruara në të dy anët e rrugëve.
Si duket atë e meritojnë ata pasi nuk ka reagime të tyre,të pushtetit qendror apo të shoqërisë civile,pos shkrimeve të rralla në media.
E këto veprime po vazhdojnë me vite të tëra në pjesët e ndryshme të qyteteve (lagjeve) tona duke i torturuar pafundësisht banorët rezidentë, pasi si theksojnë zyrtarët komunal nuk kemi firma që posedojnë teknologji perëndimore,deri sa çmimet për punime dihet se i kanë evropiane.
Në gati të gjitha hyrjet e banesave publike të ndërtuara para vitit 1999 ka pasur mbindërtime edhe nga dy kate,pa pëlqimin e banorëve ekzistues,të cilat pos efekteve negative të jetesës në një objekt të përbashkët,kanë krijuar edhe pasiguri të banorët ekzistues për shkak të stabilitetit dhe sigurisë së objekteve të cilat askush nga organet shtetërore nuk i kanë verifikuar së paku nga aspekti teknik dhe i sigurisë,pasi aty jetojnë njerëzit e jo gjallesat njerëzore si i kanë trajtuar banorët ekzistues organet kompetente shtetërore.
Prapë po e theksoi se është fakt i pa mohueshëm se qytetet tona në dekadën e fundit para vitit 1999 kishin një ngecje të dukshme në zhvillimin urban,pasi situata politike ishte e tillë.
Por kur filloi procesi i rindërtimit pas luftës,atëherë u vërejtën dobësitë e jona në procesin e kontrollimit të zgjerimit të vendbanimeve. Krejtësisht është normale dhe është pritur që pas konfliktit të kemi lëvizje të popullsisë (migrime) në relacionet fshat qytet.
Me një politikë të mençur urbane të gjitha këto probleme do të kishim pasur mundësi ti zgjidhim dhe ti reduktojmë në suaza normale për një shoqëri post-konfliktuoze,e cila kishte përjetuar luftën dhe ndryshimin e sistemit politik dhe ekonomik,çka në këto dymbëdhjetë vite u treguar se ishte barrë e pa përballueshme.
Në aspektin hapësinor dhe urban kishte mungesë të madhe të profesionistëve,edhe ata që ishin u anatemuan,kishte dhe ka neglizhencë totale të kësaj problematike.
Asnjë profesionist nuk duhej të ishte kundër zgjerimeve dhe rifreskimeve urbane,për këtë në tërë botën e civilizuar punohen dokumentet urbane,si bazë e mirë për intervenime në hapësirë ku varësisht nga rasti do të kishim,rindërtime, renovime,rekonstruime urbane,të zonave të caktuara nëpër qytetet tona.
Këto vite është ndërtuar edhe në qendrat e ngushta të qyteteve, janë rrënuar dhe djegur ndërtesa të ndryshme,edhe ato objekte që ishin nën mbrojtje të shtetit,në mënyrë të pa skrupull janë zhdukur nga faqja e dheut,pa u penguar nga askush,me të vetmin qellim për të fituar materialisht,pa respektuar normat dhe standardet elementare të një jete të përbashkët urbane.
Renovimet urbane,në kontestin historik dhe kohorë ndodhin dhe përsëritën në kohëra të ndryshme,pasi edhe organizimi i jetës urbane në mënyrë obliguese duhet përshtatur rrethanave të reja politike,sociale dhe ekonomike të cilat gjatë historisë ndryshojnë.
Shtrohet pyetja se sa respektohen ato principe të ndryshimeve urbane në Kosovë,lirisht mundemi të konkludojmë se aspak,as që kemi njohuri elementare për ato çështje.
Në anën tjetër renovimet urbane duhej të ishin të vetmet mundësi për të shpëtuar diçka që është e mundshme në tërë procesin e zhvillimeve urbane tek ne.
Ky sipas bindjes time është i vetmi shans për të ndalur,me forcën e argumenteve profesionale,tërë atë se çka është duke ngjarë në qytetet tona nga aspekti hapësinor dhe urban,të cilin dikush dëshiron ta quan kaos ose fashizëm urban.
(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)